Kriza e thellë diplomatike e Uashingtonit me Turqinë dhe sfida e Erdoganit
Ndaj Sorosit ka shpallur luftë dhe Berisha dhe të dy mund të bashkohen kundër tij dhe kundër Ramës.
Ylli Përmeti
29/10/2021 - 18:08
Ndërsa marrëdhëniet mes Turqisë dhe perëndimit në përgjithësi dhe SHBA-së, Francës dhe Greqisë në veçanti ishin në tension, ditën e shtunë të javës së parafundit të tetorit Erdogani shpalli dhjetë ambasadorë (të SHBA-së, Kanadasë, Francës, Finlandës, Danimarkës, Gjermanisë, Holandës, Zelandës së re, Norvegjisë dhe Suedisë) si të padëshirueshëm në Turqi pasi këta të fundit kërkuan nga ministri i jashtëm turk lirimin e shpejtë të Osman Kavalës —një tregtar, filantropist dhe udhëheqës i shoqërisë civile i dyshuar për pjesëmarrje në grushtin e shtetit kundër Erdoganit, për të cilin, ky i fundit beson se ka financuar dhe inkurajuar dhe protestat e “Gezi Park” në 2013— duke kritikuar “vonesat e vazhdueshme” të gjykimit të tij, i cili, sipas tyre, “tregon hije të projektuar mbi respektimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe tejdukshmërinë në sistemin gjyqësor turk”, duke thelluar krizën.
Në shtypin dhe median perëndimore në përgjithësi kriza u paraqit si krizë e shkaktuar nga Erdogani. Voa, për shembull, publikoi ose propagandoi kritikët e Erdoganit por jo të ambasadorëve dhe Uashingtonit! Por siç do të tregoj në vijim, kriza nuk u shkaktua nga Erdogani por nga Uashingtoni: ajo lidhet kryesisht me Kavalën dhe Sorosin meqë Gyleni nuk dorëzohet nga amerikanët në duart e Erdoganit.
Ndërsa lirimin e Kavalës e ka kërkuar dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi shqyrtoi rastin, Erdogani kundërargumentoi pas pak orësh se nënshkruesit nuk do të lironin “banditë, vrasës dhe terroristë” në vendin e tyre. Sidoqoftë, shpallja e Erdoganit lidhet me Konvetën e Vjenës e cila ndalon ambasadorët të ndërhyjnë në politikën e brendshme të vendit pritës.
Por pas dy ditësh këshillimesh për të zgjidhur krizën e krijuar, Erdogani njoftoi se ambasadorët nuk do të dëbohen. Njoftimit të tij i parapriu “ndjesa” publike e ambasadorëve sipas të cilës ata “respektojnë dhe nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Turqisë”. Qendrimin e tyre e përdori Erdogani më pas dhe shtoi se “ambasadorët besojnë në drejtësinë tonë, se tani e tutje do të jenë më të kujdesshëm dhe kush nuk respekton pavarësinë dhe ndjeshmëritë e popullit turk, cilëndo detyrë që të ketë, nuk do të ketë vend në vendin tonë”, duke theksuar se ai nuk donte të shkaktonte krizën në fjalë.
Një ditë më pas “Deutsche Welle” raportoi se ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, ‘kërcënoi’ Erdoganin se nëse këmbngulte në dëbimin e ambasadorëve ai do të dorëhiqësh, fakt, të cilin, vetë ministri dhe presidenca turke e përgënjeshtroi. Si duket, kjo tezë u propagandua me qëllim që të shfajësonin ambasadorët.
Sidoqoftë, nuk mungoi reagimi i Uashingtonit sipas të cilit “Shtetet e Bashkuara vërtetojnë përkushtimin ndaj artikullit 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”. Vetë zëdhënësi i ministrisë së jashtme amerikane Ned Price pranoi se qendrimi i ambasadorëve ishte orkesturuar nga Uashingtoni. Pyetjes se nëse i qendronte kërkesës origjinale për lirimin urgjent të Kavalës, zëdhënësi i qeverisë amerikane iu përgjigj: “Se çfarë në publikuam ishte një qendrim për të nënvizuar se qendrimi që ne njoftuam në 18 tetor ishte i përputhshëm me Artikullin 41 të Konventës së Vjenës. Ne jemi të palëkundur në angazhimin tonë për të nxitur sundimin e ligjit dhe respektit për të drejtat e njeriut botërisht. Ky angazhim është i palëkundur dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi me Turqinë në përputhje me Artikullin 41”.
Në fakt, kërkesa e ambasadorëve, për mos të thënë “ultimatumi”, ndaj qeverisë “partnere” turke, nuk ishte fare në përputhje me Konventën e Vjenës. Nuk është e rastit që si zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ashtu dhe “hetuesit-gazetarë” të qeverisë amerikane dhe më tej gazetarët perëndimorë, nuk e përmendën fare përmbajtjen e Artikullit 41 të Konventës së Vjenës me qëllim që populli në rolin e “spektatorit” të gjykonte se nëse ambasadorët vepruan drejtë me Turqinë!
Përkundrazi, ata shfrytëzuan “thashethemet” lidhur me Çavusoglun dhe qendrimet e opozitës turke dhe u përqendruan tek ato! Kështu “shfajësuan” ambasadorët dhe fajësuan Erdoganin aq sa shumë gazetarë —sidomos në Greqi— e karakterizuan “të çmendur” meqë kështu e karakterizoi opozita turke!
Erdogani, në fakt, kërkoi dy vjet më parë ndalimin e veprimtarisë së fondacionit të Sorosit në Turqi dhe megjithëse fondacioni ndaloi veprimtarinë, ai i ka shpallur luftë Sorosit ndërsa Kavalën e quan “i kuqi i Sorosit i Turqisë” ose “Sorosi i Turqisë”, sepse ka qenë anëtar bordi i fondacionit të Sorosit dhe beson Erdogani se ai ka bashkëpunuar për rrëzimin e qeverisë duke filluar me protestat e vitit 2013 deri në grushtin e shtetit. Ndaj Sorosit ka shpallur luftë dhe Berisha dhe të dy mund të bashkohen kundër tij dhe kundër Ramës.
Sidoqoftë, Kavala u lirua vitin e kaluar për akuzat lidhur me protestat e vitit 2013 por ai u riarrestua pas pak orësh pasi një urdhër u lëshua me akuza të reja lidhur me grushtin e shtetit në vitin 2016. Të gjitha këto në kohën kur Erdogani po përpiqësh të blinte rreth 80 avionë të rinj luftarakë F16 nga SHBA-ja dhe pajisje për të modernizuar afërsisht 80 të tjerë ngaqë është mbeshtetur në një flotë ajrore të vjetër, pasi iu ndalua të merrte një porosi me mbi 100 avionë F35 e gjeneratës së re, pas blerjes së sistemit mbrojtës rus S-400.
Ndërsa Erdogani ka aluduar se do të takojë Bajdenin në Romë këtë fundjavë dhe në Glasgou javën tjetër ku do të bisedojë për çështjen e avionëve ai ka aluduar gjithashtu se nëse Uashingtoni nuk i shet avionë ai do të blejë nga Rusia. Aludimin e tij e vërtetoi dhe ministri i jashtëm turk pas krizës me ambasadorët; madje, duke speficifikuar se cilët avionë rusë do të blinin në rast se Bajdeni refuzon t`i shesë Turqisë avionët që kërkon.
Gjykuar nga vlerësimi dhe besimi amerikan —se Turqia është “vend strategjik” për interesat amerikane në rajon dhe një aleat i rëndësishëm në NATO— Bajdeni do t`i shesë Turqisë avionë luftarakë pasi të ketë marrë mbështetjen e Kongresit (aktualisht disa anëtarë të tij janë skeptikë). Por fakti mbetet se Uashingtoni gaboi me ambasadorët. Si duket, besonte se Erdogani do t`i nënshtrohësh kërkesës së ambasadorëve meqë “masivizoi” mobilizimin e tyre.
*Në këtë editorial është ndërhyrë një ditë pas publikimit
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 163 reads



