...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Kur do të “arrestohet” Berisha nga SPAK-u?

Gjykuar nga fakti se Spak-u plotësohet me numrin e nevojshëm të punonjësve në fund të këtij viti, dhe nga natyra e hetimeve —ato kërkojnë kohë...rreth dy vjet, sidomos kur bëhet fjalë për korrupsion të kreut të qeverisë (megjithëse rasti nga rasti ndryshon, për dyshimet ndaj Trampit lidhur me “lidhjet e tij ruse”, për shembull, hetimet zgjatën rreth 18 muaj)— Berisha do të jetë i ‘lirë’ në përpjekjen e tij për të fituar drejtimin e partisë “demokratike”

SHJ

15/11/2021 - 17:01

Në vijim do të tregoj “strategjinë” amerikane për shfuqizimin e Berishës dhe mbështetësve të tij, mashtrimet epike të këtij të fundit në “foltore” dhe mashtrimet e Ramës lidhur me Sorosin dhe globalizmin neoliberal. Për “strategjinë” amerikane lidhur me shfuqizimin e Berishës dhe mbështetësve të tij flet më shumë se kushdo tjetër Ngjela; por thotë shumë të pavërteta dhe shpesh gjysmë të vërteta ndërsa për mashtrimet e Berishës nëpër “foltore” dhe mashtrimet e Ramës nëpër media, nuk flet asnjëri!

Në datën 19 maj të vitit 2021 ministri i jashtëm amerikan, Antony Blinken, deklaroi Sali Berishën “person të padëshirueshëm” (“ineligible”) në SHBA. Siç citon shpallja:

“Sot, shpall emërimin publik të Sali Berishës, një ish-president në Shqipëri, ish kryeministër në Shqipëri, dhe ish anëtar i parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm. Në detyrën e tij se kryeministër veçanërisht, Berisha u përfshi në veprime korruptive, si shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procese publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për fitimet e tij dhe pasurimin e aleatëve të tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në dëm të besueshmërisë publike të Shqipërisë në institucionet e qeverisë së tyre dhe zyrtarët publikë. Retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij, dhe aleatët e tij politikë në dëm të hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion, dhe masave të përgjegjshmërisë.

Me këtë emërim unë rishpall nevojën për përgjegjshmëri dhe tejdukshmëri në intitucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare, dhe veprimeve të zyrtarëve publikë të Shqipërisë.

Ky emërim bëhet sipas Paragrafit 7031(c) të Departamentit të Shtetit, Veprimet e Huaja, dhe Aktit të Lidhur me Programet e Përvetësimit të Paligjshëm, 2021. Lidhur me Berishën unë emëroj publikisht [dhe] gruan e tij, Liri Berisha, birin e tij, Shkëlzen Berisha, dhe bijën e tij , Argita Berisha Malltezi. Këtyre individëve nuk u lejohet udhëtimi në SHBA. Ky emërim rivërteton zotimin e SHBA-së në mbështetjen e reformave politike kyç për institucionet demokratike të Shqipërisë. SHBA-ja vazhdon të qendrojë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritetet si këta për të nxitur përgjegjshmëri për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe botërisht”.

Paragrafi që përmend sekretari në shpallje, me titullin “Anti-kleptokraci dhe të drejtat e njeriut”, citon në pikën 1 se ministri i jashtëm shpall të padëshirueshëm zyrtarët e qeverive dhe anëtarët e familjes për të cilët ka të dhëna të besueshme se ata janë përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në korrupsion të rëndësishëm, duke përfshirë korrupsonin e lidhur me vjeljen e burimeve natyrore, ose ka shkelur të drejtat e njeriut dhe se jo “më vonë se 30 ditë pas shpalljes së këtij Akti, dhe çdo 90 ditë pas tij, ministri i jashtëm duhet të parashtrojë një raport, duke përfshirë dhe një aneks të klasifikuar nëse është e nevojshme, në komitetet e përshtatshme të Kongresit dhe Komitetet mbi Drejtësinë duke përshkruar të dhënat lidhur me korrupsionin ose shkeljen e të drejtave të njeriut për çdo individ të shpallur të padëshirueshëm”.

Gjykuar nga koha kur u shpall Berisha i padëshirueshëm dhe nga afati kohor që parashikon ligji amerikan, ministri Blinken duhet ta ketë parashtruar shpalljen e tij në komitetet në fjalë dhe është çështje ditësh të vendoset për “fatin” e dosjes së Berishës. Me shumë gjasa të dhënat e dosjes së Berishës dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij do të shpallen pak ditë përpara mbledhjes së kuvendit të partisë “demokratike” me qëllim që të minohet përpjekja e tij për të rimarrë drejtimin e partisë dhe të fuqizohet Basha. Dhe me shumë gjasa të njëjtat të dhëna duhet të kenë shkuar dhe në duart e drejtorit të Spak-ut, Krajës. Nëse është kështu, hetimet duhet të kenë filluar. Dhe në rast se veprojnë amerikanët siç citova, Berisha nuk do të zbrapset nga qëllimi i tij: ai do ta zhvillojë kuvendin ndërsa do të përgatitet për të apeluar akuzat që pret nga Spak-u dhe në nevojë ta paraqes atë si institucion të korruptuar. Variantin e dytë e ka përdorur gjatë “foltoreve” duke përdorur argumentin se ai është një institucion inefiçent duke e krahasuar me një përpjekje të tijën ‘anti-korrupsion’ kur qeveriste ndërsa nuk ka munguar akuza se si institucion është i kapur nga Rama.

Dhe gjykuar, në fund, nga fakti se Spak-u plotësohet me numrin e nevojshëm të punonjësve në fund të këtij viti, dhe nga natyra e hetimeve —ato kërkojnë kohë...rreth dy vjet, sidomos kur bëhet fjalë për korrupsion të kreut të qeverisë (megjithëse rasti nga rasti ndryshon, për dyshimet ndaj Trampit lidhur me “lidhjet e tij ruse”, për shembull, hetimet zgjatën rreth 18 muaj)— Berisha do të jetë i ‘lirë’ në përpjekjen e tij për të fituar drejtimin e partisë “demokratike”.   

Për më shumë këtu

Strategjia amerikane dhe mashtrimet e Berishës (në foltore) & Ramës për Sorosin

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA