Ngjela: gallata televizive që na kushton shumë kohë nga jeta jonë
Ngjela është një gallatë telelivizive pas të cilit rendin idiotët, së pari gazetarët, që janë një ketegori idiotësh që riprodhojnë idiotët
Ylli Përmeti
28/01/2022 - 12:03
Në sytë e shumicës së popullit Ngjela është i ditur. Madje ai ishte i ditur edhe për mua kur nuk kisha studiuar. Shpesh herë e lexoja me shumë kureshtje në shtyp. Bleva dhe librin e tij të parë për t`u dijësuar prej tij. Nga libri i tij kuptova se ishte elitist. Domethënë, “besimtar” se popujt pa elita vdesin! Por kur studiova, kuptova se kisha humbur kohën kot me të. Megjithëse ai ka disa qendrime të drejta për disa çështje, përgjithësisht ia fut kot.
Së pari, nuk pranon të dialogojë në debate publike por monologon kur dihet se dialogu është pjesë e pedagogjisë! Së dyti, së fundmi mbajti një qendrim idiot lidhur me ardhjen e Merkelit: se ajo erdhi që të bashkonte Kosovën dhe Shqipërinë dhe se për ne, kur të bashkohemi, është më mirë të kemi euro-n si devizë se sa lekun…kur dihet edhe nga studenti i vitit të parë (nëse ia kanë thënë pedagogët e partive neoliberale!) se deviza kombëtare siguron një përqindje të lartë të pavarësisë ekonomike!
Së fundmi Ngjela pohoi në një emision (S. Balla), duke ndjekur “teoricienët” britanikë të së drejtës, se “politika është interes”! Këtë qasje e kanë pranuar shumë njerëz në modernitet. Mirëpo, tjetër përcaktim ka babai i mendimit njerëzor, Aristoteli: se politika shqetësohet me fundin e veprimeve sociale dhe synon bërjen e njeriut vituoz. Thënë, në fjalë të tjera, politika ose pushteti politik, qoftë ai në duart e një populli apo qeverie të pushtetuar me vota nga populli, synon zhvillim i virtyteve në popull dhe për këtë objektiv pushteti politik luan rolin kryesor.
Në fund, Ngjela argumentoi në të njëjtin emision se “fajësia është qendrimi psikik i personit ndaj veprës…për të nxjerë qëllimin”! Kjo është një çështje juridike dhe për Ngjelën dhe të ngjashmit e tij është “ABC-ja”: sepse pa kuptuar drejt se ç`kuptohet me “fajësi” dhe si vërtetohet kjo e fundit nga prokuroria dhe gjykata, asnjëri nuk mund të bëhet avokat, prokuror apo gjykatës. Ngjela, si duket, është bërë pa e kuptuar! Shkurt, një njeri është fajtor për një krim kur ai shkel ligjet në fuqi dhe shkelja vërtetohet kur ekziston “mens rea” (qëllim ose dijeni për keqbërje) dhe “actus reus” (veprim kriminal).
Do të ishte me dobi për studentët të përmendnim dhe një qendrim tjetër të Ngjelës: se termi oligarki është përdorur nga Marksi si fillim! Këtë argument e përdori kundër Arlind Qorit në një debat teleliviziv. Ky i fundit e kundërshtoi se termi është përdorur nga antikët grekë dhe nga liberalët sot dhe jo nga Marksi. Dhe ka të drejtë deri diku. Por jo plotësisht të drejtë, sepse Arlindi vazhdon të mos e kuptojë drejt termin ‘oligarki’. Madje, termi oligarki nuk përdoret nga “liberalët” por nga “neoliberalët”, qëllimshëm, që të tregojnë karakterin oligarkik të Rusisë përkundër karakterit “demokratik” perëndimor. Përdoret, në fjalë të tjra, qëllimshëm që të tregojnë veten si “demokratë” dhe kundërshtarët e tyre ose si “oligarkë” ose si “autokratë”!
Ngjela, shkurt, është një gallatë telelivizive pas të cilit rendin idiotët, së pari gazetarët, që janë një ketegori idiotësh që riprodhojnë idiotët, dhe së dyti, populli, që kur i paraqesin gazetarët dikë dhe kur nuk ka dije, detyrimisht që do ta pranojë si autoritet të dijes. Por ai është shumë më racional se shumë të tjerë —që përfshihen në debate televizive— në qendrimet e tij publike. Ai mund të përdoret si “kandar” për të peshuar gjithë të tjerët, sa herë përfshihet në debate publike duke patur ne mendje se sa më shumë të plaket trupi aq më shumë plaket mendja!
Karikatura që shoqëron këtë koment është e Bujar Kapexhiut
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 71 reads



