Putini dhe Shija i përgjigjen perëndimit me një marrëveshje tjetër ndërsa nxisin Nato-n të përjashtojë ekspansionin
Ngritja nga Shtetet e Bashkuara e çështjes së trupave ruse në forumin më të lartë të OKB-së, u jep mundësi të dyja palëve të përballen në një skenë globale në betejën mes tyre për opinionin ndërkombëtar
Voa
31/01/2022 - 19:08
SHBA-ja përpiqet të fitojë opinionin ndërkombëtar në KS/OKB ndaj Rusisë
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po përballen të hënën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rreth krizës në Ukrainë, në një seancë urgjente të kërkuar nga Uashingtoni për të diskutuar rreth grumbullimit të 100 mijë trupave ruse në kufirin ukrainas. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se Uashingtoni i konsideron veprimet e Moskës, “një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë”. Kremlini e quan takimin e së hënës “një manovër marrëdhëniesh publike”.
Këshilli i Sigurimit nuk ka pothuajse asnjë gjasë që të miratojë ndonjë qëndrim zyrtar, duke patur parasysh se Rusia ka të drejtë vetoje, si edhe lidhjet e saj me anëtare të tjera të përhershme, përfshirë Kinën.
Ambasadori i Kinës në OKB, tha të hënën se Pekini nuk e sheh grumbullimin e trupave ruse në kufi me Ukrainën si një kërcënim. Por ngritja nga Shtetet e Bashkuara e çështjes së trupave ruse në forumin më të lartë të OKB-së, u jep mundësi të dyja palëve të përballen në një skenë globale në betejën mes tyre për opinionin ndërkombëtar.
Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën ka nxitur paralajmërime gjithnjë e më të forta nga Perëndimi se Moska mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë.
Rusia ka kërkuar që NATO-ja të mos lejojë kurrë Ukrainën të anëtarësohet në aleancë, të ndalë vendosjen e armatimeve të NATO-s pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore, kërkesa që janë hedhur poshtë zyrtarisht nga Uashingtoni dhe aleanca e NATO-s.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk arritën ndonjë përparim në takimin që patën para disa ditësh në Gjenevë.
Ata pritet të zhvillojnë të martën një bisedë telefonike.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha të premten se “grumbullimi i forcave ruse mund të jetë një përpjekje e Moskës për të ushtruar trysni dhe “presion psikologjik”, si dhe të mbjellë panik.
Kryeministri britanik Boris Johnson pritet të vizitojë Ukrainën të martën dhe të hënën ai pritet të flasë me Presidentin Putin, për t’i bërë thirrje “të tërhiqet” nga planet që ka për Ukrainën, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit britanik. Kryeministri Johson ka thënë se po shqyrton mundësinë e dërgimit të qindra ushtarëve britanikë në vendet e NATO-s në rajonin e Baltikut.
Uashingtoni merr përgjigje me shkrim nga Rusia lidhur me propozimet mbi Ukrainën
Shtetet e Bashkuara kanë marrë një përgjigje me shkrim nga Rusia pasi Uashingtoni iu përgjigj me shkrim javën e kaluar kërkesave të Moskës lidhur me ngërçin e krijuar mbi Ukrainën. Lajmi u bë i ditur të hënën nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
"Mund të konfirmojmë se kemi marrë një përgjigje me shkrim nga Rusia. Do të ishte joproduktive ta diskutonim atë në publik. Do t'ia lëmë Rusisë të vendosë nëse do ta diskutojë përgjigjen e saj", tha zëdhënësi.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj dialogut për të trajtuar këto çështje dhe do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë Ukrainën”, shtoi më tej ai.
Rusi-SHBA, debat i ashpër në OKB mbi Ukrainën. Përgjigjja vjen pas debatesh të nxehta mes palëve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Rusia akuzoi Perëndimin të hënën për "rritje të tensioneve" mbi Ukrainën dhe tha se Shtetet e Bashkuara kishin sjellë "nazistët e pastër" në pushtet në Kiev, ndërsa Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi një debat të stuhishëm dhe luftarak mbi grumbullimin e trupave të Moskës pranë fqinjit të saj jugor.
Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield u kundërpërgjigj duke thënë se forca ushtarake në rritje e Rusisë prej më shumë se 100,000 trupash përgjatë kufijve të Ukrainës ishte "mobilizimi më i madh" në Evropë në dekada, duke shtuar se ka patur një rritje të sulmeve kibernetike dhe të dezinformimit nga ana e Rusisë.
“Ata po përpiqen, pa asnjë bazë faktike, të përshkruajnë Ukrainën dhe vendet perëndimore si agresorë për të sajuar një pretekst për sulm,” tha ajo.
Shkëmbimet e ashpra në Këshillin e Sigurimit erdhën pasi Moska humbi një përpjekje për të bllokuar takimin që gjë reflektoi hendekun midis dy fuqive bërthamore. Ishte seanca e parë e hapur ku të gjithë protagonistët e krizës në Ukrainë folën publikisht, edhe pse organi më i fuqishëm i OKB-së nuk ndërmori asnjë veprim.
Edhe pse këtë javë pritet më shumë diplomaci e nivelit të lartë, bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë deri më tani nuk kanë arritur të ulin tensionet, me Perëndimin që thotë se Moska po përgatitet për një pushtim. Rusia mohon se ka kërkuar që NATO-ja të premtojë se kurrë nuk do të lejojë Ukrainën të bashkohet me aleancën, të ndalojë vendosjen e armëve të NATO-s pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.
Ambasadori rus Vassily Nebenzia akuzoi administratën Biden për “rritje të tensioneve dhe retorikës dhe provokim të përshkallëzimit”.
"Ti thuajse po kërkon që kjo të ndodh", tha ai, duke parë nga ambasadorja Thomas-Greenfield. “Ju dëshironi që të ndodhë. Ju jeni duke pritur që kjo të ndodhë, sikur doni që fjalët tuaja të bëhen realitet."
Ai fajësoi Shtetet e Bashkuara për rrëzimin nga pushteti të një presidenti mik të Kremlinit në Kiev në vitin 2014, duke thënë se kjo solli në pushtet “nacionalistët, radikalët, rusofobët dhe nazistët e pastër” dhe krijoi antagonizmin që ekziston midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Nëse ata nuk do ta kishin bërë këtë, atëherë ne deri më sot do të jetonim në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë,” tha ambasadori Nebenzia. “Megjithatë, disa në Perëndim thjesht nuk e pëlqejnë këtë skenar pozitiv. Ajo që po ndodh sot është një përpjekje tjetër për të krijuar një nyjë mes Rusisë dhe Ukrainës”.
Ambasadori Nebenzia u largua menjëherë nga salla ndërsa ambasadori ukrainas filloi të fliste, duke ia lënë vendin zëvendësit të tij. Votimi për mbajtjen e një takimi të hapur u miratua 10-2, ku Rusia dhe Kina kundërshtuan ndërsa India, Gaboni dhe Kenia abstenuan. Nëntë vota ishin të nevojshme për t'u miratuar hapjen e takimit.
Presidenti Biden tha në një deklaratë se takimi ishte "një hap kritik në bashkimin e botës për të folur me një zë" për të refuzuar përdorimin e forcës, për të kërkuar uljen e përshkallëzimit ushtarak, për të mbështetur diplomacinë dhe për të kërkuar përgjegjësi nga çdo anëtar "për tu përmbajtur nga agresioni ushtarak kundër fqinjëve të tij.”
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken nuk bënë ndonjë përparim të dukshëm në zbutjen e tensioneve në takimin e tyre në Gjenevë në fillim të këtij muaji. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse ata pritet të flasin me telefon të martën. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit konfirmoi njoftimin.
Presidenti Biden paralajmëroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një telefonatë të enjten se ekziston një "mundësi e veçantë" që Rusia mund të fillojë një inkursion në shkurt, por udhëheqësi ukrainas u përpoq të minimizonte frikën e luftës.
Zoti Zelenskyy tha të premten se "ne nuk po shohim ndonjë përshkallëzim më të madh se më parë" dhe theksoi se grumbullimi rus mund të jetë një përpjekje e Moskës për të ushtruar "presion psikologjik" dhe për të mbjellë panik.
Putini i kujton perendimorëve doktrinën ushtarake ukrainase
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë injoruar kërkesat kryesore të Rusisë mbi sigurinë, por shtoi se Moska është ende e hapur për më shumë bisedime me Perëndimin për uljen e tensioneve rreth Ukrainës.
Zoti Putin argumentoi se është e mundur të negociohet një përfundim i ngërçit nëse merren parasysh interesat e të gjitha palëve, duke përfshirë shqetësimet ruse mbi sigurinë.
Ai shprehu keqardhje për refuzimin nga Perëndimi të kërkesave të Kremlinit që NATO të mos pranojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë, të mos dislokojë armë pranë kufirit rus dhe do të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.
Kërkesat, të refuzuara nga NATO dhe SHBA, vijnë mes frikës se Rusia mund të pushtojë Ukrainën, nxitur nga grumbullimi i rreth 100,000 trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës. Bisedimet midis Rusisë dhe Perëndimit deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.
Udhëheqësi rus tha se refuzimi i aleatëve perëndimorë për të marrë parasysh kërkesat e Moskës është një shkelje e detyrimeve të tyre ndaj integritetit të sigurisë për të gjitha vendet dhe këmbënguli se një zgjidhje mund të gjendej përmes bisedimeve të mëtejshme.
Ai paralajmëroi se pranimi i Ukrainës në NATO mund të çojë në një situatë, ku autoritetet ukrainase mund të nisin një aksion ushtarak për të rimarrë Krimenë ose zonat e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit.
“Imagjinoni nëse Ukraina bëhet anëtare e NATO-s dhe nis operacionet ushtarake”, tha zoti Putin. “A duhet të luftojmë kundër NATO-s në atë rast? A ka menduar dikush për këtë?”
Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 pas rrëzimit të presidentit pro-rus në Kiev dhe më vonë mbështeti kryengritësit në zemrën industriale lindore të Ukrainës, duke shkaktuar një konflikt, në të cilin u vranë mbi 14,000 vetë.
Duke folur pas bisedimeve me kryeministrin hungarez Victor Orban në Kremlin, zoti Putin theksoi se është ende e mundur të gjendet një zgjidhje që do të merrte parasysh shqetësimet e secilës palë.
Ai tha se Presidenti francez Emmanuel Macron mund të vizitojë së shpejti Moskën si pjesë e përpjekjeve të rinovuara diplomatike pas bisedës së tyre telefonike të hënën.
Victor Orban, i cili ka krijuar lidhje të ngushta me zotin Putin, duke e vendosur Hungarinë, e cila është anëtare e NATO-s, në një pozicion unik, theksoi se asnjë udhëheqës evropian nuk dëshiron një luftë në rajon dhe shprehu shpresën për një zgjidhje. Udhëheqësi hungarez ka shmangur marrjen e një qëndrimi përfundimtar mbi grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës dhe disa nga kundërshtarët e tij në Budapest e kritikuan udhëtimin e tij në Moskë, duke e quajtur atë si një tradhti të interesave të Hungarisë dhe atyre të aleancave perëndimore.
Në përpjekje për të ushtruar presion mbi Perëndimin, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u ka dërguar një letër homologut të tij amerikan dhe atyre të vendeve të tjera perëndimore, në të cilën kërkon shpjegimet e tyre në lidhje me detyrimet e kaluara të nënshkruara nga të gjithë anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, një grupim transatlantik i sigurisë.
Rusia ka argumentuar se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ka dëmtuar sigurinë e Rusisë, duke shkelur parimin e ofrimit të sigurisë së barabartë për të gjitha kombet, pavarësisht nga angazhimet e tyre politike, ekonomike apo ideologjike, miratuar nga OSBE-ja në vitet 1999 dhe 2010.
Rusia i përgjigjet perëndimit me të njëjtën gjuhë: agresor dhe qeveria në Kiev një “qeveri kukull” që planifikon sulme me “flamur të rremë”
Kremlini po intensifikon një ofensivë dezinformimi që synon të demoralizojë Ukrainën dhe fuqitë perëndimore, duke përdorur transmetuesit shtetërorë rusë dhe personel në platformat e mediave sociale për të portretizuar Perëndimin si agresor dhe qeverinë në Kiev si një “qeveri kukull” të NATO-s, thonë zyrtarët perëndimorë dhe ekspertë të luftës së informacionit.
Mesazhet e frikshme në ditët e fundit kanë përfshirë pretendimet se forcat speciale ukrainase po planifikojnë të nisin të ashtuquajturat sulme me "flamur të rremë" në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore për të justifikuar veprimin ushtarak të NATO-s dhe se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të sulmojnë Rusinë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të kësaj jave në Kinë.
Mesazhi thelbësor është se NATO dhe Kievi paraqesin një kërcënim të madh për Rusinë, thonë ata.
Moska ka zhvilluar një fushatë të sofistikuar dhe të shumëanshme të luftës informative kundër Ukrainës që nga viti 2014, kur një kryengritje popullore rrëzoi presidentin ukrainas Viktor Yanukovych, një aleat i udhëheqësit rus Vladimir Putin. Menjëherë pas rrëzimit të zotit Yanukovych përmes revolucionit me ngjyra, për të cilin Moska fajësoi Perëndimin, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe pushtoi një pjesë të Donbasit, fillimisht duke përdorur përfaqësues të armatosur.
Udhëheqësit perëndimorë kanë frikë se zoti Putin është i përgatitur të pushtojë Ukrainën nëse nuk arrin të sigurojë lëshimet që dëshiron nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, të cilat në fakt do të krijonin për Rusinë një sferë ndikimi të ngjashme me epokën sovjetike në të gjithë Evropën Lindore. Ndër kërkesat kryesore të presidentit Putin është ofrimi i një garancie se NATO nuk do të zgjerohet kurrë drejt lindjes. Zyrtarët rusë mohojnë se kanë ndonjë qëllim për të pushtuar fqinjin e tyre, pavarësisht grumbullimit masiv ushtarak të paprecedentë përgjatë kufijve të Ukrainës. Ata akuzojnë fuqitë perëndimore se kanë shkaktuar alarm.
“Rrahjet e daulleve të propagandës së Kremlinit po bëhen gjithashtu dukshëm më të forta”, thotë Yevhen Fedchenko, bashkëthemelues i faqes së internetit që merret me kontrollimin e fakteve StopFake.org, e cila monitoron dezinformimin rus.
"Gjatë tetë viteve të fundit, Moska ka qenë në gjendje të dislokojë një arsenal mbresëlënës dhe në rritje të armëve të informacionit kundër Ukrainës", tha zoti Fedchenko në një shkrim për Këshillin Atlantik, një institucion studimor me seli në Shtetet e Bashkuara.
“Ky arsenal përfshinë shfrytëzimin e mjeteve të ndryshme, nga ushtritë e vogla që bëjnë komente në internet deri të mediat kryesore të financuara me fonde të mjaftueshme që kombinojnë vlerat e prodhimit të klasit botëror me një mungesë shpesh thuajse të plotë të etikës gazetareske. Çdo element individual i këtij arsenali vepron nën kontrollin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Kremlinit. Së bashku, ato përsërisin dhe përforcojnë të njëjtat mesazhe të kuruara me kujdes, të krijuara për të justifikuar ose mbështetur në mënyra të ndryshme luftën e pashpallur të Rusisë ndaj Ukrainës”, thotë ai.
Formimi i mesazhit
Analistë të tjerë thonë gjithashtu se Kremlini po bën përpjekje të forta për të kontrolluar rrëfimin mbi zhvillimet në Ukrainë dhe për të përshtatur mesazhe për rusët dhe audiencat kryesore jashtë Rusisë.
Tom Southern, drejtor i projekteve speciale në Qendrën për Qëndrueshmërinë e Informacionit (CIR), një organizatë jo-qeveritare me seli në Britani që ekspozon aktivitetet e dezinformimit, thotë se ka dy anë të luftës së informacionit të Kremlinit – “çfarë po dërgohet në Ukrainë dhe çfarë po prodhohet për Ukrainën”. Ai thotë se propagandistët e Kremlinit punojnë në një spektër të gjerë që përdor deklaratat zyrtare të qeverisë ruse të transmetuara nga mediat e saj të mirëfinancuara vendase dhe ndërkombëtare, por amplifikojnë mesazhet kryesore duke përdorur faqet e mediave sociale dhe aplikacionet e mesazheve si “Telegram”.
“Kjo përfshin mesazhin se Ukraina është një shtet i dështuar dhe revizionizmi historik i Ukrainës dhe NATO-s, si një provokim ndaj Rusisë apo ndaj popullatës rusishtfolëse në Ukrainë”, thotë ai. Një mesazh kyç si për audiencën vendase ruse ashtu edhe për ato ndërkombëtare është se NATO është agresori dhe ka shkelur premtimet e bëra pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik për mos zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
Udhëheqësi rus e ka theksuar shpesh këtë pretendim për NATO-n, duke akuzuar fuqitë perëndimore se kanë përfituar nga një Rusi e dobësuar dhe e çorientuar ndërsa Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej. Dhe mashtrimi i supozuar i Perëndimit dhe shkelja e një zotimi solemn për të mos u zgjeruar, ka qenë një komponent i rëndësishëm në mesazhin e politikës së jashtme të Putinit, i cili e paraqet Rusinë si viktimë dhe palë të dëmtuar. Ky mesazh kyç po transmetohet në të gjitha mediat e kontrolluara nga Rusia dhe në platformat e mediave sociale, thonë ekspertët e dezinformimit.
Historianë të njohur me këtë çështje thonë se asnjë fushatë e tillë zyrtare nuk është ndërmarrë ndonjëherë. Në vitin 2014, ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev tha në një intervistë se "Tema e 'zgjerimit të NATO-s' nuk ishte diskutuar fare" gjatë bisedimeve të tij me udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara.
Këtë vit, prodhimi i propagandës nga Kremlini është rritur në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, thotë Taras Shevchenko, zëvendësministër i kulturës dhe politikës së informacionit në Ukrainë. Faqet zyrtare internetit në Rusi janë shtytësit kryesorë, por teknologjia përdoret nga Kremlini për të "qarkulluar përmbajtje të dëmshme, armiqësore" dhe për të përhapur dezinformata, thotë ai. Zoti Shevchenko thotë se mesazhi dominues i Rusisë përfshin tre elemente kyçe: Ukraina është një shtet i dështuar, Rusia është paqësore dhe Perëndimi dëshiron luftë.
Transmetuesit perëndimorë janë ankuar në javët e fundit se mediat ruse të kontrolluara nga shteti kanë keqpërdorur raportet dhe pamjet e tyre duke i ndryshuar me komente të krijuara për të ndihmuar në formimin e mesazhit se Perëndimi po përgatitet për një sulm.
Ky është një variant i asaj që ekspertët e dezinformatave e quajnë “pastrim informacioni” – duke përdorur burime perëndimore për të minuar argumentet perëndimore, shpesh duke intervistuar “ekspertë” që janë në linjë me Moskën, por që kanë prejardhje të dyshimtë.
Qendra Mediatike e Krizave në Ukrainë, një organzatë jo-qeveritare që merr fonde edhe nga Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar se Kremlini po kërkon të nxisë tensionet me akuza të vazhdueshme se Ukraina po "përgatit provokime". Kjo organizatë thotë se një shembull i kësaj përpjekjeje ishte një pretendim i fundit se Ukraina dhe NATO po planifikonin të fillonin një operacion klandestin të koduar "Shpata Dërrmuese" që do të përdorte pamje të rreme të agresionit rus dhe do ta përdorte atë si një pretekst për të sulmuar Rusinë.
SHBA dërgon 3 mijë trupa në Evropën Lindore mes bllokimit të bisedimeve për krizën në kufirin Ukrainë-Rusi
Presidenti Joe Biden ka urdhëruar dërgimin e 2,000 trupave amerikane nga një bazë në SHBA tek bazat e NATO-s në Poloni dhe transferimin e 1,000 trupave të tjera amerikane nga Gjermania në Rumani, duke demonstruar si para aleatëve ashtu edhe armiqve angazhimin e Amerikës ndaj krahut lindor të NATO-s mes frikës së një pushtimi rus të Ukrainës, tha Pentagoni të mërkurën.
Rusia u përgjigj me një kundërshtim të ashpër, duke e quajtur vendimin për dislokimin e trupave amerikane të pabazë dhe "shkatërrues".
Presidenti rus Vladimir Putin pati gjithashtu një shkëmbim të ri telefonik me kryeministrin britanik Boris Johnson. Por, deklaratat e lëshuara nga zyrat e këtyre dy udhëheqësve nuk dhanë shenja të arritjes së një përparimi. Sipas tyre, zoti Putin ka thënë se Perëndimi nuk po tregon asnjë përfillje për shqetësimet e Rusisë për sigurinë dhe zoti Johnson ka shprehur shqetësim të thellë për "aktivitetin armiqësor" të Rusisë në kufirin ukrainas, duke përmendur grumbullimin e mbi 100,000 trupave ruse atje.
Administrata e Presidentit Biden synon të demonstrojë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara pa minuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën. Presidenti Biden qëllimisht nuk ka dërguar përforcime ushtarake në tre vendet baltike në krahun lindor të NATO-s, në Estoni, Letoni dhe Lituani, të cilat kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik. Asnjë ushtar amerikan nuk po dërgohet në Ukrainë dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha të mërkurën se administrata nuk e konsideron më rrezik "të menjëhershëm" pushtimin rust ë Ukrainës, sepse kjo shprehje do të nënkuptonte që Uashingtoni e di se zoti Putin ka marrë një vendim për të pushtuar fqinjin e tij. Zyrtarët thonë se qëllimet e presidentit Putinit mbeten të paqarta.
Megjithatë, rritja e nivelit të trupave amerikane në Evropën Lindore është pikërisht ajo që zoti Putin ka thënë se e sheh si të patolerueshme, së bashku me perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë disa mijëra trupa në Poloni dhe në Rumani është instaluar një sistem i mbrojtjes raketore i NATO-s që Rusia e konsideron si një kërcënim ndaj sigurisë së saj. Prania e Shteteve të Bashkuara në rajon është rritur që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi një pjesë të Ukrainës.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se forcat amerikane që do të vendosen së shpejti në Evropën Lindore synojnë të forcojnë përkohësisht pozicionet mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
"Këto nuk janë lëvizje të përhershme", tha ai, duke theksuar se qëllimi është të qetësohen aleatët. Zoti Kirby tha se Rusia po vazhdonte grumbullimin e trupave afër kufirit me Ukrainën, madje edhe në 24 orët e mëparshme, pavarësisht nga thirrjet e Shteteve të Bashkuara për uljen e tensioneve.
Në Moskë, një zyrtar i lartë tha se lëvizjet e Shteteve të Bashkuara do ta komplikojnë krizën.
"Hapat e pabazë shkatërrues vetëm sa do të nxisin tensionet ushtarake dhe do të ngushtojnë fushën e marrjes së vendimeve politike", tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko në komentet e transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve “Interfax”.
Nga 2,000 trupat amerikane që do të dislokohen në Evropë nga baza Fort Bragg në Karolinën e Veriut, rreth 1,700 janë pjesë e brigadës së këmbësorisë të Divizionit të 82-të Ajror, të cilët do të shkojnë në Poloni. 300 trupa të tjera janë nga Korpusi i 18-të Ajror dhe do të shkojnë në Gjermani. Rreth 1,000 trupa që ndodhen në Gjermani do të dërgohen në Rumani.
Pentagoni tha se nuk përjashtonte dërgimin e trupave të tjera, përveç atyre të njoftuara të mërkurën.
"Është e rëndësishme që t'i dërgojmë një sinjal të fortë zotit Putin dhe botës se NATO-ja është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët tanë", tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby në një konferencë shtypi.
Me dislokimin e këtyre trupave si edhe vendosjen e 8,500 trupave në gatishmëri të lartë muajin e kaluar për t’u dërguar në Evropë nëse është e nevojshme, Shetet e Bashkuara synojnë të qetësojnë aleatët e NATO-s përballë grumbullimit të mbi 100, 000 trupave ruse pranë Ukrainës.
Uashingtoni ka thënë se nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë për ta mbrojtur atë nga një sulm rus, por do të vendosë sanksione financiare mbi Moskën dhe do të dërgojë armë për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen.
Rusia, që vazhdon të jetë furnizuesi kryesor i Evropës me energji pavarësisht se është nën sanksionet e SHBA-ve dhe BE-së, që nga aneksimi i Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, e minimizoi rëndësinë e sanksioneve shtesë duke e quajtur një kërcënim bosh.
Uashingtoni në dijeni se Rusia do të përdorë sulme të fabrikuara për të pushtuar Ukrainën
Shtetet e Bashkuara kanë informacion që sinjalizon se Rusia ka hartuar një plan për të fabrikuar një sulm fals ushtarak nga Ukraina në territorin rus dhe do ta përdorë këtë si pretekst për të sulmuar Ukrainën, tha një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden.
Zyrtarët amerikanë të zbulimit thonë se fabrikimi i një videoje për një sulm të tillë është një nga disa opsione që Kremlini po përgatit për t'i dhënë pretekstin për të pushtuar Ukrainën, tha zyrtari.
"Videoja do të publikohet për të vënë në dukje rrezikun ndaj sigurisë së Rusisë dhe për të mbështetur operacionet ushtarake", tha zyrtari, i cili kërkoi të mbetet anonim.
"Kjo video, nëse do të qarkullohet, mund t'i ofrojë Putinit shkëndijën që i duhet për të filluar dhe për të justifikuar operacionet ushtarake ndaj Ukrainës", tha zyrtari.
Zyrtari tha se administrata e Presidentit Biden po i bën të ditura detajet e planeve të mundshme të Rusisë me qëllimin për ta dekurajuar Rusinë nga zbatimi i tyre. Në një intervistë të enjten me kanalin MSNBC, Zv.Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jonathan Finer, tha se "nuk e dimë me siguri se do të ndjekin këtë rrugë, por e dimë se ky është një ndër opsionet që po shqyrtojnë".
NATO mirëpret trupa të tjera amerikane
Administrata e Presidentit Biden i bëri të ditura këto të dhëna të zbulimit pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mirëpriti të enjten planet e Shteteve të Bashkuara për të vendosur më shumë forca në Evropë dhe tha se NATO po shqyrton dërgimin e formacioneve të tjera luftarake në pjesën jugore të aleancës mes tensioneve përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.
Forcat shtesë, pjesë e Divizionit të 82-të Parashutist, "nuk do të luftojnë në Ukrainë" në rast të një pushtimi nga Rusia, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Ai shtoi se ky dislokim i përkohshëm synon të japë sinjalin e qartë se qëndrojmë së bashku me NATO-n dhe saktësoi se ky dislokim është veçmas 8500 forcave të tjera amerikane të vendosura në gjendje të lartë gatishmërie për një dërgim të mundshëm drejt Evropës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u tha gazetarëve se ndërsa NATO po përgatitet për mundësinë që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake, NATO vazhdon të jetë e gatshme për t'u angazhuar "në një dialog domethënës" dhe për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën.
"NATO vazhdon t'i bëjë thirrje Rusisë të ulë tensionet. Çdo agresion i mëtejshëm rus do të kishte pasoja të ashpra dhe do të mbarte një çmim të rëndë", tha zoti Stoltenberg.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të enjten se dislokimi amerikan po ngre tensionet në rajon.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera aleate perëndimore kanë përgatitur vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë me shpresën se mund ta bindin Presidentin rus Vladimir Putin të tërheqë mbi 100 mijë forca që Rusia ka vendosur pranë kufirit me Ukrainën. Rusia ka mohuar të ketë plane për pushtim.
Zoti Stoltenberg tha të enjten se ka patur "një lëvizje domethënëse të forcave ushtarake ruse drejt Bjellorusisë", vendin fqinj në veri të Ukrainës, ku po marrin pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake që filluan të enjten. Stërvitjet ishin planifikuar fillimisht të zhvilloheshin më vonë gjatë këtij muaji.
"Ky është dislokimi më i madh rus atje që nga Lufta e Ftohtë", tha zoti Stoltenberg, duke përllogaritur se janë rreth 30 mijë forca, avionë luftarakë dhe sisteme raketash.
Rusia nuk ka bërë të ditur se sa forca apo paisje ushtarake ka të vendosura në Bjellorusi.
Në stërvitjet e së enjtes, të cilat zoti Stoltenberg tha se do të vazhdojnë deri më 20 shkurt, pati edhe shkëmbim zjarri me municion luftarak, siç duket në pamjet e qarkulluara nga ministri bjellorus i mbrojtjes. Në pamje duken edhe avionë në qiell dhe tanke që godasin dhe manovrojnë.
Stërvitjet u ndoqën nga Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, i cili mbërriti në Minsk të enjten, dhe u takua gjithashtu me Presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.
Gjatë takimit, zoti Lukashenko tha se "jemi të detyruar të forcojmë kufirin tonë me Ukrainën". Ai vuri në dukje se stërvitjet, të planifikuara fillimisht për t'u zhvilluar gjatë periudhës 10-20 shkurt, u realizuan më herët pasi forcat ruse, bjelloruse dhe të vendeve të tyre aleate ishin dislokuar për të ulur trazirat në Kazakistan dhe e përmbushën misionin e tyre atje "shumë shpejt".
Por, zoti Stoltenberg tha të enjten se NATO është e gatshme të bisedojë me Rusinë për marrëdhënien mes dy palëve, si dhe për uljen e rrezikut, rritjen e transparencës dhe kontrollin e armëve.
BE planifikon përgjigje, tregon mbështetje për Ukrainën
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të enjten se BE-ja po planifikon një përgjigje për letrat e dërguara nga Rusia më herët këtë javë drejtuar disa vendeve anëtare të BE-së ku kërkon garanci sigurie.
Gjatë një vizite në Helsinki, zonja von der Leyen u tha gazetarëve se "jemi të bashkuar në Bashkimin Evropian dhe është e qartë se përgjigja do të reflektojë këtë unitet".
Në Kiev, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se mirëpret ofertën e Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për të ndërmjetësuar për krizën dhe për të organizuar negociatat për paqen. Komentet e zotit Zelenskiy u bënë pasi dy udhëheqësit nënshkruan një marrëveshje për tregtinë e lirë dhe disa marrëveshje të tjera, gjatë takimit në Kiev.
Zoti Erdogan kishte sugjeruar më herët se Turqia, një vend anëtar i NATO-s që mban gjithashtu marrëdhënie të mira me Rusinë, mund të luante rolin e ndërmjetësit.
"Dua ta falenderoj Presidentin Erdogan për iniciativën e tij për t'u bërë ndërmjetës midis Ukrainës dhe Rusisë në përpjekje për t'i dhënë fund luftës", tha zoti Zelenskiy.
Vizita e zotit Erdogan në Ukrainë është më e fundit nga disa vizita në Kiev nga udhëheqës botërorë dhe diplomatë për të treguar mbështetjen për Ukrainën dhe në përpjekje për të mbështetur një zgjidhje paqësore të krizës.
Putini dhe Shija i përgjigjen perëndimit me një marrëveshje tjetër ndërsa nxisin Nato-n të përjashtojë ekspansionin
Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping u takuan të premten përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin, në një shfaqje uniteti mes marrëdhëniesh gjithnjë e më të tensionuara me Shtetet e Bashkuara.
Agjencia zyrtare ruse e lajmeve ‘Tass’ bëri të ditur se zoti Putin vlerësoi karakterin vërtet të pashembullt të marrëdhënieve Kinë-Rusi, një marrëdhënie dinjitoze, që ndihmon këto dy vende të zhvillohen, sikurse tha ai. Presidenti Putin njoftoi një marrëveshje të re për të siguruar 10 miliardë metër kub gaz në vit për Kinën. Zyrtarët rusë kanë thënë se të dy udhëheqësit mund të nënshkruajnë më shumë se 15 marrëveshje gjatë vizitës.
Në vitin 2021, palët arritën një rekord prej 146 miliardë dollarësh në shkëmbime tregtare dypalëshe. Zoti Putin i tha zotit Xi të premten se ai është i bindur se tregtia mes dy vendeve së shpejti mund të arrijë në 200 miliardë dollarë.
Ky është takimi i parë i zotit Xi ballë për ballë me një udhëheqës botëror pas më shumë se një viti. Sipas mediave shtetërore kineze, Presidenti kinez i tha zotit Putin se takimi do t’i japë më shumë vitalitet marrëdhënie mes dy vendeve.
Pavarësisht mungesës së një aleance formale mes tyre, Rusia dhe Kina janë afruar edhe më shumë në vitet e fundit teksa punojnë për të kundërshtuar ndikimin e SHBA-ve.
Kina ka qenë më e zëshme në mbështetjen e Rusisë, edhe pse Moska ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke rritur frikën e një konflikti.
Analistët thonë se bashkëpunimi Rusi-Kinë mund ta bëjë më të vështirë për Shtetet e Bashkuara që të ndëshkojnë Moskën me sanksione ose që të ndërmarrin masa të tjera, në rast të një pushtimi rus të Ukrainës. Përpara udhëtimit, zyrtarët rusë thanë se të dy qeveritë po punojnë për të krijuar një marrëdhënie ekonomike që do të garantojë mbrojtje nga sanksionet e vendosura nga vendet e tjera.
Një rritje e armiqësisë SHBA-Rusi mund të largonte gjithashtu vëmendjen e Presidentit Joe Biden nga Kina, një vend që ai e ka identifikuar si prioritetin e tij më të madh të politikës së jashtme.
Të dy krerët nënshkruan një qendrim të përbashkët ku bëhet thirrje ndaj perëndimit që të “braktisë qasjen ideologjike të luftës së ftohtë”. Ata i bënë thirrje Nato-s që të përjashtojë ekspansionin në Evropën lindore, denoncuan formimin e blloqeve të sigurisë në rajonin e paqësorit aziatik dhe kritikuan paktin trepalësh Aukus mes SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.
Ata u zotuan gjithashtu që të përshpejtojnë bashkëpunimin dhe të pengojnë “revolucionet me ngjyrë” dhe ndërhyrjet e jashtme dhe paralajmëruan thellimin e bashkërendimit strategjik.
“Palët kundërshtojnë ekspansionin e mëtejshëm të Nato-s, thërrasin aleancën atlantiko-veriore të braktisë qasjen e ideologjizuar të luftës së ftohtë, të respektojë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e vendeve të tjerë, veçoritë e larmishme të kulturave të tyre historike, dhe të trajtojë objektivisht dhe drejt zhvillimin e paqtë të shteteve të tjerë”, citon mes te tjerash dokumenti.
Shtëpia e Bardhë minimizon rëndësinë e takimit Putin-Xi
Shtëpia e Bardhë nuk i dha shumë rëndësi një takimi të premten mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, ku dy udhëheqësit shpalosën një aleancë strategjike të orientuar kundër Shteteve të Bashkuara.
"Ne mund të kontrollojmë marrëdhëniet tona dhe mbrojtjen e vlerave tona, si edhe përpiqemi të gjejmë mënyra për të punuar me vendet edhe kur nuk jemi dakord me ta," u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Në takim, presidenti Xi mbështeti kërkesat e homologut të tij rus, Putin që t’i jepet fund zgjerimit të NATO-s dhe për të marrë garanci sigurie nga Perëndimi, çështje që kanë rezultuar në një ngërç mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj lidhur me Ukrainën. Ndërkohë Moska shprehu mbështetjen e saj për qëndrimin e Pekinit se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës.
Dy udhëheqësit u takuan në Pekin të premten pasdite, sipas televizionit shtetëror të Kinës CCTV, disa orë përpara fillimit të Lojëave Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat u bojkotuan nga diplomatë të Shteteve të Bashkuara, Britania dhe vende të tjera për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Presidentët Xi dhe Putin, të cilët janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara për politikat e tyre të jashtme dhe të brendshme, lëshuan një deklaratë të përbashkët duke nënvizuar pakënaqësinë e tyre me "ndërhyrjen në punët e brendshme" të vendeve të tjera.
Deklarata e përbashkët shpalli një "miqësi" të re strategjike Kinë-Rusi që "nuk ka kufij" dhe të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat. Stacie Goddard, Profesore e Shkencave Politike në Kolegjin Wellesley, thotë se shpallja e aleancës strategjike ka për qëllim t’i kundërpërgjigjet idesë se Moska dhe Pekini po veprojnë në mënyrë agresive ndaj Ukrainës dhe Tajvanit, duke pretenduar se përkundrazi janë Shtetet e Bashkuara që po ndërhyjnë në sferat e tyre të influencës.
"Ata po thonë se janë Shtetet e Bashkuara që po përpiqen të ndryshojnë status quo-në," i tha prof. Goddard Zërit të Amerikës. "Ata po e portretizojnë veten si vende që po i bëjnë ballë agresivitetit të Shteteve të Bashkuara."
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pati një bisedë telefonike të premten me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba për të diskutuar mbi grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.
Ai rikonfirmoi "mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e Ukrainës" dhe bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të "imponojnë pasoja të shpejta dhe të rënda ndaj Rusisë nëse ajo zgjedh të përshkallëzojë" situatën, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.
Zoti Blinken u takua gjithashtu të premten me ministrin e jashtëm polak Zbigniew Rau në Uashington për bisedime dypalëshe. Në fillim të takimit, ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe falënderoi Poloninë për rolin e saj udhëheqës në krahun lindor të NATO-s.
"Ne preferojmë që Rusia të zgjedhë rrugën e diplomacisë dhe dialogut, por nëse nuk e bën një gjë të tillë, ne jemi plotësisht të përgatitur për skenarin e kundërt", tha ai.
Letra e Kremlinit shihet si sinjal shprese nga perëndimi
Javën e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja hodhën poshtë kërkesat e sigurisë të Kremlinit në lidhje me Ukrainën, frika e një sulmi të afërt rus kundër Kievit u rrit.
Por në vend që të dërgonte blindat brenda territorit ukrainas, mes rritjes së shqetësimeve nga Perëndimi, Moska ‘bombardoi’ kryeqytetet perëndimore me letra diplomatike ku citonte një marrëveshje ndërkombëtare të cilën Kremlini e sheh si një argument të fortë lidhur me qëndrimin e tij në përballje.
Pavarësisht se Presidenti Vladimir Putin tha një muaj më parë se dëshironte një përgjigje të shpejtë ndaj kërkesave ruse dhe paralajmëroi se Moksa nuk do të pranonte “bisedime boshe”, në fillim të javës ai shfaqi një gatishmëri të dukshme për më shumë bisedime me Uashingtonin dhe NATO-n.
Ky lloj qëndrimi po ofron një farë shprese. Faktin se bisedimet vazhdojnë, disa e ekspertë e shohin me optimizëm, por thonë se duhet treguar kujdes. Ish-diplomati amerikan Jeff Rathke, president i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane në Universitetin Johns Hopkins, thotë se pavarësisht retorikës së zotit Putin, ai ka lënë të hapur mundësinë për të diskutuar në detaje për të paktën disa çështje ku Perëndimi ka qënë i gatshëm të angazhohet.
“Jemi pak a shumë aty ku kemi qënë disa javë më parë. Putini u ka lënë shteg të hapur alternativave të tij. Ai nuk ka përjashtuar bisedimet por gjithashtu nuk ka zbutur retorikën e tij të ashpër.”
Ekziston një hendek i thellë mes Rusisë dhe Perëndimit kur flitet për çështjet kritike dhe vazhdon të jetë e paqartë se mund të arrihet një kompromis. Por vënia e theksit tek diplomacia, nga ana e Kremlinit, duket se reflekton aspiratat e Presidentit Putin për të arritur synimet e tij përmes negociatave duke përdorur dislokimin e trupave për të ushtruar trysni.
Fyodor Lukyanov, i cili drejton Këshillin për Politikat e Jashtme dhe Mbrojtëse me qendër në Moskë dhe ndjek nga afër politikën e Kremlinit, thotë se ekziston një farë shprese.
“Rusia do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të ashpër duke lënë të kuptohet se nuk po u mbyll derën bisedimeve. Marrëveshje të tilla komplekse nuk arrihen lehtësisht. Ndaj po përdoren të gjitha metodat e bindjes, përfshirë demonstrimin e forcës.”
Rusia vazhdon të thotë se nuk ka plane të sulmojë fqinjin e saj, por kërkon që NATO-ja të ndalojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike dhe të zotohet që të mos vendosë armë atje. Kremlini gjithashtu dëshiron që NATO-ja të tërheqë trupat dhe pajisjet e dislokuara në Evropën Lindore.
Perëndimi i hodhi menjëherë poshtë kërkesat gjatë një serie bisedimesh muajin e kaluar. Por Moska kërkoi një përgjigje me shkrim, duke nxitur dyshimet se donte një refuzim zyrtar të kërkesave të saj për t'u përdorur si argument për dërgimin e trupave në Ukrainë.
Uashingtoni dhe Brukseli i dorëzuan Moskës përgjigjen e tyre më 26 janar, duke përjashtuar çdo kërkesë themelore të Rusisë, por duke mbajtur hapur mundësinë për bisedime për çështje të tjera. Mes tyre janë edhe kufizimet për dislokimin e raketave sulmuese, transparenca më e madhe për manovrat ushtarake dhe masa të tjera për ndërtimin e besimit.
Deri më tani, Presidenti Putin nuk ka dhënë përgjigjen e tij ndaj propozimeve të Perëndimit, por diplomatët rusë kanë paralajmëruar se do të jetë e vështirë të arrihet ndonjë përparim për këto çështje nëse Perëndimi vazhdon të kundërshtojë kërkesat kryesore të Moskës.
Bllokimi ka nxitur frikën e përplasjeve të afërta dhe në një telefonatë javën e kaluar, Presidenti Joe Biden e paralajmëroi presidentin e Ukrainës se ekzistonte një "mundësi e qartë" që Rusia ta pushtonte atë vend në shkurt.
Duket se për momentin Moska ka zgjedhur një rrugë diplomatike dhe ditët e fundit zyrtarët amerikanë e kanë zbutur retorikën e tyre lidhur me kohët se kur mund të ndërhyjë Rusia. Por Uashingtoni nuk është tërhequr nga urgjenca e shqetësimeve të tij.
Një javë më parë, kryediplomati rus Sergej Lavrov u dërgoi letra të reja homologëve të tij perëndimorë, duke kundërshtuar argumentin e NATO-s se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë aleancat. Ai tha se zgjerimi i aleancës bie ndesh me detyrimet e saj për të mos forcuar sigurinë në kurriz të Rusisë.
Zoti Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë zotuar të respektojnë dispozitat e sigurisë në bazë të dokumentave të nënshkruara në samitet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, dega kryesore transatlantike për sigurinë.
“Duhet të ketë siguri për të gjithë ose nuk do të ketë siguri për askënd”, shkruan në letrën e tij kryediplomati Lavrov, duke vënë në dukje se ministria e tij do të presë përgjigjet zyrtare përpara se të këshillojë Presidentin Putin për lëvizjet e ardhshme.
Shkëmbimi i letrave mund të çojë në një fazë për një seri të gjatë argumentash enigmatikë rreth interpretimeve kontradiktore të dokumenteve të OSBE-së ndërsa Presidenti Putin ka shprehur gatishmërinë për diskutime të tilla.
Në komentet e tij të para publike që nga thellimi i tensioneve për Ukrainën, udhëheqësi rus vuri në dukje të martën se ndërsa Perëndimi refuzon kërkesat kryesore të Rusisë, përpjekjet diplomatike duhet të vazhdojnë. “Shpresoj që përfundimisht do të gjejmë një zgjidhje, megjithëse e kuptojmë se nuk do të jetë e lehtë”, tha Presidenti Putin.
Toni i qetë i zotit Putin bie në kontrast me deklaratën e tij të dhjetorit kur kërkonte një përgjigje të shpejtë perëndimore dhe se mund të urdhëronte "masa ushtarako-teknike" të paspecifikuara nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj vazhdojnë të mospërfillin shqetësimet e Moskës.
Gjatë komenteve të kësaj jave, Presidenti Putin nuk përmendi asnjë masë të tillë, duke thënë se, “ne duhet të gjejmë një mënyrë për të garantuar interesat dhe sigurinë e të gjitha palëve, duke përfshirë Ukrainën, vendet evropiane dhe Rusinë”.
Përveç bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, Rusia gjithashtu u angazhua në negociata të veçanta për një marrëveshje të ngecur paqeje të vitit 2015 për Ukrainën lindore. Një takim katërpalësh në Paris midis të dërguarve presidencialë nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania nuk solli përparim të menjëhershëm, por ata do të takohen përsëri në Berlin këtë muaj.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka folur tre herë me Presidentin Putin që nga e premtja e kaluar, do të vizitojë Moskën dhe Kievin të hënën dhe të martën në një përpjekje për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu do të shkojë në Ukrainë dhe Rusi më 14 dhe 15 shkurt
Fyodor Lukyanov, i cili drejton Këshillin për Politikat e Jashtme dhe Mbrojtëse me qendër në Moskë, thotë se Rusia ka të ngjarë të vazhdojë të tregojë muskujt e saj ushtarakë për të demonstruar vendosmërinë. Ai vuri në dukje se Rusia mund ta përballojë lehtësisht mbajtjen e trupave pranë Ukrainës për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojë një seri stërvitjesh për të mbajtur trysninë ndaj Perëndimit.
“Trupat mund të lëvizin pa probleme dhe kostro të lirë, brenda fondeve të përcaktuara për manorvra ushtarake”.
Stërvitjet përfshijnë manovra të përbashkëta luftarake gjithëpërfshirëse me aleaten e Rusisë, Bjellorusinë, e cila kufizohet në veri me Ukrainën. Zoti Lukyanov parashikon se Rusia mund të forcojë më tej lidhjet e saj me Bjellorusinë në fushën e mbrojtjes.
Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili është afruar më shumë me Moskën pasi u godit nga sanksionet perëndimore pas shtypjes së kundërshtarëve politikë, i ka ofruar Kremlinit që Bjellorusia të bëhet strehë e armëve bërthamore ruse.
"Bjellorusia do të jetë një element i rëndësishëm në lojë," tha zoti Lukyanov.
Erdogani acaron Moskën me marrëveshjet ushtarake me Ukrainën
Vizita e Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Ukrainë të enjten thelloi bashkëpunimin e industrive të mbrojtjes të dy vendeve. Forcimi i marrëdhënieve është pritur me kritika nga Moska, ndërkohë që forcat ruse vazhdojnë të grumbullohen pranë kufirit ukrainas. Pasi nënshkroi tetë marrëveshje me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy deklaroi se industritë e mbrojtjes dhe të aviacionit shërbyen si nxitja kryesore për këtë partneritet strategjik mes dy vendeve.
Gjatë vizitës së zotit Erdogan në Kiev, u shpreh angazhimi për të zgjeruar prodhimin e droneve turke në Ukrainë dhe për të ngritur një qendër trajnimi të pilotëve të dronëve dhe një fabrikë. Moska ka kritikuar me forcë shitjen nga Ankaraja të droneve turke për Ukrainën, të cilat u përdorën në tetor kundër rebelëve të mbështetur nga Rusia në rajonin Donbas. Por Asli Aydintasbas, studiues me Këshillin Evropian, thotë se edhe Turqia fiton së tepërmi nga thellimi i marrëdhënies me Ukrainën.
"Turqia i shet drone Ukrainës. Kjo është e vërtetë, megjithë rrezikun se ndonjëherë mund të zemërojë Vladimir Putinin", tha zoti Aydintasbas. "Por tashmë ajo përfiton edhe njohuri shumë domethënëse nga industria ukrainase e mbrojtjes, në veçanti për prodhimin e motorëve. Kjo është diçka që i mungon industrisë shumë ambicioze të mbrojtjes së Turqisë, ndërkohë që Ukraina ishte një bazë e rëndësishme prodhimi gjatë epokës sovjetike".
Ukraina është ndër vendet kryesore në botë për prodhimin e motorëve ushtarakë që përdoren për dronët, avionët reaktivë dhe për raketat, një trashëgimi kjo e kohës kur Ukraina ishte pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, thotë Petro Burkovskiy, studiues në Fondacionin për Iniciativat Demokratike në Kiev. Zoti Burkovskiy thotë se qasja tek kjo ekspertizë është vendosur në epiqendër të përplasjes mes fuqive ndërkombëtare.
"Kemi një fabrikë shumë të madhe, e cila gjatë epokës sovjetike dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, prodhonte motorë. Kinezët u përpoqën ta blinin këtë fabrikë dhe kontrata u pezullua nga Ukraina, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kundërshtuan pasi kjo do të rriste aftësitë ushtarake të Kinës", thotë zoti Burkovskiy. "Po kjo fabrikë është pjesë kyçe e partneritetit Turqi-Ukrainë për të prodhuar drone dhe për të siguruar furnizimin me motorë për këto drone".
Turqisë gjithashtu i nevojitet ekspertiza për të prodhuar avionët e saj luftarakë dhe dronët me motorë reaktivë. Një marrëveshje e rëndësishme Turqi-Pakistan për helikopterët ushtarakë dështoi rishtazi pasi Uashingtoni ka vendosur kufizime për përdorimin e motorëve amerikanë. Analisti i mbrojtjes Arda Mevlutoglu thotë se Ankaraja e shikon Ukrainën si një alternativë thelbësore përkundër furnitorëve perëndimorë të produkteve ushtarake.
"Turqia përpiqet të diversifikojë burimet e saj pasi tradicionalisht kompanitë prodhuese të mbrojtjes në Turqi kanë hasur në probleme për të siguruar teknologjinë dhe komponentët nga vendet perëndimore", tha zoti Mevlutoglu. "Prandaj këta faktorë e bëjnë Ukrainën një alternativë shumë të rëndësishme, krahasuar me kompanitë prodhuese në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara".
Thellimi i bashkëpunimit të Turqisë me industrinë ukrainase të mbrojtjes vazhdon të marrë kritika nga Rusia. Për momentin sidoqoftë, Ankaraja duket se është e gatshme të paguajë një çmim të tillë për të arritur qasjen tek ekspertiza ukrainase.
Makroni në Moskë, Sholci në Uashington
Presidenti francez Emmanuel Macron është duke u takuar sot (7 shkurt) në Moskë me Presidentin Vladimir Putin, në përpjekje për të parandaluar rrezikun e një pushtimi të Ukrainës. Ai i tha homologut të tij rus, Vladimir Putin se Evropës dhe Azisë i duhet një përgjigje "e dobishme" për t'i dhënë fund ngërçit në Ukrainë.
"Një përgjigje e dobishme do të thotë një përgjigje që na mundëson të shmangim luftën dhe të ngremë struktura besimi dhe stabiliteti", i tha zoti Macron zotit Putin gjatë takimit në Kremlin për krizën në Ukrainë. Megjithatë, Kremlini tha paraprakisht se nuk pret një zgjidhje të menjëhershme të ngërçit me Perëndimin.
"Situata është tepër komplekse për të pritur një arritje vendimtare gjatë një takimi të vetëm", u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. "Gjatë ditëve të fundit, nuk ka patur asgjë të re për çështjen e garancive të sigurisë për Rusinë", tha zoti Peskov. "Bashkëbiseduesit tanë perëndimorë preferojnë mos ta përmendin këtë temë".
Përpara se të largohej nga Parisi, zoti Macron i the gazetës Le Journal du Dimanche, se "duhet të jemi shumë realistë. Nuk do të përftojmë gjeste unilaterale, por është thelbësore të parandalojmë një përkeqësim të situatës, përpara se të kemi krijuar mekanizma dhe gjeste reciproke mirëbesimi". Pas takimit me zotin Putin, Presidenti francez do të jetë të martën në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas.
Ndërkaq në Uashington, Presidenti amerikan Joe Biden po takohet në Shtëpinë e Bardhë me Kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ky është takimi i tyre i parë në person, që kur zoti Scholz mori detyrën në muajin dhjetor. Bisedimet e tyre do të përqëndrohen gjithashtu tek ulja e tensioneve në Evropën Lindore dhe tek parandalimi i një pushtimi të Ukrainës nga Rusia.
Qëndrimet e zotit Macron dallojnë dukshëm nga mënyra se si administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e karakterizon grumbullimin ushtarak të Moskës dhe rrezikun e një sulmi rus. Një pushtim rus i Ukrainës "mund të ndodhë në çdo kohë", tha të dielën Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Ne besojmë se rusët kanë ngritur mundësitë për të kryer një operacion të rëndësishëm ushtarak në Ukrainë dhe ne kemi punuar shumë për të përgatitur një përgjigje”, tha zoti Sullivan në emisionin “Meet the Press” të NBC. Sullivan dhe zyrtarë të tjerë amerikanë vlerësojnë se Komentet e zotit Sullivan vijnë pas dy zyrtarë amerikanë thanë se Rusia ka grumbulluar të paktën 70 për qind të forcave të saj ushtarake të nevojshme për një pushtim.
Pretendimi i presidentit Macron se negociatat e tij me Rusinë do të parandalojnë një konflikt ushtarak, shkaktoi përçmim të rivalëve të tij politikë në Francë. Disa komentatorë dhe analistë, paralajmëruan se ai po vinte në rrezik besueshmërinë e tij si negociator, duke tërhequr vërejtjen se përpjekjet e tij që nga viti 2017 për t'u marrë vesh me udhëheqësin rus, kanë dështuar.
Franca do të mbajë zgjedhjet presidenciale në muajin prill dhe kundërshtarët e presidentit Macron e akuzuan atë se po përpiqet të shfrytëzojë politikën e jashtme, në përpjekje për të rritur shpresat e tij për t’u rizgjedhur. Gjuha e presidentit Macron "e bën nervoze pjesën tjetër të Evropës”, thotë analisti i politikës së jashtme, Ulrich Speck, një bashkëpunëtor në Fondin Gjerman Marshall.
Presidenti Macron ka kërkuar ruajtjen e lidhjeve me Rusinë, me gjithë aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014. Në librin e tij të fushatës së vitit 2017, "Revolucioni", presidenti Macron shkroi se “do të ishte gabim të shkëputeshin lidhjet me këtë fuqi të Evropës Lindore (për shkak të Krimesë) në vend që të krijonim një marrëdhënie të qëndrueshme".
Menjëherë pas marrjes së detyrës, ai e priti presidentin rus Putin në Versajë mes bisedave për uljen e tensioneve, por, takimi nuk shkoi sipas planit dhe nuk pati një bisedë kokë më kokë. Presidenti Macron kritikoi Rusinë për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet perëndimore duke përhapur lajme të rreme, dezinformata dhe gënjeshtra. Ai foli për "linja shumë të qarta" të sjelljes.
Dy vjet më vonë, presidenti francez u përpoq sërish për një zbutje. kur priti presidentin Putin në rezidencën verore të presidentit francez. në Riviera.
Në një fjalim, ai paralajmëroi se Evropa është gjetur në mes të një Lufte të re të Ftohtë, duke thënë se “nuk është në interesin tonë të ndjehemi të dobët dhe fajtorë, të harrojmë të gjitha mosmarrëveshjet tona dhe të përqafojmë përsëri njëri-tjetrin, (por) kontinenti evropian, nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm, nuk do të jetë kurrë i sigurt, nëse nuk i qetësojmë dhe nuk i sqarojmë marrëdhëniet tona me Rusinë”.
Macron është mëdyshur në të kaluarën gjithashtu, për të vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë së Vladimir Putinit. Disa kritikë të presidentit Macron, thonë se përpjekjet e tij për të rivendosur marrëdhëniet me Moskën, kanë të bëjnë me ambiciet e tij personale dhe synojnë të rrisin rolin e tij në çështjet ndërkombëtare më shumë se çdo gjë tjetër.
Ashtu si udhëheqësi ikonë i Francës pas Luftës së Dytë Botërore, gjenerali Charles de Gaulle, presidenti Macron e sheh Francën si një "fuqi balancuese" midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Përpjekjet e tij diplomatike alarmojnë disa nga aleatët evropianë të Francës, veçanërisht fqinjët e afërt të Rusisë.
Politikanët polakë e kanë akuzuar atë për injorim të faktit se Rusia nuk ka ndryshuar me të vërtetë synimet e saj ekspansioniste dhe janë të shqetësuar se përpjekjet e presidentit Macron si ndërmjetës midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, do të bëjnë që evropianët të jenë të ‘baraslarguar’ midis Moskës dhe Uashingtonit.
Muajin e kaluar, në një fjalim në Parlamentin Evropian, presidenti Macron bëri thirrje që Bashkimi Evropian të zhvilloje bisedimet e veta me Kremlinin dhe tha se blloku duhet të negociojë një pakt sigurie dhe stabiliteti me Rusinë. Disa udhëheqës Evropës Qendrore dhe vendeve baltike, thanë se komentet e tij ishin të gabuara dhe rrezikonin të inkurajonin Kremlinin të përpiqej të nxiste SHBA-në dhe BE-në, kundër njëri-tjetrit.
Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Britania, kanë paralajmëruar se një pushtim i plotë rus i Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm, si pjesë e një përpjekjeje për të rivendosur një sferë të ndikimit rus në Evropën Lindore dhe Qendrore.
Rusia kërkon që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s dhe thotë se prania ushtarake e NATO-s duhet të hiqet nga shtetet ish-komuniste të Evropës Lindore, që i janë bashkuar aleancës perëndimore. Zyrtarët e NATO-s thonë se vendet duhet të jenë të lira të vendosin nëse do t'i bashkohen aleancës.
Në intervistën e tij me gazetën, Le Journal de Dimanche, presidenti Macron foli sërish për një marrëveshje të re evropiane të sigurisë, duke thënë se ndërsa "siguria dhe sovraniteti i Ukrainës ose i ndonjë shteti tjetër evropian, nuk mund të jetë subjekt kompromisi”, është “gjithashtu e ligjshme që Rusia të shtrojë çështjen e sigurisë së saj”.
“Ne duhet të mbrojmë vëllezërit tanë evropianë duke propozuar një ekuilibër të ri të aftë për të ruajtur sovranitetin dhe paqen e tyre. Kjo duhet bërë duke respektuar Rusinë dhe duke kuptuar traumat bashkëkohore të këtij populli dhe kombi të madh”, tha ai.
Justyna Gotkowska e Qendrës për Studime Lindore, një grup kërkimor me seli në Varshavë, shtron pyetjen se kush e ka mandatuar presidentin Macron të flas për një sistem të ri të sigurisë evropiane.
“Çfarë legjitimiteti ka Macroni për ta propozuar këtë? Evropianët nuk kanë rënë dakord në NATO dhe në OSBE për një “ekuilibër të ri”, përkundrazi”, shkroi ajo.
Zyrtarët francezë thonë se udhëtimi i presidentit Macron është bashkërenduar plotësisht me aleatët perëndimorë dhe i thanë agjencisë së lajmeve, Reuters, se Pallati Élysée ka mësuar nga gabimet e së kaluarës për t’u siguruar që të gjithë aleatët e BE-së dhe NATO-s të mbahen plotësisht të informuar për bisedimet e zoti Macron me presidentin Putin”.
Ulrich Speck, i fondit gjerman Marshall, tha se do të kishte qenë më mirë nëse presidenti Macron do të ishte shoqëruar nga udhëheqës të tjerë perëndimorë në udhëtimin e tij në Moskë. “Do ta bënte Evropën të duket shumë më e fortë dhe do të sigurohej që të ketë një mesazh të bashkuar”, shkroi ai.
Blinken: SHBA e angazhuar të ndihmojë Evropën për t’u furnizuar me energji
Shtetet e Bashkuara thonë se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar Evropën për t’u furnizuar me energji në kushtet e shqetësimeve mbi furnizimet nga Rusia dhe krizën e lidhur me Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit e shprehu këtë angazhim të hënën, gjatë takimit të Këshillit SHBA-BE për energjinë në Uashington.
Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me qeveri dhe prodhues gazi në gjithë botën për burime shtesë energjie për Evropën.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell tha se Rusia nuk ka hezituar të përdorë furnizimet me gaz për Evropën si armë për përfitime politike.
Ai shtoi se “duhet të dërgojmë një mesazh të fortë dhe të tregojmë vendosmëri për të konsoliduar sigurinë energjitike për Evropën dhe fqinjët tanë në Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor”.
Më herët Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja po krijon një partneritet për sigurinë energjitike me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për shtimin e furnizimeve të tyre për Evropën.
Përshkallëzimi i tensioneve mes Perëndimit dhe Moskës lidhur me Ukrainën ka ngjallur shqetësime për furnizimin me gaz rus të Evropës. Çmimet janë rritur në nivele rekord muajt e fundit, mes të tjerash për shkak të uljes së sasisë së importeve nga Rusia.
Rezervat e gazit në Evropë janë rreth 10% më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit. Gazprom ka thënë se po përmbush të gjitha kontratat afatgjata, por është akuzuar nga zyrtarët e BE-së dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë se po dërgon sasi të pamjaftueshme gazi në Evropë në mes të krizës për Ukrainën.
Zonja Von der Leyen tha se është "e çuditshme" që Gazpromi nuk ka rritur furnizimin me gaz të Evropës, pavarësisht çmimeve rekord dhe kërkesës së lartë.
"Ka shenja në rritje se Kremlini po vazhdon të përdorë furnizimin me gaz si mjet presioni politik," tha ajo.
Rusia mbulon rreth 40% të nevojave të gazit të BE-së. Pasojat e mundshme në sasinë e furnizimin nëse Rusia pushton Ukrainën kanë nxitur BE-në të rrisë importin nga vende të tjera.
Zyrtarët e lartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara do të takohen në Uashington të hënën për bisedime lidhur me mundësinë e furnizimit me gaz natyror të lëngshëm (GNL). BE-ja po bën gjithashtu negociata me Katarin dhe Azerbajxhanin.
BE-ja ka thënë se infrastruktura e saj e magazinimit dhe aftësia për të importuar më shumë GNL duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë vendet nga pasojat e rënda të mungesës së gazit, por analistët thonë se ndërprerja e plotë e furnizimit nga Rusia do të sillte nevojën e masave urgjente, si për shembull mbylljen e disa fabrikave.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Von der Leyen tha se çmimet e gazit mund të vazhdojnë të mbeten të larta. Shumica e vendeve të BE-së kanë zbatuar lehtësime në taksa, subvencione dhe masa të tjera për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e faturave në përgjigje të rritjes së fundit të çmimeve.
"Nuk përjashtohet mundësia që çmimet e gazit të mbeten të larta për një kohë të gjatë," tha ajo.
Çfarë dihet rreth frikës së fillimit të një lufte mes Rusisë dhe Ukrainës?
Shenja të një Lufte të Ftohtë u ndjenë përsëri mbi Evropën Lindore të premten, me manovrat dhe stërvitjet ushtarake ruse pranë Ukrainës dhe paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës brenda disa ditësh.
Diplomatët dhe udhëheqës të qeverive, ndërkohë, u ndeshën me vështirësi në përpjekjet për të rifilluar bisedimet e bllokuara për të shmangur fillimin e një lufte të hapur.
Ja një vështrim mbi arsyet që kanë rritur frikën e fillimit të një lufte:
PARALAJMËRIME TË FORTA NGA SHTËPIA E BARDHË
Shtëpia e Bardhë tha se ende nuk e dinte nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një vendim për të pushtuar, por tha se Putini ka grumbulluar të gjithë elementët për ta bërë këtë shpejt dhe u kërkoi amerikanëve në Ukrainë që të largoheshin brenda 48 orëve të ardhshme.
Shumë analistë besonin se një pushtim i Ukrainës nuk kishte gjasa të fillonte deri më 20 shkurt, pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Kinë. Retorika e shtuar e Shteteve të Bashkuarae pasoi informacionet e reja të inteligjencës që tregojnë një rritje tjetër të numrit të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.
"Ne nuk mund ta përcaktojmë tani ditën dhe orën e fillimit të një sulmi, por kjo është shumë më e mundur të ndodh në çdo moment", tha këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan.
Sipas një zyrtari amerikan të njohur me gjetjet, Shtetet e Bashkuara morën informacione të inteligjencës, sipas të cilave Rusia po e shikon të mërkurën si një datë të mundshme të fillimit të një sulmi. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe e bëri këtë vetëm në kushte anonimiteti, nuk pranoi të thoshte se sa përfundimtare ishin informacionet e inteligjencës.
Në një demonstrim të përkushtimit amerikan ndaj aleatëve të NATO-s, Pentagoni njoftoi dërgimin e 3,000 trupave të tjera luftarake në Poloni për t'u bashkuar me 1,700 ushtarët amerikanë që tashmë ndodhen atje, tha të premten një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të diskutojnë me telefon për krizën në kufirin Ukrainë-Rusi të shtunën. Disa aleatë të NATO-s, përfshirë Britaninë, Norvegjinë dhe Danimarkën, po u kërkojnë gjithashtu qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina.
PËRGATITJET DHE POZICIONIMET
Në portin rumun të Konstancës, në brigjet e Detit të Zi, zhurma e madhe nga dislokimi i pajisjeve të rënda ushtarake të Shteteve të Bashkuara po thyen heshtjen dhe qetësinë, shenja se përforcimet dhe 1000 trupa të tjera amerikane po vendosen në një bazë ajrore atje. Ky është një tjetër tregues i përforcimit me pajisje të rënda në zonat strategjike rreth Detit të Zi, ku Rusia, Ukraina dhe tre aleatë të NATO-s kanë baza ushtarake.
“Nga kjo zonë në rajonin e Detit të Zi, deri në Baltik, aleatët po përfocojnë praninë e NATO-s në këtë kohë kritike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg nga Konstanca. Fqinji i Rumanisë, Bullgaria do të mirëpresë gjithashtu avionët spanjollë, që do të shtojnë më tej praninë e fuqishme të aleancës në rajon.
Në ujërat e Detit të Zi, anijet luftarake të flotës baltike dhe veriore të Rusisë mbërritën në Gjirin e Sevastopolit në Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014. Anije të tjera po u bashkohen forcave të ngjashme luftarake që janë pjesë e flotës ruse të Detit të Zi, duke rritur aftësinë e saj të zbarkimit amfib.
Moska ka njoftuar stërvitje gjithëpërfshirëse në Detin e Zi dhe Detin Azov në ditët në vijim dhe ka mbyllur zona të mëdha të transportit tregtar, duke nxitur një reagim të fortë nga Ukraina.
Në kufirin verior të Ukrainës, Rusia dhe aleati i saj Bjellorusia kanë filluar manovrat 10 ditore ushtarake, ku do të përdoret municion real.
“Ekziston rreziku për një pushtim të plotë”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, por ai shtoi se edhe kërcënime të tjera janë të pranishme, “përfshirë përpjekjet për të rrëzuar qeverinë në Kiev”.
PËR MOMENTIN TANKET KANË ZËVENDËSUAR BISEDIMET
Pavarësisht nga përpjekjet e mëdha diplomatike në Evropë, në të cilat u përfshinë edhe udhëheqës të lartë, rezultatet kanë qenë shumë të pakta, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të presin, e të shohin se cila palë do të bëjë lëshime e para.
Lajmi i vetëm pak pozitiv të premten dukej se doli nga Moska, ku sekretari britanik i mbrojtjes Ben Wallace tha se kishte patur një diskutim "konstruktiv dhe të sinqertë" me homologun rus Sergei Shoigu.
“Dëgjova qartë nga qeveria ruse se nuk kishin ndërmend të pushtonin Ukrainën”, tha Wallace për gazetarët në Moskë. Ai shtoi: “Ne do ta gjykojmë atë deklaratë në bazë të provave në terren”.
Bisedimet në Berlin midis Ukrainës dhe Rusisë, të cilave iu bashkuan Franca dhe Gjermania, në fillim shtuan shpresat për njëfarë përparimi pasi ato zgjatën deri në mëngjesin e së premtes, por në fund, ato nuk sollën rezultate të rëndësishme.
"Për fat të keq, gati nëntë orë bisedime kanë përfunduar pa ndonjë rezultat të rëndësishëm", tha zëvendës shefi i shtabit rus Dmitry Kozak. Mbeti e paqartë se kur dhe si do të bëhej përpjekja e radhës për një përparim.
Një marrëveshje paqeje e vitit 2015 e ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania ndihmoi në ndërprerjen e luftimeve në shkallë të gjerë në Ukrainën lindore midis forcave qeveritare dhe kryengritësve të mbështetur nga Rusia, por përleshjet e rregullta në shkallë më të ulët kanë vazhduar. Kremlini ka akuzuar Kievin për sabotim të marrëveshjes dhe zyrtarët ukrainas argumentuan javët e fundit se zbatimi i saj i njëanshëm do ta dëmtonte vendin.
Në anën tjetër të botës, në Melburn të Australisë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken nuk dha shenja optimizmi. "Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme për të angazhuar Rusinë, për të marrë në shqyrtim shqetësimet që ajo ka ngritur, për të ndarë shqetësimet tona dhe ato të partnerëve dhe aleatëve tanë evropianë", tha ai. Por vazhdon të ketë një hendek të madh me Moskën.
“Thjesht, ne vazhdojmë të shohim shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit rus, duke përfshirë arritjen e forcave të reja në kufirin ukrainas. Dhe siç thamë më parë, ne jemi në një periudhë të caktuar kur pushtimi mund të fillojë në çdo kohë", tha Sekretari Blinken.
Më vonë të premten, Presidenti Biden bisedoi me një numër udhëheqësish evropianë për të nënvizuar shqetësimet e ngritura nga inteligjenca amerikane në lidhje me mundësinë e fillimit të një pushtimi rus të Ukrainës në ditët e ardhshme. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan tha se udhëheqësit perëndimorë ishin plotësisht të bashkuar dhe do t'i përgjigjeshin ashpër një pushtimi rus me sanksione shkatërruese ekonomike dhe tregtare.
Përditësuar kryesisht me raportet e Voa-s
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 499 reads



