Putini fshikulloi SHBA-në si kurrë më parë, nënshkroi pavarësinë e Donbasit dhe bëri “shahmat”
Putini me vendimin e tij bëri një tjetër “shahmat” ndaj perëndimit meqënse tani detyron Ukrainën të sulmojë e para dhe “asgjëson” përdorimin e “flamurit të rremë” të cilin e këshillojnë shumë në perëndim ndërsa sanksionet do të dëmtojnë më shumë BE-në dhe kryesisht Gjermaninë dhe Italinë se sa Rusinë dhe nëse sanksionohet gazi rus fitimtarja më e madhe del SHBA-ja: sepse asgjeson konkurrentin e gazit të saj në BE dhe siguron monopolin e tij.
Ylli Përmeti
21/02/2022 - 09:21
Kur sulmet ishin shtuar dhe pala ruse kishte larguar përqindjen më të madhe të popullit nga zona në konflikt dhe pritësh goditja e parë provokuese, ndërhyri Makroni dhe një herë duke thirrur në telefon Bajdenin, Putinin dhe Zelenskin. Sipas raportimeve, ai arriti të merrte miratimin e të gjitha palëve për të mbajtur një mbledhje në Elysee Palace lidhur me krizën në Ukrainë. Në parim të gjitha palët pranuan ndërsa Bajdeni shtoi se do të merrte pjesë vetëm nëse Rusia nuk pushtonte Ukrainën. Mbledhja që pritet të zhvillohet në 24 shkurt do të përgatitet nga ministritë e jashtme të palëve në konflikt.
Paralelisht ambasada amerikane në Moskë paralajmëroi qytetarët amerikanë për “sulme” ndaj hoteleve, stacioneve të metrove dhe vendeve të tjerë në qytetet kryesore të federatës ruse. SHBA-ja e lidhi pretendimin e saj me “burime mediatike” të papërcaktuar dhe u tha qytetarëve amerikanë të përgatisin “plane për largim” ndërsa ministria e jashtme ruse kërkoi sqarime për alarmin e Uashingtonit.
Sidoqoftë, gjatë të njëjtës ditë u zhvillua një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Rusisë e cila u përcoll drejtpërdrejt nga televizionet si kurrë më parë. Në të u diskutuan shumë çështje dhe disa nga drejtuesit e Donbasit i kërkuan edhe një herë Putinit të njohë pavarësisnë e tyre. Ai u tha atyre se një vendim do të merret sot. Si rezultat, media perëndimore brufulloi se ai do të nënshkruante pavarësinë e rajonit dhe pas saj do të pasonte lufta!
Ndërsa njoftoi Francën dhe Gjermaninë se do të nënshkruante një dekret duke njohur republikat e Donetskut dhe Luganskut “në të ardhmen e afërt” dhe Makroni dhe Sholci shprehën zhgënjimin e tyre Putini u shfaq rreth orës 19: 30 dhe filloi të përmendte disa nga dhimbjet kryesore të shekullit të kaluar lidhur me Bashkimin Sovjetik, Leninin dhe Stalinin. Ai kujtoi edhe një herë qendrimin e tij lidhur me Ukrainën dhe përshkroi shkatërrimin e saj ekonomik dhe shoqëror pas rënies së BS duke u përqendruar tek grushti i shtetit në vitin 2014, pas të cilit, sipas tij, qendrojnë amerikanët. Për të njëjtën arsye ai fshikulloi si kurrë më parë politikat amerikane në Ukrainë dhe i quajti qeveritarët e shtetit në fjalë si “koloni kokonash” të SHBA-ve. Duke marrë frymëmarrje të thella thuajse pas çdo fjalie, Putini tha që në fillim se vendimi për Ukrainën Lindore është tejet i vështirë.
Vendimi i tij ishte pasojë e drejtpërdrejt e dështimit të marrëveshjes të Minskut 2014, e cila u nënshkrua per t`i dhënë fund luftimeve. Ai qortoi ashpër “nacionalizmin ekstrem”, “nazizmin” dhe “rusofobinë e Ukrainës duke përmendur mbylljen e agjencive të lajmeve në gjuhën ruse, dhe ligje që diskrimonojnë folësit e gjuhës ruse ndërsa akuzoi Kievin se po dërgon sabotatorë për të prishur infrastrukturën ruse dhe përpiqet të “zvarrisë shtete të huaj në luftë me vendin tonë”. Ambicia e Ukrainës për t`u anëtarësuar në Nato, tha ai edhe një herë, do të thoshte një “kërcënim dhe sulm i menjëhershëm ndaj vendit tonë”.
Lidhur me lidhjen historike të Rusisë dhe Ukrainës Putini përsëriti edhe një herë bindjen e tij se “Ukraina nuk është thjesht një fqinj për ne por pjesë integrale e historisë sonë, kulturës, dhe botës shpirtërore” [të të njëjtit besim] duke përmendur se populli rus ka lidhje gjaku dhe familjare me të gjithashtu dhe miq, fqinj dhe shokë. Ai tha se Ukraina moderne është krijuar tërësisht nga Komunistët Bolshevikë të Rusisë: Lenini e krijoi atë në një mënyrë të trashë duke zvjerdhur territoret historike të Rusisë. Miliona njerëz që jetonin atje nuk u pyetën fare.
Që nga rënia e BS, Kievi ka braktisur rolin e tij në BS duke rrëzuar statuja të marksistëve kryesorë. Putini përsëriti edhe një herë qëllimin e Ukrainës për të zhvilluar armë bërthamore duke përmendur dhe ndihmën që mund të ketë nga Uashingtoni për këtë qëllim. Kjo deklaratë bëri që Uashingtoni të përgjigjësh se nuk “planifikon të dërgojë armë bërthamore në Kiev” duke këmbngulur se as Ukraina nuk i dëshiron ato, dhe duke shpërnjohur faktin se dy ditë përpara këtyre zhvillimeve, Zelenski kërkoi zhvillimin e armëve bërthamore në Mynih dhe për këtë qëllim kërkoi ndihmën perëndimore dhe veçanërisht amerikanen!
Ndërsa Putini nuk përmendi në ligjëratën e tij drejtuar popullit rus dergimin e trupave në rajonin e njohur si të pavaruar, as media ruse, Financial Times njoftoi se ai ka urdhëruar ushtrinë ruse të shkojë atje ndërsa më tej argumenton e njvjta gazetë se trupat ruse, në fakt, janë në rajon që nga viti 2014-15 por Moska e mohon këtë fakt të mbrojtuar me prova. Njësoj raportoi dhe Voa por duke sqaruar se “njohja e zonave të kontrolluara nga rebelët mund t`i hapë rrugën Moskës që të dërgojë hapur forca ushtarake në dy rajonet separatiste - Donetsk dhe Luhansk - dhe të argumentojë se po ndërhyn si aleat për t'i mbrojtur ato kundër Ukrainës”. Dhe njësoj njoftoi media jonë kombëtare duke shtrembëruar edhe një herë realitetin! Por qendrimi më gaztor ishte qendrimi i ministrit të shëndetësisë britanike: sipas tij “pushtimi tashmë ka filluar” dhe se Putini ka dërguar tanke dhe trupa ushtarake, duke u bazuar në raporte gazetash!
Si pasojë, Franca nxiti zhvillimin e një mbledhjeje në Këshillin e Sigurimit në OKB pas vendimit të Putinit dhe e dënoi sepse shkel sovranitetin e Ukrainës ndërsa Blinkeni e quajti aktin të “parashikueshëm dhe të turpshëm”. Zelenski nga Kievi e dënoi vendimin e Putinit dhe e quajti shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Si SHBA-ja ashtu dhe Britania dhe BE-ja njoftuan se po përgatisin sanksionet ndaj Rusisë.

Por është e qartë se Putini me vendimin e tij bëri një tjetër “shahmat” ndaj perëndimit meqënse tani detyron Ukrainën të sulmojë e para dhe “asgjëson” përdorimin e “flamurit të rremë” të cilin e këshillojnë shumë në perëndim ndërsa sanksionet do të dëmtojnë më shumë BE-në dhe kryesisht Gjermaninë dhe Italinë se sa Rusinë dhe nëse sanksionohet gazi rus fitimtarja më e madhe del SHBA-ja: sepse asgjeson konkurrentin e gazit të saj në BE dhe siguron monopolin e tij.
Dëftues është fakti se si Rusia ashtu dhe Amerika përdorin të njëjtin togfjalësh kur bëhet fjalë për “republika të pavarura” të cilat i “çlirojnë” ata: togfjalshin të “ashtuquajturat republika”! Rusia ka vite që e quan Kosovën “e ashtuquajtura republikë” e pavarur ndërsa tani erdhi radha e Amerikës të quajë republikat e njohura nga Rusia si të pavarura. Në fakt, zgjedhja e Rusisë për të njohur pavarësinë e Donbasit, sepse për ‘zgjedhje’ bëhet fjalë, ishte një dhuratë tjetër e Uashingtonit meqënse pengonte realizimin e marrëveshjes së Minskut!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 765 reads



