Vuçiçi kërcënon përshpejtimin e pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare me..
Nëse fillon pranimi i përshpejtuar i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Serbia do të befasojë me përgjigjen
Adil Fetahu
08/03/2022 - 11:07
“Nëse fillon pranimi i përshpejtuar i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Serbia do të befasojë me përgjigjen”! Kështu tha kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dje në konferencën për gazetarë, në Nish. Pas kësaj fjalie kërcënuese, në mënyrën e tij dhe gjoja për ta zbutur paksa kërcënimin, apo për të treguar se e kupton realitetin, shtoi:
“Atë ditë kur do ta pranojnë në cilëndo organizatë ndërkombëtare, kjo do të thotë se e kanë shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, dhe po atë ditë do të marrin vesh emrat e shteteve të cilët e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Konfliktin në Ukrainë shumëkush po e sheh, në situatën globale, si mundësi për ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe shumëkush po dëshiron pranimin e përshpejtuar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiçi.
***
Vuçiçi “paska harruar”, se me Marrëveshjen e Uashingtonit (dt. 4 shtator 2020), çështja e kërkesës së Kosovës për njohje të pavarësisë dhe për pranim në organizatat ndërkombëtare, dhe çështja e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjes, ishte pezulluar për një vit, dhe se afati i moratoriumit ka përfunduar më 4 shtator 2021. Në pikën 15 të Marrëveshjes ishte përcaktuar: “Kosova (Prishtina) pajtohet të zbatojë moratorium njëvjeçar për të mos kërkuar pranim dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) pajtohet me moratoriumin njëvjeçar për të mos zhvilluar fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe të përmbahet prej kërkesave formale ose joformale ndaj cilitdo komb (shtet,v.j.) apo orgnizatë ndërkombëtare për të mos e njohur Kosovën si shtet të pavarur”.
Vuçiçi poashtu “ka harruar” detyrimin e vet, të përcaktuar në pikën 16 të asaj Marrëveshje, në të cilën thuhet: “Serbia pajtohet që …deri më 1 korrik 2021, ta transferojë ambasadën në Jerusalem”.
Por Vuçiçi mos të harrojë se pas agresionit rus mbi Ukrainën, fuqia e Serbisë në fushatën e saj ndërkombëtare kundër Kosovës është zvogëluar dukshëm. Këto kërcënime kundër Kosovës mund t’i shërbejnë vetëm si fushatë para zgjedhjeve të 3 prillit, për mandatin e dytë të kryetrit të Serbisë, dhe këto mund të kenë efekt te pjesa e padijësuar mirë për gjendjen e krijuar ndërkombëtare.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 218 reads



