Dredhitë politiko-juridike të Beogradit për referendumin e vitit 1992 të shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Referendumi u mbajt në 71 vendvotime, nëpër shtëpi private e shkolla të fshatrave më larg qendrave
SHJ
17/03/2022 - 09:16
Ylli Përmeti: Pyetjes sime se nëse shqiptarët e viteve `92 në Luginën e Preshevës kishin kërkuar leje nga autoritetet qendrore të Beogradit për zhvillimin e një referendimi lidhur me dëshirën e popullit shqiptar atje se me cilët dëshironin të jetonin, çfarë parashikonte kushtetuta serbe dhe se nëse ishin përputhur me të, dëshimtari juridik i proceseve politike të kohës, Adil Fetahu përgjigjet përkitazi:
Referendumin e shpalli Kuvendi i përbashkët i tre komunave të asaj treve: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Kuptohet: delegatët shqiptare, 96 prej tyre që ishin të tre komunave. Leje nuk kërkuan, sepse ishte e ditur se, jo vetëm se nuk do ta lejonin organet e pushtetit të Serbisë por se do të ndërmerrin të gjitha masat për ta parandaluar atë.
Referendumi u mbajt në 71 vendvotime, nëpër shtëpi private e shkolla të fshatrave më larg qendrave. Kishte ndërhyerje të policisë, arrestime e keqtrajtime, dhe konfiskim të materialeve. Megjithatë, brenda dy ditëve (1 e 2 mars 1992), votuan 46,000 banorë të asaj ane, për autonomi politike-territoriale të Luginës së Preshevës, me të drejtë për t`u bashkuar me Kosovën. Nga organet më të larta të Serbisë, referendumi u quajt akt secesioni, që rrezikonte tërësinë territoriale dhe integritetin e Republikës së Serbisë.
Duhet pasur parasysh se referendumi u mbajt në kohën kur në Bosnje dhe Kroaci zhvillohej lufta, kurse Kosova ishte e pushtuar tërësisht nga regjimi i Serbisë, prej 5 korrikut 1990.
Kushtetuta e dhunshme e Serbisë, e miratuar me 28 shtator 1990, me të cilën krahinat autonome (Kosova dhe Vojvodina) u zhveshën nga çdo atribut i shtetësisë dhe u suprimuan kushtetutat e krahinave, duke suprimuar Kuvendin, Qeverine, gjykatat, dhe prokuroritë e krahinave. Ajo Kushtetutë nuk përmbante dispozita për referendum popullor, përveç referendumit në nivel të komunave, për çështjet me interes për qytetarët e komunës (neni 116 par. 2. i Kushtetutës së Serbisë (1990): “Për punët e komunës, qytetarët vendosin në referendum dhe përmes perfaqësuesve të tyre në kuvendin e komunës”.
Mirëpo, referendumin e mbajtur ne Luginën e Preshevës, organet e Serbisë e panë në optikën e dispozitës së nenit 44 par. 2, të asaj Kushtetute, në të cilën thuhet: “Ndalohet veprimi që ka për qëllim ndryshimin e dhunshëm (sic) të rendit kushtetues, të tërësisë territoriale, të integritetit dhe të pavarësisë së Republikës së Serbise”.
Natyrisht, mosrespektimi i vullnetit të popullit të shprehur në referendumin e marsit të vitit 1992, presioni dhe represioni i regjimit të Serbisë mbi atë popullatë, çoi te kryengritja e vitit 2001 dhe luftën e UCPMB-se, e cila nuk i solli popullit të asaj ane asnjë të mirë, por i solli represion të shtuar, emigrimin dhe çregjistrimin e adresave të qytetareve të larguar (emigruar) jashtë Luginës.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 120 reads



