...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

G-7 refuzon të paguajë në rubla – Rusia përgjigjet: ndërpritet gazi për Evropën

Gjykuar nga fakti se Rusia ka rezervat më të mëdha në gaz dhe në naftë është e teta dhe me një sipërfaqe tokësore të paeksploruar mjaftueshëm, dhe me SHBA-në të qendrojë shumë vende pas saj, lëvizja është në dobi të devizës ruse...

Ylli Përmeti

23/03/2022 - 17:11

Ditën kur Shtëpia e Bardhë njoftoi se Bajdeni do të vizitonte Brukselin për të takuar partnerët e Nato-s (për të diskutuar përshtatje afatgjatë të pranisë së saj në krahun lindor të Evropës dhe për veprime të përbashkëta për mbështetjen e sigurisë energjitike të rajonit, duke ulur varësinë ndaj gazit rus) dhe të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Evropian dhe G7 për të bashkërenduar me aleatët perëndimorë fazën tjetër të ndihmës ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën dhe bashkë me ta të shtrëngojë sanksionet aktuale dhe t`i përshkallëzojë ato me të reja ndaj Rusisë, kjo e fundit kundërveproi duke gotidur në dy fronte njëherësh: si fillim njoftoi se do të ndalonte për më shumë se dy muaj tubacionin kryesor të naftës, CPC, të Kaspikut, që shtrihet nga qendra e Azisë deri në Detin e Zi, për shkak se duhet të riparohet nga dëme të shkaktuar nga stuhitë.

Si rezultat, çmimet ndërkombëtare të naftës u rritën menjëherë me më shumë se 2 për qind në 117 dollarë fuçia. Tubacioni, i cili ka një shtrirje prej 1,500 km, nga fusha e naftës e Tengizit në Kazakistanin perëndimor deri në portin e Novorosiskut në bregdetin e Detit të Zi të Rusisë, përfshin naftë të prodhuar nga dy naftënxjerrëse të mëdha amerikane, Chevron dhe ExxonMobil, dhe naftë ruse, e cila ushqen tubacionin nga fusha naftënxjerrëse përgjatë tij. Nxënësia tërësore e tubacionit është rreth 1.4 milionë fuçi në ditë ― ose rreth 2.5 për qind të tregut botëror detar dhe përllogaritet për rreth dy të tretat e eksporteve të naftës së Kazakistanit, duke e bërë atë një arterie jetike për ekonominë e tij. Rusia është aksionerja më e madhe e tubacionit me 24 për qind të tyre; pas saj vjen Chevron dhe Exxon me 15 dhe 7 për qind ndërsa pjesa tjetër zotërohet nga aksionerë të tjerë.

Pas kësaj goditje, Putini njoftoi një vendim të paralajmëruar një javë më parë (kur tha se tani e tutje perendimi do të humbasë mbizotërimin e tij botëror politikisht dhe ekonomikisht) që godet fortë dollarin amerikan dhe kthen rublën ruse në devizën e “artë” botërore: “Si SHBA-të, ashtu edhe BE-ja nuk kanë përmbushur në parim detyrimet e tyre ndaj Rusisë. Dhe tani të gjithë në botë e dinë se detyrimet në dollarë dhe euro mund të mos përmbushen. Duke u nisur nga ky fakt, është fare e qartë se eksporti ynë në BE dhe SHBA dhe kryerja e pagesës në dollarë ose euro nuk ka më kuptim për ne. Prandaj, kam vendosur të zbatoj, në kohën më të shkurtër të mundshme, një sërë masash për të transferuar në rubla ruse pagesat për gazin tonë natyror të eksportuar në vendet jomiqësore”, tha Putini.

Ai sqaroi se Rusia planifikon të braktisë gjithë devizat e “kompromentuara” në marrëveshje pagesash ndërsa shtoi se ngrirja e aseteve ruse në perëndim shkatërroi gjithë besimin e devizave të tyre. Si rezultat, rubla u rrit në vlerë kundrejt dollarit, pas rrënimit të saj që kur filluan operacionet ushtarake ruse dhe sanksionet e reja perëndimore, gjithashtu dhe çmimi i gazit, nga 97 në 118.5 dollarë, rreth 20 dollarë më shumë, për 1 MWh.

Eksportet ruse të gazit nuk janë ndikuar nga sanksionet perëndimore por thuajse gjithë kontratat blerëse emërtohen në euro ose dollarë amerikanë, fakt që i bën eksportet përkatëse një objektiv të mundshëm. Kështuqë nëse Rusia paguhet në rubla ajo mund t`u shmanget sanksioneve mbi gazin. Kjo masë do të zbatohet vetëm ndaj vendeve te shpallur “jomiqësor” dhe ngaqë Evropa ―varet nga gazi rus më shumë se 40% ― nuk ble dot gaz në rubla, Rusia lejon bankën qendrore për të shitur rubla kundrejt blerësve të gazit ose mund ta blejnë devizën ruse në tregun botëror ndërsa këshillohet që qeveritë të ruajnë rubla në bankat qendrore dhe t`i përdorin në nevojë.   

Pas këtyre njoftimeve, kreu i Nato-s njoftoi se krerët e Nato-s po përgatiteshin t`i dërgonin pajisje ushtarake Ukrainës për t`u mbrojtur nga armët kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore. Kjo ndihmë nënkupton faktin se perëndimi do të vazhdojë të propagandojë argumentin se ngaqë ushtria ruse është e dobët krahasuar me ushtrinë ukrainase, ajo mund të përdorë armë kimike dhe bërthamore. Nënkupton, gjithashtu, faktin se lufta do të zgjasë shumë. Këtë fakt e theksoi dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë përpara se të nisej Bajdeni për në Evropë: “Kjo luftë nuk do të mbarojë lehtë dhe shpejtë”, tha ai, duke shtuar se udhëtimi i Bajdenit do të synojë të sigurojë aleatët evropianë të vazhdojnë të jenë të bashkuar duke dërguar “një kumpt të fuqishëm se ne jemi gati dhe të angazhuar për këtë [luftë] për sa kohë që ajo zgjat”.       

Ndërsa arsyeja ruse për ndalimin e tubacionit të naftës mund të jetë jetë e vërtetë ajo prapëseprapë godet tregun botëror dhe dëmton më shumë perëndimin. Por goditja më e fortë vjen nga kthesa e madhe e Rusisë: braktisjen e dollarit në shkëmbime tregëtare për sektorin e energjitikës ruse dhe zëvendësimin e tij me rublën. Këtë qëllim Rusia e ka patur vitet e fundit por asnjë herë nuk guxoi ta vinte në jetë. Ndoshta ngaqë kishte frikë për efektet.

Sidoqoftë, gjykuar nga fakti se Rusia ka rezervat më të mëdha në gaz dhe në naftë është e teta dhe me një sipërfaqe tokësore të paeksploruar mjaftueshëm, dhe me SHBA-në të qendrojë shumë vende pas saj, lëvizja është në dobi të devizës ruse. Moska, madje, ka filluar të besojë se rubla do të jetë “deviza e artë botërore” duke zëvendësuar dollarin amerikan dhe gërryer “peshën” euron: pikërisht sepse ajo mbështetet në gazin rus siç është mbështetur dollari amerikan në naftën e Arabisë Saudite 50 vitet e fundit. Me mbështetjen e saj në gazin rus dhe me pritshmëritë për rritjen e kërkesës për gas, ajo do të jetë vërtet një ditë deviza kryesore botërore. Dhe gazi është vetëm një burim ekonomik; sepse Putini ka nënkuptuar se në vijim do të shtohen burimet ekonomike mbi të cilët do të mbeshtetet deviza ruse.   

Bajdeni kishte përgatitur një plan, sipas nje raporti, për një marrëveshje për të shitur më shumë gas amerikan në Evropë në emër të “pavarësisë” nga gazi rus. Sipas raportit, SHBA-ja po finalizon planin për të furnizuar BE-në me më shumë se 15 miliardë metër kub gas natyral të lëngshëm deri në fund të vitit 2022. Furnizimi do të përdoret për qëllimin që ishte përcaktuar më parë nga BE-ja, duke zëvendësuar 50 miliardë m² gas rus me furinizime të tjerë.

Në vitin 2021 SHBA-ja furnizoi Evropën me 22 miliardë m² gas. Plani synon të furnizojë BE-në në afat shkurtër ndërsa synohet dhe rritja e prodhimit të gazit në SHBA në afat mesmë dhe kufizimi i konsumit. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar kundër ndalimit të menjëhershëm të energjive fosile, sepse do të shkaktonte amulli ekonomike në Gjermani. Sasia përfundimtare e gazit të furnizuar do të varet nga kontratat tregëtare. 

Shumë nga shitjet amerikane janë tashmë të mbyllura dhe janë përqendruar në Azi ndërsa fundoret e gazit kanë punuar me aftësinë më të larte. Evropa është e lidhur me penisulën Iberiane por Spanja ka ndërlidhje linjash të varfëra për të lejuar gazin e importuar në Evropën veriore ndërsa shteteve evropiane lindore që varen shumë nga gazi rus u mungon infrstruktura për të fituar nga gazi amerikan me fundoret e linjave të afërta të punojnë tashmë me vëllim që nuk lejon rritjen e importeve më tej. 

Nuk vonoi përgjigjja e G-7 ndaj vendimit të Rusisë për pagimin e gazit në rubla: pas një takimi virtual mes ministrave të SHBA-së, Britanisë, Francës, Japonisë, Italisë dhe Kanadasë u njotua se “Gjithë ministrat e G-7 u pajtuan tërësisht se [kërkesa për pagesa në rubla] do të jetë shkelje e pastër e njëanshme e kontratave ekzituese”. Lëvizjen e Moskës nuk e panë nga këndvështrimi i Rusisë ―goditjen e dollarit amerikan dhe kthimin e rublës ruse në devizë të “artë” botërore― por ngaqë Putini “është me shpatulla pas murit” për shkak të sanksioneve. Megjithëse pritet të rishikohen kontratat, Rusia iu kundërpërgjigj G-7 se nëse Evropa nuk paguan në rubla, gazi ndërpritet.          

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA