...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greqia dhe Turqia përgatiten për luftë këtë verë

Këtij efekti mund t`i shmanget Athina vetëm nëse tërhiqet nga dëshira e saj për të zgjeruar ujërat detare dhe nga militarizimi i vendit dhe nënshkruan me Turqinë një traktat të ri për ujërat detare

Ylli Përmeti

27/05/2022 - 15:10

Greqia përkeqësoi marrëdhëniet me Turqinë gjatë dy viteve të fundit kur deklaroi se do të zgjeronte ujërat detare nga 6 milje në 12 milje. Dëshira greke për të zgjeruar ujërat detare dhe rrjedhimisht zonën e saj ekonomike, ka dekada që tentohet nga qeveritë greke. Por vetëm dy vitet e fundit ―me kryeministër Miçotakin― ka marrë karakter zbatues. Këtë dëshirë Turqia e refuzon dhe e ka quajtur “shkak lufte”; madje vetë parlamenti turk mbështeti në vitin 1995, një vit pasi Greqia ratifikoi të drejtën ndërkombëtare për detin, vendimin se nëse Greqia tenton dhe zgjeron ujërat detare në kufi me Turqinë ajo do të shkrepte luftën.

Për të minuar përpjekjen e kryeministrit grek Turqia hartoi disa kërkesa dhe i dërgoi në OKB në 30 shtator të vitit 2021. Ato nuk lidhen me dëshirën greke për të zgjeruar ujërat detare por me dëshirën e Turqisë për të çmilitarizuar Greqia ishujt pranë brigjeve turke. Në 20 maj të vitit 2022 pale greke i refuzoi të gjitha kërkesat turke―domethënë, lidhjen e sovranitetit grek mbi ishujt në Egje me çmilitarizimin e tyre.

Më konkretisht, “refuzohen në tërësi argumentat turke lidhur me “lidhjen” e sovranitetit grek të ishujve të Egjeut me gjoja detyrimin e çmilitarizimit të ishujve përkatës”, sepse është “i pabazë si sa i përket gërmës ashtu dhe frymës së traktatit të Lozanit të vitit 1923 dhe traktatit të Parisit të vitit 1947, ku përcaktohen në mënyrë të përhershme kufijtë dhe të drejtat tokësore të vendeve që përmenden, pa qenë asnjë kusht ose detyrim tjetër”. Për këtë arsye por dhe sepse e drejta ndërkombëtare për detin parashikon zgjerimin e ujërave detare dhe qëllimi i saj bazë është të arrihet qendrueshmëria mes dy apo më shumë vendeve, ajo i refuzoi në tërësi kërkesat e Turqisë dhe i quan ato ‘politike’.

Turqia, në fakt, nuk e ka nënshkruar të drejtën ndërkombëtare të detit, sepse për të është e papranueshme të zgjerohen ujëra detare greke drejt Turqisë kur kjo fundit kontrollon vetëm 7.5 për qind të Egjeut ndërsa Greqia 43.5 për qind dhe nëse zgjerohen ujërat në 12 milje Greqia kontrollon 71.5 për qind ndërsa Turqia 8.7 për qind dhe e bën udhëtimin e anijeve në Egje tërësisht monopol të Greqisë ose Athinës.

Turqia, në fjalë të tjera, po përdor aktualisht ‘militarizimin’ e ishujve grekë si “kundësulm” ndaj dëshirës së qeverisë greke për të zgjeruar ujërat detare. Me këtë përpjekje ajo zhvendos vëmendjen nga dëshira greke dhe e përqendron atë tek dëshira turke dhe përdor, siç po përdor, doktrinën e “atdheut blu”―domethënë, ndarjen e Egjeut në dy pjesë të barabarta mes Ankarasë dhe Athinës. Kjo e fundit e ka kuptuar qëllimin e Turqisë dhe po rrit aftësitë e saj ushtarake―domethënë, po krijon avantazhe ushtarake, kryesisht lidhur me forcat e saj ajrore. Dhe ngaqë Turqia nuk mund të rrisë aktualisht aftësitë e saj ajrore me avionët F-35 sepse Uashingtoni ndaloi (në 28 mars 2019) blerjen e tyre (dhe në 7 korrik ndaloi dhe trajinimin e pilotëve turq lidhur me avionët në fjalë dhe financimin prej 9 miliardë dollarë në sektorin e mbrojtjes) për shkak të blerjes së sistemit rus S-400, ajo njoftoi se do të përqendrohet në krijimin e avantazheve ushtarake jo në ajër por nën det duke prodhuar, siç citoi Erdogani, një nëndetëse në vit.

Për realizimin e këtij objektivi Turqia bashkëpunon me Rusinë dhe Gjermaninë; por nëse furnizohet me nëndetëse ruse ajo është paralajmëruar nga Uashingtoni me sanksione të reja. Vitin e kaluar Erdogani zbuloi se programi për ndërtimin e gjashtë nëndetëseve (Reis) me Gjermaninë ishte zvarritur nga kjo e fundit dhe paralajmëroi “zgjidhje tjetër”, duke nënkuptuar Rusinë dhe duke përmendur ndërtimin e impiantit bërthamor Akuju: “Kemi synim të ndërtojmë 3 impiante bërthamor. Zotit Putin i propozova, nëse mundemi t`i prodhojmë bashkë dhe dy të tjerë” tha ai. Kërkesës së Uashingtonit për t`i vendosur sanksione Rusisë, Turqia iu përgjigj me impiantin bërthamor (Akkuyu) që është planifikuar të mbarojë vitin tjetër. Tashmë ajo furnizohet me 50% të gazit nga Rusia përmes linjës TurkStream prej 930 km, të nisur në vitin 2020, e cila kalon në detin e zi dhe ka filluar shpërndarjen e gazit janarin e kaluar; ndaj kjo çështje është strategjike, thotë ajo, dhe nuk mund ta shkelë.

Megjithëse ka përparuar bashkëpunim të mëtejshëm me Rusinë, qasja e saj lidhur me nëndetëset do ta bënte Turqinë vërtet të rrezikshme në raport me Greqinë: sepse mund të shkojë pranë bazave ushtarake greke dhe t`i shkatërrojë ato, duke hamendësuar se do të jenë të padukshme në “sytë” e radarëve të ushtrisë greke, dhe pasi ta mposht atë, të kërkojë të ulet për nënshkrimin e një traktati të ri me Athinën, qëllimi i të cilit do të jetë ndarja e detit Egje.

Këtij efekti mund t`i shmanget Athina vetëm nëse tërhiqet nga dëshira e saj për të zgjeruar ujërat detare dhe nga militarizimi i vendit dhe nënshkruan me Turqinë një traktat të ri për ujërat detare: sepse të drejtën ndërkombëtare të detit Greqia nuk mund ta përdorë me Turqinë për sa kohë që kjo e fundit nuk e ka nënshkruar atë. Për të njëjtën arsye Greqia po përdor kryesisht pushtetin ushtarak të saj se sa të drejtën ndërkombëtare të detit. Greqia furnizohet me armë nga SHBA-ja, Franca, Gjermania dhe Izraeli ndërsa “forcoi” pushtetin ushtarak vitin e kaluar me nënshkrimin e një traktati mes Greqisë dhe Francës, i cili synon bashkëpunim në sektorin politik, ushtarak dhe industrinë e mbrojtjes dhe pajisjen e Greqisë me tre fregata (të tipit “FDI HN”) të gjeneratës së re për të forcuar mbrojtjen ajrore.  Marrëveshja parashikon mbrojtjen e ndërsjellë në rast lufte me një vend të tretë (Neni 2). Por teksi nuk përmend fjalën “detyrim” por vetëm fjalën “zotim”!

Si pasojë, tre ditë pas nënshkrimit të traktatit në fjalë në Paris, Turqia reagoi me zemërim dhe kërcënime, duke i quajtur qëllimet e saj në det dhe ajër “maksimaliste”. Madje marrëveshja në fjalë dëmton aleancën e Nato-s dhe BE-në sipas Turqisë dhe pak orë më vonë Turqia filloi fluturimet e saj mbi ishujt grekë me avionë F-16 ndërsa pak ditë më pas kërcënoi me luftë në Kretë, si pasojë e kërkimeve me anijen e saj Nautical Geo lidhur me linjën e gazit “EastMed”, në AOZ-i qipriot dhe Mesdheun Lindor në përgjithësi. Ajo vazhdoi duke përdorur “regjimin e ishujve të çmilitarizuar”, ku, sipas saj, Greqia e ka shkelur, dhe e akuzoi atë se po përpiqet ta izolojë dhe zvjerdhë nga perëndimi. Paralelisht dërgoi në lindje të Kretës ushtrinë e saj për “stërvitje ushtarake”. Si pasojë pala greke reagoi me ministrin e jashtëm grek të dënonte veprimet turke. Turqia përshkallëzoi veprimet duke dërguar një letër të dytë në OKB ku citon përmbajtjen e traktateve të Lozanës dhe Parisit ku pretendon se “sovraniteti i Greqisë ndaj ishujve varet nga çmilitarizimi”. 

Gjendja u tensionua aq shumë saqë palët qendronin në teh të thikës: këtë të vërtetë e pohoi një vit më pas ish-ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey R. Pyatt, sipas të cilit gjendja ishte më dramatike se sa paraqitësh në agjencitë e lajmeve. Si pasojë, Athina zgjodhi përkohësisht të mos u përgjigjësh “dhëmb për dhëmb” kërcënimeve të ministrisë së jashtme dhe mbrojtjes turke. Por më pas u deterua t`u përgjigjësh qendrime turke me të njëjtën “gjuhë”. Turqia hodhi një hap më tej: kërkoi nga SHBA-ja blerjen e 40 avionëve F-16 ndërsa pretendoi në kuvend, pasi u “provokua” nga opozita, se vazhdonte gjeokërkimet në “atdheun e blertë” duke paraqitur dhe harta.

Kjo gjendje u shtendos pak gjatë muajve të luftës në Ukrainë por u rindez me vizitën e Miçotakit në Uashington nga ku ai kërcënoi Turqinë se “nuk do të toleronte” sjelljen e saj. Si pasojë, nuk vonoi reagimi i Erdoganit duke thënë se “nuk e njoh Miçotakin”: “Për mua s`jeton Miçotaki. Nuk do të takohem kurrë më me të”..., sepse, sipas tij, ai u përpoq të bllokonte blerjen e avionëve F-16 në Uashington. Përgjigjja e Miçotakit ishte po aq refuzuese: “Nuk do të bisedojmë me të paligjshmin dhe ahistorikun” tha ai për Erdoganin. Athina vlerëson se gjatë verës do të ketë përplasje të nxehtë mes dy vendeve: “Bindja kryesore [e Athinës] është se Turqia është kthyer me shpejtësi të madhe në qendrimin që kishte përpara ndërhyrjes ruse në Ukrainë në 24 shkurt. Kjo do të thotë se Ankaraja përgatitet për një verë të nxehtë”, zbulon një analizë në “Kathimerini”.   

Erdogani paralajmëroi Athinën dhe Uashingtonin dy ditë më pas lidhur me gjeopolitikat e tyre në Egje dhe rajonin tonë ndërsa Athina nuk shpreson më në “bisedime kërkimore” dhe po përgatitet për dy skenarë: “Tani e tutje Miçotaki nuk është më bashkëbiseduesi im…Jemi miq me ata që janë miqtë tanë, por ta dinë mirë, se do të bëjmë gjithçka të nevojshme kundër atyre që na shohin si armiq” tha Erdogani në fjalimin e tij gjatë kremtimit të pushtimit të Konstadinopojës për Miçotakin ndërsa përmendi dhe pritjen e tij në Amerikë dhe bazat amerikane në Greqi: “thonë”, tha ai, “se janë kundër Rusisë. Gënjeshtra. Nuk janë të sinqertë. Përpara gjithë këtyre është i qartë qendrimi i tyre kundrejt Turqisë”.

Turqit e sotëm duhet të vënë në arkivin e historisë bizantët modernë, siç varrosën stërgjyshërit tanë Bizantin ndërsa përmendi ëndrrën e vitit 2053 për Turqinë e madhe: “Duhet të jenë të bashkuar turqit sepse interesat kombëtare të vendit janë më të rëndësishme se politika. Si stërgjyshërit tanë që varrosën Bizantin le të shpresojmë se sot ndërtojmë ëndrrën tonë për vitin 2053, të arrijmë dhe ne të vendosim në arkivin e historisë Bizantët e sotëm që sajojnë intriga kundër nesh” ndërsa shigjetoi Uashingtonin duke thënë lidhur me operacionet e posaçme në Lindjen e Mesme se “themi ndal në Libi, Siri, Irak, Mesdhe dhe Egje”.

Nuk mungoi dhe lavdërimi e pushtuesit Muhamet, i cili “nuk mori vetëm Konstadinopojën por dhe Serbinë, Morenë, Athinën, Moldavinë, Bosnje Herzegovinën dhe Shqipërinë. Është dhe pushtues i ishujve të Egjeut dhe Mesdheut që të kenë arsye otomanët atje”. 

Kjo deklaratë shënon, sipas analistëve grekë, fundin përfundimtar të shpresës për të mbajtur hapur kanalet kumtuese mes palëve ose “bashkëbisedimeve kërkimore” (“exploratory talks”). Për të njëjtën arsye këshillohet përgatitja për dy skenarë: njëri lidhet me rinisjen e kërkimeve gjeologjike në det nga Turqia dhe tjetri me përgatitjen e reparteve ushtarake në Dodekanezi (dhymbëdhjetë ishujt në lindje të Greqisë). Por të gjitha “varen nga shkalla e ndërmarrjes turke për të përparuar planin e çmilitarizimit të ishujve të Egjeut Lindor dhe kryesisht të Dymbëdhjetë ishujve ku shumë diplomatë turq besojnë se Greqia ka mbështetjen më të dobët juridike”. 

Dyshimeve të qarqeve të ministrisë së mbrojtjes për kërcënime hibride gjatë verës në ishujt e Evros të cilët do të synojnë destabilizim të brendshëm ministria e mbrojtjes greke u përgjigj se forcat e armatosura janë në gadishmëri të vazhdueshme ndaj çdo provokimi apo kërcënimi ndërsa Miçotaki do ta shtrojë çështjen në Këshillin Evropian dhe ministri i tij e jashtëm, Dendja, foli në telefon me homologun e tij amerikan, Blinken.

Turqia ia thotë troç Greqisë: ose çmilitarizoni ishujt ose përballemi me luftë

Turqia e tha troç pas pak orësh dhe dalldisi edhe një herë Greqinë: “Ne turqit kemi bërë paralajmërimet e nevojshme. Domethënë, dërguam dy letra në OKB. Në të parën thamë se Greqia çmilitarizon ata ishuj dhe se kjo është kundër dy traktateve. Në letrën e dytë e sqaruam më shkoqur me arsyetime juridike. Dhe Greqia ka “prishur” regjimin e atyre ishujve. Rrjedhimisht, ajo duhet të çmilitarizojë ata ishuj. Ndryshe fillon çështja e dyshimit të sovranitetit të tyre. Sepse janë dhënë nën ato kushte”, tha ministri i jashtëm turk Çavusoglu në një televizion. Ai tregoi dhe harta mbi ishujt që dyshon sovranitetin e Greqisë, nga Samothraka deri në Kastelorizo.

Miçotaki si reagim ndaj ministrit të jashtëm turk tha nga Holanda se “çdo nënkuptim kërcënimi do të ndëshkohet ashpër”: “Jemi një fuqi paqeje, jemi një fuqi mbrojtëse, por duam të dërgojmë kumt të qartë se çdo nënkuptim kërcënues i sovranitetit tonë do të dënohet ashpër”.

Në fakt, Turqia nuk e nënkupton dyshimin e sovranitetit të Greqisë ndaj ishujve përkatës por është e qartë: ose çmilitarizoji ata ose përballemi me luftë i thotë ajo Greqisë. Por si duket Miçotaki donte ta paraqeste më të butë qendrimin turk.

Sidoqoftë, tashmë në Greqi po diskutojnë hapat e mëtejshëm në Turqisë. Thonë se ajo do të përpiqet të ndërkombëtarizojë dyshimin e sovranitetit të ishujve dhe pastaj do të veprojë ushtarakisht, duke gjykuar nga veprimet e Rusisë në Ukrainë. Por harrojnë të përmendin një ndryshim të madh mes Rusisë dhe Turqisë: se Rusia vërtet u mundua të ndërkombëtarizonte çështjen e Ukrainës në përgjithësi dhe të lindores në veçanti ku kishte popull rus dhe vuante nga padrejtësitë e Kievit por ajo e shikon Ukrainën si pjesë të historisë së saj dhe krijesë e saj (duke përdorur “zemërgjerësinë” e Stalinit).

Sidoqoftë, nga këndvështrimi turk, se veprimet greke nuk u përmbahen traktateve, ajo mund të mbështetet në të drejtën ndërkombëtare të luftës. Në këtë mënyrë, Turqia zhvillon “kundërsulmin” e saj kundër pretendimeve të Athinës për të zgjeruar ujërat detare dhe zonën ekonomike dhe për ta kthyer Egjeun në monopol të saj duke izoluar Turqinë, dhe përgatit “terrenin” për luftë: sepse Athina nuk do të tërhiqet nga pretendimet e saj, sepse politika e qeverisë së “Miçotakit” mbështetet dhe nga opozita (Siriza etj.) pavarësisht “kritikave” për vogëlsira ndërsa opozita turke kundërshton politikën e qeverisë së Erdoganit por nuk e ndalon dot atë.  

Ky editorial është përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA