...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përplasja SHBA-Rusi në Bullgari dhe Maqedoni dhe trazirat e “planifikuara” në Uashington

Në Bullgari po zhvillohet një përplasje e fortë mes besnikëve të Putinit (Rumen Radev, presidenti aktual etj.) dhe besnikëve të Perëndimit (Kiril Petkov, kryeministri aktual etj.)

Ylli Përmeti

24/06/2022 - 20:28

Një ditë pas vajtjes së krerëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë V. në Bruksel, ku shkuan për “lesh” dhe u kthyen të qethur, lidhur me nisjen e bisedimeve për t`u anëtarësuar në BE, për shkak të vetos bullgare, parlamenti i Sofjes miratoi kuadrin negociues për anëtarësimin e Maqedonisë së V. duke i ndezur dritën e jeshile qeverisë atje për të hequr veton e saj “pas ndryshimeve kushtetuese në tekstin e kuadrit të negociatave që do të garantojë të drejtat e bullgarëve në vend nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe do të nxiste përkushtimin e Shkupit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë”. 

Kjo zgjidhje u propozua nga Makroni meqë Franca kryeson presidencës qarkthyese evropiane dy ditë përpara miratimit dhe është rrëfenja që qarkulloi nga media e kontrolluar nga elitat neoliberale. Vetë Makroni tha nga Brukseli se udhëheqësit [evropianë] “ushtruan shumë trysni mbi Bullgarinë këtë muaj” për të pranuar marrëveshjen. 

Por rrëfenja s`është as gjysma e të vërtetës: sepse në Bullgari po zhvillohet një përplasje e fortë mes besnikëve të Putinit (Rumen Radev, presidenti aktual etj.) dhe besnikëve të Perëndimit (Kiril Petkov, kryeministri aktual etj.). Qeveria “Petkov” ra në ditën kur Rama lëshonte profka nga Brukseli, pas gjashtë muajsh në qeveri dhe pas mocionit që nxiti opozita për shpenzimet buxhetore dhe veton ndaj Maqedonisë V. Por ngaqë kryeministri nuk kishte nënshkruar dorëheqjen e tij dhe kishte njoftuar se do ta nënshkruante atë të hënën e javës tjetër, ai bashkoi katër parti politike dhe miratoi propozimin e Makronit ndërsa vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Për shkak të frikës se Radevi do të drejtojë shtetin në mungesë të një qeverie pro-perëndimore, deri sa të mbarojnë zgjedhjet e parakoshme, dhe frikës tjetër se një qeveri pro-ruse mund t`i fitojë zgjedhjet, Edard P. Joseph, i cili jep mësim mbi drejtimin e konflikteve në Universitetin Johns Hopkins për Studime Ndërkombëtare të Përparuara, këshilloi Bajdenin se si të veprojë dhe të ndalojë besnikët e Putinit në Bullgari, përmes një artikulli në “Foreign Policy”, dy ditë përpara se parlamenti bullgar të votonte kërkesën perëndimore: heqjen e vetos. Ai argumenton se SHBA-ja duhet të shtojë disa përbërës në propozimin francez duke këshilluar mbrojtjen e identitetit “maqedon” me qëllim që Shkupi dhe Sofja të përplasen pavarësisht kaosit që mund të shkaktojë:

“Është një mënyrë për të mohuar fitoren e Putinit [në Bullgari], me një taktikë që administrata e Bajdenit mund të zbatojë thuajse menjëherë. Kyçi është përmbysja e çështjes që Radevi ka shfrytëzuar―nacionalizmin e tërbuar kundër fqinjëve maqedonë― në një përgjegjësi politike të menjëhershme dhe të qendrueshme…Bajdeni po sheh tani një rrënim në shpalosje e sipër në dy aleatët e NATO-s―një kaos i krijuar nga një aleate e tretë, Franca…Uashingtoni ka nevojë të mbështesë përpjekjen franceze duke shtuar përbërësit që mungojnë: duke imponuar një kosto mbi Bullgarinë për agresionin e saj identitar…zgjidhja për SHBA-në (dhe aleatët si Britania, e cila mund të ndjekë udhëheqjen e Uashingtonit) është të hyjnë në marrëveshje kulturore dypalëshe me Maqedoninë V. që pohon identitetin maqedon”.

Sipas autorit, SHBA-ja thjesht duhet të “njohë se populli maqedon ka historinë e tij, kulturën, trashëgiminë dhe gjuhën maqedone” pikërisht llojin e identitetit që nacionalistët bullgarë duan të fshijnë.

Dhe ai parashikon reaksionin politik atje: “Në përgjigje, Radevi do të shpërthejë në protesta kundër SHBA-së dhe do të mobilizojë protesta anti-amerikane. Kjo është një gjobë që ia vlen të pësohet për të mbrojtur interesat amerikane. Më tej autori argumenton se duke mbështetur Maqedoninë V. me një mbrojtje politike të fuqishme për identitetin e saj― të ngjashëm me ndihmën ushtarake [ndaj Ukrainës] për të mbrojtur territorin e një kombi―Bullgaria do të përballet me realitetin: me kotësinë mjerane të misionit të saj. Njësoj si Putini që nuk mund të bindë ukrainasit se ata janë vërtet rusë, Radevi dhe mbështetësit e tij nuk mund t`u kërkojnë maqedonasve të fillojnë procesin e dorëzimit të identitetit të tyre në Bullgari. Do të ketë trazira në Bullgari, por atje ka tashmë traziraështë e mundur se çdo gabim mes marrëveshjes së SHBA-së dhe Maqedonisë do t`i ngarkohet Radevit, kur bullgarët të shohin një kosto ndaj keqpërdorimit të anëtarësisë së Sofjes në BE. Aktualisht, izolimi brenda BE-së është kostua më modeste dhe e qendrueshme ndaj Bullgarisë”.

Ai parashikon, gjithashtu, se propozimi francez do të dështojë dhe do të dobësojë udhëheqjen e presidentit maqedon Pendarovski dhe kryeministrit Kovaçevski. Në vend që SHBA-ja të zbatojë trysni për të mbledhur vota në parlamentin maqedon që nuk mund t`i sigurojë, argumenton autori, Uashingtoni është më mirë të përdorë pushtetin e SHBA-së për të trajtuar problemin: pasigurinë e dukshme dhe të kuptueshme që maqedonët kanë nga një fqinj kërcënues i BE-së dhe NATO-s. Nëse pranohet propozimi francez në Sofje ai do të shkaktojë një krizë politike në Maqedoninë e V. Në termat e propozimit qeveria maqedonase merr një hapje simbolike politike për bisedimet e saj me BE-në dhe më pas Shkupi duhet të miratojë një ndryshim kushtetues―që kërkon dy të tretat e shumicës― duke cituar kombësinë bullgare në Hyrje. Bullgaria do të shikonte qendrimet e saj mbi historinë dhe kulturën zyrtarisht të njohura nga BE-ja. Por propozimi francez, besojnë disa zyrtarë të lartë në Shkup, do t`i japë kontroll të plotë Bullgarisë mbi Maqedoninë e V. dhe do ta bullgarizojë atë…ndërsa Radevi e ka lavdëruar marrëveshjen si “më e drejta” dhe “më e mira deri tani”. 

Autori, në fjalë të tjera, këshillon Bajdenin, pasi i tregon atij se si kanë vepruar pararendësit e tij, në Ukrainë dhe Maqedoni, se si të përdorë politikën e përçarjes dhe sundimit, duke mbrojtur një marrëzi të një populli që flet një dialekt bullgar dhe pretendon se është pasardhës i popullit “maqedon”, mes të njëjtit popull, pavarësisht kaosit që mund të shkaktohet si në Bullgari ashtu dhe Maqedoni, për të mbrojtur interesat amerikane në Ballkan. Ai, gjithashtu, shpërnjeh faktin se përbri popullit “meqedon” jeton populli shqiptar, të cilit ai dhe shumë si ai kurrë nuk mund t`i tregojnë se cili popull meriton të quhet “maqedon”. Por kjo pak rëndësi ka, sepse me rëndësi është qendrimi i Uashingtonit: sepse ai ka vepruar siç këshillon autori në Ukrainë, për të njëjtën arsye, për të mbrojtur interesat amerikane, dhe me shumë gjasa do të veprojë njësoj në Bullgari dhe Maqedoni. Mbetet, sidoqoftë, ta dëshmojmë këtë skenar…

Vlen të përmendet, në fund, fakti se propozimi i Makronit, të cilin e miratoi Sofja dhe u gëzua Rama dhe Meta, nuk e ndihmon fare popullin shqiptar në Maqedoni, jo vetëm sepse ai është i destinuar që të dështojë dhe të shkaktojë destabilitet në rajon por dhe sepse ai do të jetojë nën epshet e Sofjes si gjithë “maqedonët”. Ai mund të përfitojë nga gjendja e krijuar dhe ajo që mund të krijohet vetëm nëse mbeshtetet nga Tirana. Por duke ditur se Rama nuk interesohet për fatin e shqiptarëve në “Maqedoni” e më tej, ai do të jetë, gjithashtu, viktimë e lojrave gjeopolitike të Francës, Uashingtonit dhe Rusisë.   

Duke shpërnjohur tërësisht faktin se Bullgaria është pa qeveri dhe po shkon në zgjedhje të parakohshme, nga të cilat mund të fitojnë forcat pro-ruse (mundësia për të fituar forcat ruse rritet meqë elitat perëndimore me analistët e tyre po e pranojnë me dhimbje se luftën në Ukrainë po e fiton Putini…dhe kush fiton luftën, fiton dhe besimin e popujve, pavarësisht se perëndimorët do të bëjnë ç`është e mundur që të ndalojnë qeverisjen e vendit nga besnikët e Putinit) Rama e quajti votimin e parlamentit bullgar “një lloj pilule kundër depresionit” ndërsa Makroni u tregua më i përmbajtur duke mos e quajtur fitore por “një hap përpara”.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA