Elitat perëndimore alarmohen me fitoren e luftës në Ukrainë nga Putini
Në një qendrim të vetëm Zelenski edhe u zotua për rifitim të territoreve të fituara nga forcat ruse por edhe nënkuptoi se ardhmja e popullit ukrainas do të jetë e zymtë!
Ylli Përmeti
26/06/2022 - 16:23
Kur ushtria ruse arriti të kontrollonte thuajse gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesën më të madhe të Donetskut ―dy rajone që krijojnë Donbasin e madh industrial― në fund të muajit të katërt të luftimeve, Zelenski u zotua edhe një herë se do të rifitoheshin “gjithë qytetet” e pushtuar nga Rusia ndërsa shtoi se “lufta kishte hyrë në një fazë të vështirë emocionale dhe se ai nuk e dinte se sa goditje dhe humbje do të pësonte” [Ukraina], duke nënkuptuar se ushtria dhe populli pro-perëndimor ukrainas do të përfshihësh emocionalisht për “fatin” e Ukrainës në ditët në vijim por dhe faktin se do të pësonte humbje të mëtejshme. Kështu në një qendrim të vetëm Zelenski edhe u zotua për rifitim të territoreve të fituara nga forcat ruse por edhe nënkuptoi se ardhmja e popullit ukrainas do të jetë e zymtë!
Një qendrim të ngjashëm mbajti dhe kreu i qeverisë britanike. Ai tha se Ukraina mund të fitojë luftën me Rusinë kur aleanca perëndimore ka shfaqur shenja nderjeje dhe lodhjeje lidhur me luftën në Ukrainë. Madje vetë Stoltenbergu, kreu i Nato-s, ka diskutuar qëllimshëm humbjet e territoreve të Ukrainës në këmbim të paqes. Por ndërsa perëndimorëve nuk u “kërcet” për “fatin” e Ukrainës përveç për synimin e elitave perëndimore ―si fillim “mbytjen” dhe më pas e pranuan botërisht “gjunjëzimin” e Rusisë deri në ukrainasin e fundit― Zelenskit i rrezikohet jeta politike dhe fizike: sepse megjithëse kuptohet se Zelenski dhe kreu i qeverisë britanike e të tjerë pas tyre mbajnë qendrime të papërputhshme me realitetin me qëllim që të mbajnë “lartë” moralin e ushtrisë ukrainase, ato kanë kosto, jo vetëm lidhur me ushtrinë ukrainase por dhe me popullin ukrainas pro-perëndimor: sepse ata e kuptojnë papërputhmërinë e qendrimeve të drejtuesve të tyre kur shohin se si po humbasin jo vetëm Donbasin por gjithçka tjetër të vyer që gëzonte vendi i tyre.
Qendrimet e tyre u bënë në ditën kur ushtria ruse sulmoi me një barazh artilerie bazat ushtarake në perëndim të Ukrainës, Lviv, në Zhytomyr dhe Chernihil pranë Kievit, duke përdorur hapësirën ajrore mbi Bjellorusi në veri dhe ujërat e Detit të Zi në jug dhe duke lëshuar mbi 40 raketa...një javë përpara mbledhjes së G7 dhe NATO-s. Këto qendrime do të kenë efekte minuese edhe pas mbarimit të luftës me kontrollin e rajonit të Donbasit nga ushtria ruse: sepse do të thonë ukrainasit pro-perëndimorë ―qytetarët dhe ushtria― se ju na premtuat Ukrainë të lirë nga rusët dhe ne jo vetëm të lirë nuk e kemi atë por humbëm Donbasin, mijëra jetë njerëzish dhe bazën më të rëndësishme ekonomike të Ukrainës, përfshi dhe dëmet në pjesë të tjera të saj.
Kjo e vërtetë do të krijojë zhgënjim dhe mosbesim ndaj elitave perëndimore dhe qeverisë “Zelenski” dhe në rast se zhvillohen zgjedhje pas luftës, me shpresë pa ndikime nga pushtetet perëndimore, vështir se do të fitojnë forcat politike pro-perëndimore.
Efektet e qendrimeve të Zelenskit dhe qeverive perëndimore mbi popullin ukrainas do të jenë shumë më të mëdha se efektet që pati vendimi i Putinit për të përdorur fuqinë ushtarake ndaj ushtrisë ukrainase mbi të njëjtin popull: sepse ata nuk do të përballen vetëm me realitetin e ri që po krijohet por dhe me qendrimet e Moskës, e cila nuk ka reshtur së përsërituri se “ne popullin ukrainas e paralajmëruam për ndërhyrjen dhe qëllimin tonë dhe për efektet e saj”. Paralajmërimi i Moskës për dëmet dhe vdekjet që do të pasonin me operacionet e saj ushtarake nuk lidhet thjesht me qëllimin e saj për të ruajtur jetën e qytetarëve të papërfshirë në luftë (detyrim moral) por kryesisht me të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo e fundit i detyron palët në konflikt të ruajnë jetën e njerëzve të papërfshirë në konflikt.
Kujtoj se përpara ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë, elitat perëndimore me në krye Uashingtonin, përsërisnin çdo ditë se Rusia po përgatitet për luftë ndërsa Kievi mbante qëndrime dyshuese dhe qetësuese; hamendësisht sepse besonte më shumë te ndjeshmëria e Putinit meqënse ky i fundit e shikon popullin ukrainas historikisht si popull rus.
Putini e ka përgatitur “fatin” e Ukrainës gjatë muajit qershor; ai tha në fillim të tij se Rusia s`ka “kundërshtime” për Ukrainën që t`i bashkohet BE-së meqë, ndryshe nga Nato-ja, ajo nuk ishte një bllok ushtarak por shtoi se asaj do t`i duhet shumë ndihmë financiare për t`u përputhur me standartet e Brukselit dhe paralajmëroi rreth rrezikut se ajo mund të metamorfozohet në “një lloj gjysmë-kolonie” duke u bërë një anëtare e bllokut.
Por ai nuk kundron mbi faktin e zhgënjimit të popullit ukrainas lidhur me premtimin e elitave perëndimore; të paktën deri tani. Pa përmendur çështjet e tjera siç është bregdeti në jug të Ukrainës i cili kontrollohet në përqindjen më të madhe nga forcat ruse; sepse ai nuk i përket rajonit të Donbasit për të cilin Putini ka marrë dritën e jeshile nga Duma: si do të veprohet me të? Do t`i lihet Kievit apo...! Aktualisht 20 për qind e territorit të Ukrainës kontrollohet nga Rusia.
Megjithatë, gjasat janë se elitat perëndimore do të sajojnë një lloj “fitoreje” për Kievin dhe do të mundohen të bindin popullin atje se ai fitoi; por do ta kenë të vështirë ta bindin atë. Madje fitoren e Putinit do të mundohen ta paraqesin si jofitore. Por duke ditur se populli i Ukrainës ndjek dhe propagandën ruse, ku do të theksohen humbjet e mëdha të Ukrainës dhe fitoret e Putinit, ose politikat e drejta të tij, propaganda perëndimore do të minohet.
Këtë dinamikë do ta ndihmojë dhe fakti tjetër se elitat dhe popujt fetarë besojnë se ai që fiton luftën, ka bërë luftë të drejtë, sepse kjo është dëshira e Zotit! Kështu duke ditur se Putini ka përdorur elitën fetare atje, do ta përdorë atë edhe për të theksuar karakterin e luftës së tij pavarësisht se ai e ka mbrojtur atë me përpjekjet e tij për të realizuar një traktat sigurie për gjithë vendet perëndimore duke përfshirë dhe Rusinë. Perëndimi, gjithashtu, ka elita dhe popuj fetarë; si pasojë, ata do të besojnë njësoj. Ky fakt do ta minojë më shumë karakterin e luftës perëndimore kundër Rusisë; pasoja e mëtejshme do të jetë se partitë politike të tipit “lepen” por dhe të “majtat” evropiane që luftojnë për sovranitet kombëtar, do të spikasin qeverisjen e Putinit...
Vlen të përmendet fakti se unë e parashikova luftën e amerikanëve neoliberalë dhe Putinit pa filluar ajo; qëllimi ishte, si gjithnjë, të ndihmoja njerëzimin dhe kryesisht palët në konflikt (popullin amerikan dhe rus). Por si në çdo rast tjetër, studimi u “varros” nga klasa jonë politike, media dhe universitetet; qëllimi i tyre ishte të mashtronin popullin lidhur me karakterin e luftës. Dhe ia arritën qëllimit! Por “gënjeshtra” thotë populli, “bën vegshin dhe nuk ia vë kapakun të vërtetës”: sepse lufta është mes SHBA-së dhe Rusisë dhe jo siç e paraqesin elitat perëndimore, si luftë mes Rusisë dhe Ukrainës; as siç e paraqet Putini, se ai po lufton “nazifashistët” e Ukrainës, për t`i dhënë asaj një karakter “lokal” me qëllim që mos të theksojë përplasjen e ndërmjetme mes superfuqive ose mes Rusisë dhe Amerikës.
Fitoren e Putinit kanë filluar ta pranojnë dhe “analistët” perëndimorë; për shembull, “The Economist” tregonte në fillim të majit në një analizë se ekonomia ruse u stabilizua (madje, një muaj më pas, analizën përkatëse e pagoi në rrjetet sociale, si duket, për të shkundur qendrimet idiote të elitave perëndimore se ekonomia ruse po rrënohet, dhe për ta lexuar sa më shumë njerëz) ndërsa “Business Insider”, një agjenci amerikane lajmesh, kryesisht me karakter financiar dhe tregtar, në mes të qershorit tregonte se “Putini po e fiton luftën, brenda dhe jashtë fushëbetejës”, duke nënkuptuar me “jashtë” fushëbetejën gjeopolitike.
Sigurisht, alarmohen të gjithë ata që e mbështetën luftën duke besuar se do ta fitonit atë; mes tyre plotë “analistë” perëndimorë me më kryesorin komentatorin e Financial Times, Gideon Rachman.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 167 reads



