Pse përpjekja e Berishës nuk ka të ardhme?
Që të ngjallë shpresën Berisha dhe “ortatorët” e tij në popull duhet pikë së pari të fshijnë kujtesën e keqe të popullit lidhur me të kaluarën e tij.
Ylli Përmeti
09/07/2022 - 08:50
Ringjitja e Berishës në krye të partisë “demokratike” pas ndërhyrjes së ambasadores amerikane Kim në çështjet e brendshme të partisë në fjalë dhe pas shpalljes së tij si të “padëshirueshëm” nga qeveria “Bajden”, foltoreve të tij dhe ringjizjes së partisë në fjalë, solli dhe protestën e parë në 7 korrik me moton “Shqipëria në rrezik”. Protesta, si e tillë, nuk ishte e organizuar nga vetë qytetarët siç u munduan shumë “demokratë” ta paraqesnin atë por u nxit dhe u organizua nga partia “demokratike” me mbështetjen e medias së saj.
Por protesta kishte moto të drejtë, pati pjesëmarrje të rëndësishme, skenografi deri diku të mirorganizuar por fjalime bajate.
Ndërsa motua është e drejtë sepse Shqipëria është vërtet në rrezik, pjesëmarrja në protestë nuk duhet të krahasohet me protesta të tjera (të cilësdo organizatë politike) por duhet të shihet në raport me efektin që ka ndaj qeverisë: sepse dihet se protestat me numër të vogël nuk e “tutin” qeverinë “Rama”. Një arsye se pse qeveria në fjalë nuk “tutet” me numrin e vogël i protestuesve është shkalla e lartë e pandjeshmërisë së saj; sepse asaj nuk ia ndjen për shqetësimet e grupeve të vogla qytetare: ndaj nevojitet protestë e madhe.
Por qeveritë e llojit “Rama” nuk “tuten” vetëm nga pjesëmarrja por dhe nga përmbajtja e protestës: në kuptimin se cilët e organizuan atë dhe kërkesat e saj. Parë nga këndvështrimi i Ramës ―se çfarë përdor ai për të mposhtur Berishën― kryesisht faktin se ai është shpallur i padëshirueshëm nga amerikanët për korrupsion e shkelje të tjera, protesta s`ka përmbajtje: sepse thirret nga një kryetar i dyshuar për...Por edhe nëse e anashkalojmë këtë çështje me argumentin që përdor Berisha, se ai është akuzuar për qëllime ‘politike’ nga Sorosi dhe sorosistët në Shqipëri dhe jo sepse akuza bazohet në prova, populli e di se Berisha është shkaktar i shumë zezonave në vendin tonë pavarësisht se “Rama” është i korruptuar dhe ka ngjizur qeveri po aq të korruptuara sa vetja.
Parë nga këndvështrimi i popullit në përgjithësi, rrjedhimisht, protesta nuk ka, gjithashtu, përmbjatje.
Por edhe nëse e anashkalojmë këtë çështje dhe përqendrohemi te kërkesat, ajo është po ashtu pa përmbajtje. Kërkesat zakonisht shpalosen përmes fjalimeve të organizatorëve të protestës. Protesta e 7 korrikut filloi me një këngë rebeluese dhe vazhdoi me fjalime bajate. Ndërsa kënga nuk ishte mjaftueshëm revolucionare (sidomos në vargjet e saj) fjalimet ishin menduar të shprehnin zemëratë dhe jo mendim dhe fjalë të fuqishme që mobilizojnë shpirtrat e popujve. Kjo qasje zakonisht synon të rrisë urrejtjen ndaj pushtetarëve ose politikave të padrejta të tyre. Por edhe në këtë drejtim, ajo çalonte: sepse nuk ishte e mirorientuar.
Nuk është e nevojshme të shqyrtohen fjalimet e gjithë “oratorëve” siç i quajti Berisha për të kuptuar bajatësinë e fjalimeve; por mjafton të përmendim fjalimin e vetë Berishës. Ja cila ishte kryefjala e fjalimit të tij:
Rama ne të dy sot jemi armiq. Po pse jemi armiq? E rëndë e hidhur të them këtë fjalë, por zemra ime nuk nxjerr fjalë tjetër sepse ti Edi Rama ke për ideal pushtetin dhe vetëm pushtetin, kurse unë me këta burra dhe gra kemi për ideal lirinë dhe vetëm lirinë. Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët, për të poshtëruar qytetarët. Kurse unë dhe këta qytetarë lirinë e duan për të bërë të liri shqiptarët, për të ju kthyer lirinë”, tha Berisha ndër të tjera.
Gjykuar nga fjalimi i Berishës në përgjithësi, unë besoj se quajtja e Ramës “armik” ishte spontane dhe jo e paramenduar. Domethënë, nuk ishte produkt i ndonjë strategjie por emocioni (i nxitur nga pjesëmarrja). Por qoftë edhe nëse është kështu, tashmë ai e quajti ‘armik’ Ramën. Kjo zhvendosje në qendrim nënkupton se Berisha do të radikalizojë përpjekjen e tij për rrëzimin e Ramës dhe mund t`i japë në proces luftës së tij karakter klasor: se ai përfaqëson klasën e shtypur ndërsa Rama klasën shtypëse. Berisha është rritur dhe “edukuar” në një shoqëri marksiste dhe besoj ka mësuar disa “grimca” politike nga Marksi.
Por nëse vepron kështu, ai mund të akuzohet si komunist nga anti-komunistët që përfaqëson.
Çfarë mbetet, është fakti se ai do të përdorë ideologjinë e “konservatorizmit” për të mobilizuar popullin kundër Ramës. Por kjo ideologji në vendin tonë nuk pi shumë ujë; kryesisht sepse ne si popull e cilësojmë veten si popull përparimtar dhe mbështesim njerëzit që nxisin përparimin, sepse vetëm përmes përparimit përparon populli. Ndaj beteja e Berishës nuk ka të ardhme!
Qoftë edhe nëse e shikojmë përpjekjen e tij nga çka përmendin “oratorët” e tij dhe vetë ai ―se ata duhet të ngjallin shpresën në popull― ata s`kanë asnjë mundësi për ta ngjallur atë: sepse “shpresa është e ardhmja dhe kujtesa e së kaluarës” (Aristoteli). Kaq “gjë” duhet ta kishin mësuar dhe kuptuar “ortatorët” e Berishës dhe vetë ai: sepse që të ngjallë shpresën Berisha dhe “ortatorët” e tij në popull duhet pikë së pari të fshijnë kujtesën e keqe të popullit lidhur me të kaluarën e tij.
Pjesa tjetër e kryefjalës së tij, se ai përfaqëson lirinë dhe Rama pushtetin, është një mashtrim i madh politik që bëhet nga partitë politike kur janë në opozitë, sepse kanë treguar se kur ngjiten në pushtet kthehen më maskarenj se pararendësit sidomos partitë e 30 viteve të fundit të cilat nuk themelohen në studime por në interesa të ngushta politike.
Përveç këtij fakti empirik, Berisha e ka treguar se është po aq dashnor i pushtetit sa Rama. Nëse do të ishte ndryshe, siç pretendon, do ta themelonte partinë e tij në studime dhe kuptime të plota për nocionet e shtetit si ‘liria’ dhe ‘pushteti’ dhe nuk do t`i linte mbështetësit e tij në errësirë dhe iluzione.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 50 reads



