Skema 'Rama': largohen ministrat e ngarkuar me fushatën elektorale
Dita
12/03/2017 - 07:59
Lajmi i largimit të ministrit Saimir Tahiri ka shkaktuar një pështjellim të fortë gjatë ditës së djeshme.
Dita paralajmëroi në orët e paradites së djeshme largimin e Tahirit.
Zëri i Amerikës publikoi më pas lajmin se Rama i sapokthyer nga Gjermania e ka shkarkuar ministrin e brendshëm.
Kurse stacioni televiziv TCH në orët në vijim njoftoi nga burime qeveritare se veç Tahirit do ikin dhe ministra të tjerë.
Disa orë pas postimit të lajmit dhe përhapjes së tij, Tahiri shkroi në rrjetet sociale se nuk do jepte dorëheqje, por përdori frazat “deri tani” dhe “sidoqoftë ne do bëhemi më të fortë”.
Në PD shpërtheu ngazëllimi, duke i lidhur këto lajme me protestën e atyre pak vetëve që ndërrojnë turnet në çadrën që ka bllokuar prej ditësh bulevardin e Tiranës.
Por burime afër qeverisë thanë se kryeministri ka menduar të largojë nga qeveria të gjithë ministrat e përfshirë në fushatën elektorale si drejtues qarqesh të PS.
Kjo lëvizje që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë synon të ndajë ekzekutivin nga partia, duke dhënë njëkohësisht garancitë e mospërdorimit të ekzekutivit në fushatën elektorale, sic ka ndodhur rëndom në zgjedhjet e mëparshme shqiptare. Kjo lëvizje e Ramës krijon një standart të ri të fushatave elektorale në Shqipëri, si dhe heq alibinë e avantazhit të qeverisjes në zgjedhje – thanë këto burime.
Nëse këto zëra janë të vërtetë, pritet të shihet impakti i “skemës Rama” dhe shtrirja e saj në qeveri. Aktualisht janë 9 anëtarë të kabinetit (zv.kryeministri Peleshi dhe 8 ministra) që janë drejtues qarqesh në fushatën elektorale të PS-së. A do ikin të nëntë?
Për këtë priten dy mbledhje të rëndësishme që do zhvillohen sot dhe nesër, pra të dielën dhe të hënën.
Mbledhja e së dielës është me koordinatorët e fushatës së PS, ku do marrin pjesë edhe ministrat në fjalë, pra anëtarët e kabinetit të përfshirë në fushatë si kryetarë të qarqeve. Mbledhja e dytë ditën e hënë do jetë mbledhje e Këshillit të Ministrave.
Ende mungon një konfirmim zyrtar i këtyre lajmeve nga vetë kreu i qeverisë. Për ditën e djeshme ai u mjaftua me një postim në rrjete sociale. Me një Amarcord ai ka publikuar karikaturën e mëposhtme me shënimin “qesh mirë kush qesh i fundit”. / Dita
Lista e anëtarëve të kabinetit Rama që janë drejtues të PS në qarqe
Saimir Tahiri – Tiranë
Damian Gjiknuri – Vlorë
Niko Peleshi – Korçë
Ditmir Bushati – Shkodër
Blendi Klosi – Berat
Lindita Nikolla – Lezhë
Mimi Kodheli – Dibër
Bledi Çuçi – Gjirokastër
Ilir Beqaj – Kukës
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 36 reads




