Qëllimi i dyfishtë i Nato-s në Ukrainë dhe raporti tronditës i Amnesty International për luftën e Kievit
Forcat ukrainase kanë vendosur qytetarët në rrezik duke krijuar baza ushtarake dhe vendosur armatime në zona të banuara, duke përfshirë shkollat dhe spitalet
Ylli Përmeti
07/08/2022 - 19:29
Një nga qëllimet kryesore të Nato-s në Ukrainë, tha kreu i organizatës, Stontelbergu, në një ligjëratë në një kamp veror në Norvegji gjatë ditëve të para të korrikut, është të mbështesë Ukrainën dhe të parandalojë një luftë të “shkallës së gjerë” me Rusinë; në fjalët e tij: “Në këtë konflikt, Nato ka dy detyra: të mbështesë Ukrainën dhe të parandalojë përshkallëzimin e luftës në shkallë të gjerë mes Nato-s dhe Rusisë”. Ai sqaroi dhe kuptimin e “mbështetjes”: “Ne mbështesim Ukrainën në të drejtën e saj për vetë-mbrojtje, një e drejtë e shprehur në të drejtën ndërkombëtare”.
Përmendi dhe “detyrimin moral” për mbështetjen e Ukrainës, sepse “ne shohim veprime luftarake, sulme mbi qytetarët dhe shkatërrime të pa dëshmuara që nga lufta e dytë botërore. Nuk mund të rrimë mospërfillës ndaj saj”. Por ai sqaroi se interesi i Nato-s është që “Putini nuk realizon ambiciet e tij në Ukrainë”. “Një botë ku mësimi për Putinin është se ai merr çfarë ai do duke përdorur fuqinë ushtarake është gjithashtu një botë më e rrezikshme për ne. Nëse Rusia fiton këtë luftë, ai do të ketë vërtetim se dhuna vepron. Atëherë vende të tjerë fqinje mund të kenë radhën”.
Për mbështetjen në fjalë perëndimi paguan një çmim, ushtarak, humanitar dhe financiar; madje ai pranoi se sanksionet perëndimore kanë rezultuar në inflacion të lartë por bën një dallim: se çmimi që paguan aleanca është në para ndërsa çmimi që paguan Ukraina është në jetë njerëzish. Ai rrëfeu, gjithashtu, se aleanca ka planifikuar një kundër-sulm në jug të Ukrainës. Më tej sqaron detyrën e dytë të Nato-s: parandalimin e përhapjes së luftës. “Ne e bëjmë këtë”, tha ai, “duke mos u bërë palë në luftë – ne nuk po hyjmë në Ukrainë me trupa”.
Ai sqaroi, në fund, numrin e forcave nën komandën e Nato-s në Evropën lindore ose në kufijtë e Rusisë: rreth 40,000 trupa duke u mbështetur nga një numër i rëndësishëm avionësh dhe anijesh. Ky numër mbështetet, gjithashtu, nga një numër tjetër i para-caktuar prej mbi 300,000 për të mbrojtur vende të veçanta të Nato-s. Duke u nisuar nga kërkesat e Putinit përpara luftës―për të mbajtur larg Nato-n nga kufijtë rus, Stoltenbergu tha se ai realizoi të kundërtën me ndërhyrjen e tij në Ukrainë: afroi Nato-n më pranë kufijëve rus. Madje, sipas tij, një Nato më të fortë, më të zhdërvjellët dhe vendimtare.
Më tej ai përpiqet të tregojë karakterin “paqëdashës” të Nato-s ndryshe ngasa e paraqet Putini. Ndryshe nga ky qendrim, ambasada amerikane në Tiranë njoftoi një video-kumt të “Nato-s” sipas të cilit SHBA-ja do të përgjigjet me shpejtësi dhe ashpërsi në një hap me aleatët dhe partnerët e saj por pa sqaruar se si do të përgjigjësh: ushtarakisht apo do të vazhdojë me sanksione ekonomike. Në faqen e Nato-s nuk njoftohet i njëjti kumt! Në fjalët e njoftimit: “Ne e dimë lëvizjen e radhës të Rusisë. Rusia po hedh bazat për të aneksuar territorin ukrainas që po pushton, duke shkelur drejtpërdrejt sovranitetin e Ukrainës. Nëse Rusia vazhdon me planet e saj të aneksimit, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me shpejtësi dhe ashpërsi në një hap me aleatët dhe partnerët tanë”.
Por është e qartë se bëhet fjalë për një përgjigje të mundshme nga SHBA-ja dhe jo nga Nato-ja pavarësisht se ambasada citon në titull Nato-n. Por qoftë edhe kështu, deri tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë.
Sidoqoftë, Stoltenbergu pranoi pas mbledhjes së Nato-s në Madrid (qershor 2022) se “Nato-ja filloi përgatitjet për luftë me Rusinë që në vitin 2014 kur pa se Rusia reagoi në Donbas” pas grushtit të shtetit në Kiev dhe zëvendësimit të qeverisë së Janukoviçit me një qeveri kalimtare pro-perëndimore and anti-ruse. “E vërteta është se ne jemi përgatitur për këtë [luftën] që në vitin 2014. Kjo është arsyeja se pse kemi rritur praninë tonë në pjesën lindore të aleancës, pse aleatët e Nato-s kanë filluar të investojnë më shumë në mbrojtje, dhe pse ne kemi rritur gadishmërinë tonë”.
Ndërsa ai fillon historinë nga veprimet e Rusisë dhe jo nga veprimet e aleancës euro-atlantike, për të treguar se fajin e ka kundërshtari dhe jo aleanca, si gjithë krerët e qeverive perëndimore, këtyre qëllimeve Rusia nuk u beson shumë, jo vetëm sepse elitat perëndimore e fillojnë historinë nga veprimet e Rusisë dhe jo nga veprimet e aleancës, me qëllim që të tregojnë palën kundërshtare fajtore për luftën në Ukrainë, por edhe sepse anglo-amerikanët po përfshihen ndrejtpërdrejt në luftë.
Rusia akuzoi për herë të parë SHBA-në për përfshirje të drejpërdrejtë në Ukrainë me shërbimin e saj inteligjent në përgjigje të pohimit të deputetit ukrainas Vadym Skibitsky i cili tha për një gazetë britanike se përpara sulmeve me sistemin amerikan të raketave Himars ushtria këshillohet me inteligjencën amerikane dhe ukrainase dhe se Uashingtoni kishte një veto mbi objektivat e synuar.
“Është administrata e Bajdenit që është drejtpërdrejt përgjegjëse për gjithë sulmet me raketa nga Kievi mbi zonat e banuara dhe infrastrukturën qytetare në qendra të banuara në Donbas dhe rajone të tjerë, të cilët kanë përfunduar në vdekje të shumta qytetarësh” tha ministria e mbrojtjes ruse ndërsa zëdhënsja e ministrisë së jashtme ruse shtoi se “nuk nevojitet vërtetim tjetër për përfshirjen e drejtpërdrejt amerikane në luftimet në territorin e Ukrainës duke sqaruar se “furnizimi me armë shoqërohet me udhëzime mbi përdorimin e tyre vetëm se në këtë rast ata veprojnë si artilierë në formën e tyre më të pastër”.
E njëjta gazetë citoi dhe ish kreun e partisë labursite Korbinin i cili u bëri thirrje vendeve perëndimore të ndalojnë dërgimin e armëve në Ukrainë sepse nuk çon në zgjidhje të konfliktit. Zërat kundër gjeopolitikës perëndimore në Ukrainë kanë munguar kryesisht si pasojë e çensurës; sepse ka plotë zëra që e kundërshtojnë atë. Por me rëndësi është përplasja mes Rusisë dhe SHBA-së: sepse akuza për përfshirje është përshkallëzim dhe mund të çojë në përplasje të drejtpërdrejtë mes superfuqive.
Ndërsa ministria e mbrojtjes ukrainase njoftoi se kishte marrë nga SHBA-ja katër sisteme të tjerë raketash të artilerisë së lëvisshme, Himars, dhe BE-ja njoftoi ndihmën e radhës për Kievin prej 1 miliardë euro, akuzën e Rusisë nuk e vërtetojnë vetëm veprimet e ushtrisë ukrainase, e cila përfshihet në zonat e banuara që të mbrohet nga sulmet ruse, për të cilat kam shkruajtur disa herë, sepse media perëndimore tregon gjithnjë sulmuesin dhe jo veprimet e paligjshme të ushtrisë së sulmuar, por dhe nga “Amnesty International” (AI): sipas një raporti me titull “Taktikat luftarake të Ukrainës rrezikojnë qytetarët, 4 gusht, 2022”, “forcat ukrainase kanë vendosur qytetarët në rrezik duke krijuar baza ushtarake dhe vendosur armatime në zona të banuara, duke përfshirë shkollat dhe spitalet. Këto taktika shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikojnë qytetarët ngaqë i kthejnë ato në objektiva ushtarake [ndërsa] sulmet ruse me raketa në zona të populluara kanë vrarë qytetarë dhe kanë shkatërruar infrastrukturën qytetare”, citon ajo.
Organizata përmend faktin se “mbrojtja nuk do të thotë se ushtria ukrainase përjashtohet nga respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar”. Ndërsa raporti citon se ushtria ruse ka kryer krime lufte në disa raste, fakt të cilin e kanë pranuar autoritetet ruse, me më kryesorin ministrin e jashtëm rus, organizata nuk “gjeti prova për forcat ukrainase të vendosura në zona civile të sulmohen në kundërshti të ligjit nga ushtria ruse”.
Raporti u raportua nga media ruse por jo nga disa media kryesore amerikane si “New York Times” ndërsa disa media të tjera (Washington Post, The Guardian etj.) e raportuan. Qoftë edhe kur u raportua nga Voa, raporti jo vetëm që nuk citoi përfundimet e raportit të organizatës por anonte nga ”mundësia i të qenit i njëanshëm”, sepse theksoi që në titull “ndjesën” publike të organizatës për “shqetësimin dhe zemërimin” e shkaktuar në Kiev. Edhe kur përmendi faktin se raporti shkaktoi dorëheqjen e kryetares së AI për Ukrainën, përmendi vetëm pohimin e saj se organizata “nuk mori parasysh kundërshtimin e saj ndaj raportit” por jo trysninë nga elita politike ukrainase dhe pushtetet perëndimore ndërsa diplomatët perëndimorë akuzuan autorët e raportit se pretendimet ishin të paqarta, “që dukej se barazonin veprimet mbrojtëse të ushtrisë ukrainase me taktikat e pushtuesve rusë”.
Ndaj raportit të AI pati reagime të menjëhershme në Kiev. Zelenski e akuzoi organizatën se ajo zhvendosi “përgjegjësinë nga agresori tek viktimat” dhe nuk mund “të tolerohet”. Kundrejt reagimit të tij dhe të ngjashmëve reagoi sekretarja e përgjithshme e AI, Agnes Callamard, duke thënë se organizata i “qendron tërësisht hetimit”.
Media perëndimore çensuron dhe krimet e ushtrisë ukrainase, thuajse të përditshme, në zonat e çliruara (kështu e shohin ata që po luftojnë kundër politikave të Kievit që në vitin 2014) nga ushtria ruse në Donbas; ato raportohen nga media ruse por jo nga media perëndimore. Këto krime janë çensuruar që kur shpërtheu lufta në Donbas: në vitin 2014.
Çensurimi i krimeve çoi popujt e vendeve perëndimore të besonin se Ukraina u sulmua padrejtësisht nga Rusia. Ky argument përforcohet dhe nga qendrimet e qeverive perëndimore të cilat përsërisin, qëllimshëm, thuajse çdo ditë togfjalshin “sulm i paprovokuar nga Rusia”. Ky argument përsëritet dhe nga gazetarët në raportet e tyre dhe kthehet në bindje dhe bindja në urrejtje, sidomos për njerëzit e drejtë. Urrejtja dhe bindja, me radhë, shkakton miratimin e politikave perëndimore në Ukrainë pavarësisht efektit katastrofik në perëndim dhe përtej. Këtë çensurë e bën më të dhimbshme dhe fakti tjetër se veprimet e ushtrisë ukrainase janë rezultat i “taktikave” të mësuara nga anglo-amerikanët!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 86 reads



