...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Elitat perëndimore alarmohen me bashkëpunimin Rusi-Turqi dhe gatiten për të shkatërruar ekonominë turke

Eshtë e siguritë se perëndimi do të kundërveprojë në ditën në vijim, sepse marrëdhënia e Erdoganit me Putinin nuk është thjesht politike por kryesisht gjeopolitike

Ylli Përmeti

08/08/2022 - 15:50

Erdogani tha pas takimit me homologët e tij në Teheran se një traktat me ndikim botëror do të nënshkruhet nga Rusia, Turqia dhe Irani. Traktati mund të zgjasë për 20 deri 25 vjet dhe mund të nënshkruhet këtë vit. Në janar pala iraniane parashtroi një plan në Moskë ndërsa kjo e fundit dërgoi variantin e saj në Teheran. Për këtë takim nuk pati shumë zhurmë të madhe në perëndim. Si duket, s`janë në dijeni për hollësitë.

Sidoqoftë, takimi me Putinin dhe Erdoganin në Soçi të Rusisë, alarmoi perëndimin.

Financial Times raportoi se zyrtarët e BE-së dhe 27 anëtarët e bllokut po mbikqyrnin bashkëpunimin turko-rus “shumë nga afër” duke rritur shqetësimin se Turqia po bëhet në rritje një platformë tregtare me Rusinë. Një zyrtar e përshkroi sjelljen turke kundrejt Rusisë si “shumë oportuniste” ndërsa Uashingtoni ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se do të godasë vendet që ndihmojnë Rusinë dhe shmangin sanksionet me “sanksione dytësore” që shënjestrojnë shkeljet përtej juridiksionit amerikan.

Por BE-ja ka qenë më e heshtur për këtë paralajmërim. Sekretari i thesarit amerikan Wally Adeyemo takoi zyrtarët turq dhe bankierët e Stambollit në qershor për t`i paralajmëruar për mos t`u bërë një gyp për paratë e paligjshme ruse ndërsa një zyrtar i lartë perëndimor këshilloi që vendet mund të thërrasin ndërmarrjet dhe bankat e tyre të largohen nga Turqia nëse Erdogani ndjek zotimet që bëri të premten ― një kërcënim i pazakontë kundër një shteti anëtar të Nato-s që mund të gjymtojë ekonominë prej 800 miliardë dollarë nëse firmat e huaja pajtohen ta zbatojnë.

Zyrtari tha se shtetet që kanë vënë sanksione mbi Rusinë mund të veprojnë kundër Ankarasë duke thirrur firmat perëndimore ose të ndërpresin marrëdhëniet me Turqinë, ose të tkurrin marrëdhënien e tyre me Turqinë, në dritën e rrezikut që do të krijohet nga Turqia me zgjerimin e marrëdhënies së saj me Rusinë. Por kjo këshillë u hodh poshtë nga disa zytarë të tjerë perëndimorë, të cilët pyetën se si do të vepronte në praktikë dhe në terma ligjorë dhe nëse është një ide e mirë.

Më tej, raporti nuk harron të përmend faktin se Tuqia është e integruar në sistemin financiar perëndimor dhe markat nga Coca-Cola dhe Fordi deri te Bosch-i dhe BP kanë veprimtari të kahershme dhe shumë fitimprurëse atje. Këto ndërmarrje do të luftonin kundër idesë në fjalë. Por një zyrtar evropian tha se ai nuk i përjashton veprimet negative nëse Turqia afrohet shumë me Rusinë.

Ndërsa ai pranoi se një vendim i BE-së mbi sanksionet kundër Turqisë do të ishte sfidues duke ditur vendimet brenda bllokut, ai këshilloi që disa shtete anëtare mund të veprojnë. Për shembull, ata mund të kërkojnë kufizime mbi financën tregtare ose të kërkojnë nga ndërmarrjet e mëdha financiare të zvogëlojnë financimin e ndërmarrjeve turke. Tre zyrtarë evropianë thanë se nuk ishte biseduar në Bruksel rreth pasojave të mundshme ndaj Turqisë.

Paralajmërimi erdhi një ditë pasi Putini dhe Erdogani ― i cili ka ndjekur atë çfarë ai quan një qasje të “balancuar” ndaj Kievit dhe Moskës që nga koha e luftës në Ukrainë― zhvilluan një bisedë të gjatë kokëpërkokë e cila kulmoi me një zotim të përbashkët për rritjen e volumit tregtar dhe thellimin e lidhjeve ekonomike dhe energjitike ndërsa Turqia u pajtua që të fillojë të paguajë në rubla për gazin rus.

Ata biseduan dhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve bankare dhe pagesave në rubla dhe lira. Erdogani sqaroi se “zhvillimet ishin shumë serioze” për përdorimin e kartave bankare në sistemin rus bankar MIR, i cili lejon Rusinë dhe Turqinë të paguajnë me karta në kohën kur Visa dhe Mastercard kanë pezulluar veprimtarinë në vendet e tyre. Kështu karta MIR do të ndihmojnë turistët rusë të paguajnë për blerje dhe hotele. Ndaj këtij bashkëpunimi zyrtarët perëndimorë kanë frikë se sistemi do të përdoret për t`iu shmangur sanksionet.        

Por është e siguritë se perëndimi do të kundërveprojë në ditën në vijim, sepse marrëdhënia e Erdoganit me Putinin nuk është thjesht politike por kryesisht gjeopolitike, me Turqinë të gatshme të anëtarësohet në bllokun ekonomik të eurazisë ku bën pjesë Rusia, Kina dhe vende të tjerë. Sistemi bankar, për shembull, ku Turqia përfshihet me marrëveshjen e re, është përgatitur kryesisht se pasojë e sanksioneve perëndimore por edhe si qëllim rus pikërisht për të rivalizuar sistemin bankar perëndimor, SWIFT-in.   

Për Shqipërinë, fillimi i luftës ekonomike perëndimore ndaj Turqisë do të ishte një tjetër goditje e madhe jo vetëm sepse financimet turke në vendin tonë janë të mëdha dhe ne varemi nga importet turke por kryesisht në nivel gjeopolitik: Shqipëria do të përballet me zgjedhjen ose BE-në dhe globalizmin neoliberal ku vendet perëndimore dhe veçanërisht Uashingtoni diktojnë politikat e anëtarëve sidomos të vendeve të vegjël ose rendin e ri ku Turqia tashmë ka futur më shumë se një këmbë dhe ku pavarësia politike e anëtarëve respektohet. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA