Ambasada ruse në Tiranë dhe burokratët e qeverisë “Rama” pretendime të kundërta për Konventën e Vjenës
Nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e dispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963
SHJ
24/08/2022 - 21:37
Ambasada ruse në Tiranë iu është përgjigjur pyetjeve të gazetares së Top Channel Anila Hoxha, lidhur me incidentin e ndodhur të shtunën në Uzinën e Gramshit, ku u arrestuan dy shtetas të Rusisë dhe një ukrainas.
Ditën e djeshme, gazetarja Anila Hoxha përmes e-mail kërkoi shpjegime nga selia diplomatike e Rusisë në Tiranë, duke iu shtruar pyetjet: “A keni kontaktuar me shtetasit e arrestuar? A jeni vendosur në dijeni për akuzat ndaj të dyshuarve nga shteti shqiptar” dhe Cili është reagimi juaj për incidentin e Gramshit? A janë spiunë tre të arrestuarit”.
Sot rreth orës 15:34, ambasada ruse iu është përgjigjur pyetjeve të Top Channel, ku thekson se nuk ka marrë asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në Gramsh. Selia ruse thotë se i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme shqiptare informacion për incidentin e ndodhur dhe akuzat e ngritura ndaj rusëve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ambasada thekson se “nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e dispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963, e cila përcakton detyrimin e organeve kompetente të vendit pritës për të informuar menjëherë përfaqësuesit konsullorë për incidentet”.
“Pasi nuk morëm asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në objektin ushtarak në qytetin e Gramshit, Ambasada Ruse në Shqipëri dërgoi më datë 22 gusht të këtij viti një notë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar.
Ambasada ka ndërmarrë gjithashtu në mënyrë të përsëritur përpjekje për t’u lidhur me MEPJ-në e Shqipërisë nëpërmjet telefonit apo postës elektronike. Megjithatë, deri në ditën e sotme të gjitha kërkesat tona kanë mbetur pa përgjigje. Përkatësisht, për rrethanat e incidentit, fatin e shtetasve rusë të ndaluar, si edhe akuzat e ngritura ndaj tyre ne mund të gjykojmë, bazuar vetëm në njoftimet e medias.
Për sa më sipër, nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e dispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963, e cila përcakton detyrimin e organeve kompetente të vendit pritës për të informuar menjëherë përfaqësuesit konsullorë për ndalimin dhe incidente të tjera që ndodhin me shtetasit e vendit që ata përfaqësojnë. Me respekt, Ambasada Ruse nё Tiranё”- kjo është përgjigjja e Ambasadës ruse në Tiranë ndaj Top Channel.
Pala jonë përgënjeshtron pretendimin e ambasadës ruse
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj pretendimit të ambasadës ruse lidhur me mosvënien në dijeni të kësaj të fundit për dy shtetasit rusë të kapur pranë uzinës së Gramshit.
“Lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, z. Gazmend Turdiu deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë.
MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kopetencë tjetër për çështjen në fjalë.
Në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, MEPJ, është e gatshme të verë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 gusht 2022.
Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.
Dëshirojmë gjithashtu të theksojmë se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.”
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 82 reads



