Shqiptarët janë besnikë ndaj perandorive - Rama
Një mashtrim lidhet me energjinë e ripërtëritshme dhe tjetri me pretendimin se shqiptarët janë besinikë ndaj perandorive ndaj largohen të fundit nga ato ndërsa besnikërinë tonë Rama e lidh me kodin tonë shoqëror se ne kur japin fjalën e mbajmë atë…
Ylli Përmeti
30/08/2022 - 18:03
Në mbledhjen e 17-të të “Forumit Strategjik të Bledit” në Slloveni u diskutua tema “Fuqia e ligjeve apo ligjet e fuqisë”. Me fuqinë e parë diskutantët dhe elitat perëndimore përgjithësisht kuptojnë vendet “demokratike” perëndimore ku mbizotëron fuqia e ligjeve ndërsa me fuqinë e dytë kuptojnë elitat “autoritariste” si Rusia dhe Kina. Disa nga të ftuarit shoqëruan pjesëmarrjen e tyre me shkrime në gazetën e forumit ndërsa Rama shkoi duke shkarkuar si gjithnjë “dijen” e tij.
Rama u ftua të fliste pas fjalës së Fonderlejit, presidentes së Komisionit Evropian; kjo e fundit foli shkurtimisht për planet e BE-së për t`u përballur me krizën energjitike ndërsa Rama në pjesën e parë të diskutimit filloi të ironizonte si organizatorët (duke u treguar atyre se cilët duhet të ftonin) ashtu dhe pjesëmarrësit dhe ndjekësit e forumit përkatës.
Nga fjala e tij do të veçoj dy çështje kryesore: njëra që lidhet me mashtrimin e tij se ne si vend kemi energji të ripërtëritshme! Pretendimi i tij është mashtrues sepse vërtet energjia hidrike quhet e ripërtëritshme sepse bazohet në ujë por me thatësirat që po pushtojnë planetin dhe në të ardhmen do ta pushtojnë më shumë, digat e hidrocentraleve po ndryshken (disa po braktisen) pikërisht për shkak të mungesës së rreshjeve dhe sepse siç kam treguar në vend tjetër hidrocentralet me diga të mëdha janë jo-ekonomikë dhe shkaktojnë katastrofë ekologjike dhe si pasojë rrënojnë ekonomikisht popujt.
Çështja tjetër lidhet me pretendimin e Ramës se ne jemi besnikë ndaj perandorive ndaj largohemi të fundit nga ato: ky është një pretendim jo-shkencor sepse nuk bazohet në ndonjë studim. Rama dihet se nuk është studiues dhe është ngjitur në pushtet duke kaluar nga “strunga” e Sorosit ku pasi shijoi bursën e tij, u bë pjesë e PS-së dhe ―me mbështetjen e vyer të “babait” të tij ideologjik― më pas u ngjit në pushtet, si fillim si ministër, më pas si kryebashkiak dhe në fund kryeministër.
Nuk ka, në fjalë të tjera, përvojë lidhur me mobilizimin e popullit. Rama pretendimin e tij ndoshta e ka dëgjuar nga fqinjët tanë të cilët na quajnë “qenë të amerikanëve” duke nënkuptuar besnikërinë tonë ndaj Uashingtonit. Sidoqoftë, nuk është e vështirë të kuptohet se pse populli ynë ka qenë besnik i perandorive si P. Otomane apo Bashkimi Sovjetik (ky i fundit nuk quhet perandori por Rama i fut të gjitha paradigmat sociale në një “thes”).
Së pari, atij i ka munguar dijësimi lidhur me realitetin në të cilin jetonte; së dyti, atij i ka munguar organizimi politik; dhe së treti, pa organizim politik, një popull i nënshtrohet pushtetit dhe përshtatet në dinamikën që krijon pushteti. Këtyre tre faktorëve mund t`i shtojmë dhe një të katërt: frika! Unë kam përvojë shumëvjeçare në organizimin e popullit në protesta dhe ndonëse i kanë mbështetur ato me fjalë, në shesh nuk vjen asnjëri, sepse klasa punëtore ka frikë se pushohet nga puna ndërsa qytetarët kanë frikë se gjobiten me gjoba apo taksa, nga pushtetet e qeverive…
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 65 reads



