...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vuçiçi ‘kërcënon’ Kosovën dhe elitat perëndimore me të drejtën ndërkombëtare

Ka lajme të këqija nga Kosova e Metohija, ku shqiptarët në mënyrë të heshtur dhe tinzare, e me përkrahjen e fuqive të mëdha të Europës dhe të Kuintit, po orvaten ta marrin dhe pushtojnë veriun e Kosovë-Metohisë

Adil Fetahu

09/09/2022 - 14:54

Kryetari i shtetit fqinj, Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, në fjalimin që mbajti dje para punëtorëve dhe qytetarëve në Pozharevcin e S.Millosheviçit, me rastin e hapjes se një fabrike, i drejtoi Kosovës fjalë të ashpra kërcënimi. Tha se “ka lajme të këqija nga Kosova e Metohija, ku shqiptarët në mënyrë të heshtur dhe tinzare, e me përkrahjen e fuqive të mëdha të Europës dhe të Kuintit, po orvaten ta marrin dhe pushtojnë veriun e Kosovë-Metohisë”.

Sot ministri i tyre i punëve të brendshme lajmëroi se plotësisht po e kontrollojnë Liqenin e Gazivodës, që do të thotë shkelje e re e Marrëveshjes së Brukselit, sipas së cilës policia në Veri duhet t’i takojë Drejtoratit të Veriut, respektivisht aty duhet të jenë serbët. Por atyre s’iu ha palla për këtë, po munden. Dhe nëse iu lutemi njerëzve në Bruksel që të mos ndërmarrin më asgjë kundër popullit serb, ata thonë se gjithçka është në rregull, pasi e kanë zgjidhur një problem të vogël, e pastaj vazhdojnë me të vjetrën edhe më keq. Tash po ua them edhe njërës edhe palës tjetër, të mos e bëjnë më këtë, sepse populli serb nuk do ta durojë më dhunën as shkeljen e të drejtës ndërkombëtare e të normave juridike ndërkombëtare. Kjo është tërheqja ime e vërejtjes atyre të cilët nesër do të vijnë në Beograd dhe të gjithë të tjerëve. Keni luajtë, sa keni luajtë! Nëse mund t’i respektoni normat të cilat vetë i keni miratuar – mirë, nëse nuk mundeni – ka kush mundet!

E ashtuquajtura policia e Kosovës dje për herë të parë ka filluar patrullimin e rregullt përgjatë linjës administrative me Serbinë qendrore, si dhe në Liqenin e Gazivodës, ka bërë të ditur i ashtuquajturi ministri i punëve të brendshme të institucioneve të përkohëshme të Prishtinës, Xhelal Sfeçla. Ai në Fejsbuk ka thënë se kjo është hera e parë pas luftës së vitit 1999, që është vënë kjo formë e patrullimi. Ai ka thenë se policia e Kosovës ka nisë patrullimin përgjatë linjës administrative dhe në tërë rajonin e Liqenit të Gazivodës, pas formimit të njësisë patrulluese për patrullimin e ujit”,- ka theksuar Vuçiçi.

Vuçiçi e quan pushtim të një pjesë të territorit të Kosovës nga policia e Kosovës. Dhe kjo i bie sikur ne ta quanim pushtim të Shumadisë, nëse atje dërgohet policia serbe për të kryer patrullim të rendomtë në pajtim me ligjin. Me këtë Vuçiçi kërkon të përforcojë pretendimet e tij territoriale mbi territorin e caktuar të Kosovës, për të kënaqur ambiciet e sëmura të veta dhe të popullit serb.

Këto kërcënime Vuçiçi i bëri pas takimit që pati më 6 shtator me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, nga i cili mund të ketë marrë instruksione për të ngritur tensione e krijuar tepëri ndërkombëtare, për të mos e lenë Ballkanin të qetë.

Sipas lajmit të dhënë në profilin e Vuçiçit në instagram “buducnostsrbijeav”, ka zhvilluar bisedë serioze, të hapur dhe të përzemërt me Harçenkon, lidhur me ngjarjet gjeopolitike në rajon e më gjërë, për gjendjen energjitike dhe për projekte të përbashkëta infrastruturore. Ambasadori rus ia përcolli Vuçiçit porositë e ministrit të jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, se si e sheh ai gjendjen gjeopolitike (dhe natyrisht çfarë duhet të bëjë Serbia, për ta destabilizuar situatën në rajon).

I trimëruar nga përkrahja e ambasadorit rus, Vuçiçi u ngut t’i dërgojë Kosovës, po edhe bashkësisë ndërkombëtare, kërcënimin se populli serb nuk do të durojë më “shkeljen e normave të së drejtës ndërkombëtare”!

Për të shtunën, në ora 8:00, Vuçiçi ka caktuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilën temë kryesore do të jenë – ngjarjet në Kosovë (“e Metohi”) dhe sfidat për sigurinë kombëtare, pas vendimit të qeverisë “Kurti” për dërgimin e njësisë policore të patrullimit në Veri dhe ndalimin e përdorimit të targave me shenja serbe.

Raporti i Voa-s:

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, këshilltarë të kancelarit gjerman Olaf Sholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, filluan të premten takimet në Prishtinë dhe në Beograd në një përpjekje për nxitur përparim në bisedimet ndërmjet palëve.

Pas dy orë bisedimesh në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diplomatët evropianë nuk dhanë hollësi, por i cilësuan ato si shumë të rëndësishme.

“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm dhe besoj e kuptoni se nuk mund të japim hollësi sepse do të kemi diskutimet e njëjta më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç", tha zoti Lajçak.

Kjo është vizita e parë e dy këshilltarëve të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të emëruar javën e kaluar për të mbështetur dhe përshpejtuar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

everia e Kosovës citoi në një komunikatë kryeministrin Kurti të ketë thënë se “Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mire dhe se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me njohjen e ndërsjellë në qendër”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron u kanë bërë thirrje përmes një letre kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Lajçak dhe dy këshilltarët pritet që gjatë mbrëmjes të takohen edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb tha të enjten se “shqiptarët heshtur dhe fshehurazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”, ndërsa akuzoi komunitetin ndërkombëtar se nuk po vepron të pengojë Prishtinën në veprimet e saj që “bien ndesh me marrëveshjet e Brukselit”.

Komentet e tij pasuan njoftimin e autoriteteve në Kosovë se policia ka filluar me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirën e Liqenit të Ujmanit, që ndodhet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Presidenti serb tha se ky veprim paraqet shkelje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërsa kritikoi Brukselin për mosreagim ndaj veprimeve të Prishtinës. Ai paralajmëroi për të shtunën një takim të Këshillit të tij të Sigurisë.

Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pas tensioneve që pasuan vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës. Një masë e tillë është zbatuar nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.

Më një shtator ka filluar të rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.

ashkimi Evropian shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska dhe Pekini.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA