Bota në buzë të pesë pikave të pakthyeshme klimatike dhe katastrofike
Kriza klimatike ka çuar botën në buzë të pikave të pakthyeshme të shumëfishta dhe shkatërrimtare
Ylli Përmeti
09/09/2022 - 17:30
Kriza klimatike ka çuar botën në buzë të pikave të pakthyeshme të shumëfishta dhe shkatërrimtare, argumenton një studim për revistën shkencore “Science”. Sipas tij, pesë pika të pakthyeshme dhe të rrezikshme mund të jenë kaluar. Ato përfshijnë rrënimin e mbulesës së akullit të Greolandës dhe rrënimin e një rryme kyçe në Atlantikun e veriut: e para shkakton rritjen e nivelit të deteve dhe përmbytjen e banimeve dhe fushave pranë brigjeve të deteve ndërsa e dyta prish rrjedhën e shiut mbi të cilin varet jeta e palnetit dhe e miliarda njerëzve për ushqim, dhe një shkrirje të beftë të ngricave të përhershme të pasura me dioksid karboni.
Katër nga pesë pikat e pakthyeshme po lëvizin nga ndoshta drejt të mundshmes.
Një pikë tjetër e pakthyeshme përfshin ndryshime në pyjet e mëdhenj të veriut dhe humbjen e thuajse gjithë akujve të maleve. Në tërësi, studiuesit kanë gjetur 16 pika të pakthyeshme, me gjashtë të fundit të lidhen me ngrohjen globale me të paktën 2 gradë celsius. Pikat e pakthyeshme do të veprojnë në një shkallë kohore e cila ndryshon nga pak vjet në shekuj.
Si mund ta ndalojmë këtë proces?
Ne mund ta ndalojmë procesin e shkatërrimit të jetës planetare vetëm nëse ndalojmë globalizmin neoliberal ose nuk u bindemi elitave neoliberale për të përparuar politikat e tyre shfarrosëse.
Më konkretisht, të refuzojmë të përdorim automjetet me energji fosilesh (naftë etj.); të refuzojmë të udhëtojmë me avionë; të refuzojmë të udhëtojmë me anije; të refuzojmë të ushqehemi me peshkun e deteve dhe oqeaneve; dhe të refuzojmë përdorimin e impianteve me energji fosile si qymyri: sepse të gjitha këto veprimtari janë burimet kryesore të CO².
Nëse ne ndalojmë të gjitha këto veprimtari ―kujtesa jonë është e gjallë nëse kujtojmë efektin e karantinave në vitin 2020― pikat e pakthyeshme mund të bëhen të kthyeshme. Ata që refuzojnë të braktisin këto veprimtari janë armiqtë e jetës së planetit dhe si të tillë duhet të refuzohen dhe dënohen nga përpjekja jonë e përbashkët për të shpëtuar jetën e planetit.
Efektin e karantinave në shëndetin e natyrës e kuptuan disa bashki të disa qyteteve. Ata krijuan me shpejtësi më shumë hapësira për këmbësorët dhe ndaluan qarkullimin e automjeteve në qytete ndërsa inkurajojnë banorët dhe vizitorët të përdorin këmbët dhe jo automjetet. Parisi është një ndër ta; ai kishte planifikuar më parë realizimin e “qytetit 15 minutësh” (qëllimin që banorët të realizonin detyrimet e tyre ditore për 15 minuta duke përdorur këmbët ose dyrrotakët dhe jo automjetet). Qyteti planifikon të mbjellë dhe 170,000 pemë deri në vitin 2026. Qëllimi është të freskohet qyteti dhe ta bëjë më të natyrshëm për lojrat olimpike të vitit 2024.
Një qytet tjetër është Bogota në Kolumbi. Qyteti ka zhvilluar një kulturë çikliste por pandemia përshpejtoi ndryshime të tjera, duke krijuar më shumë linja për dyrrotakët. Të dielave dhe pushimet publike autoveturat ndalohen tërësisht në disa rrugë duke nxitur lëvizjen e më shumë se 1.5 milionë njerëzve me dyrrotakë dhe këmbë. Qyteti ka zhvilluar dhe tranportin publik me bazë energjinë elektrike dhe gazin. Një tjetër qytet është Milanua; dhe një tjetër është San Françiskua.
Por kur i shohim këto përpjekje në raport me shkallën e katastrofës ekologjike, ato janë tejet të pamjaftueshme.
Literaturë:
Qasja lineare e elitave ndaj ndryshimeve klimatike: kurs shkatërrimtar për jetën e planetit
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 43 reads



