...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që pushuan dosjen “Basha” dhe ndërhyrjet politike: Berisha apo Rama?

Nëse ne kërkojmë hetim të propukrorëve dhe gjykatësve që pushuan çështjen, do të kuptohet se kush ka ndërhyrë për mbrojtjen e Bashës.

Ylli Përmeti

18/09/2022 - 08:54

Pas zhurmës mediatike për shkelje të ligjit të pastrimit të parave nga Basha prokurorët filluan të vepronin: Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha firmosën dërgimin e dosjes për gjykim, në dhjetor të vitit 2019, me akuzën e falsifikimit për Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin.

Ish kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj firmosi një ‘udhëzim’ për dosjen hetimore duke sugjeruar kryerjen veprimeve të tjera hetimore, si pyetja e Nicolas Muzin. Por ngaqë koha po skadonte dhe udhëzimi nuk ishte detyrues dhe drejtuesi i prokurorisë konstatoi disa shkelje sipas të cilave veprimet e prokurorëve mund të ishin të pavlefshme, por për shkak të pavarësisë së prokurorit, pavlefshmëria mund të deklarohësh vetëm në gjykatë, tha në atë kohë Imeraj.

Kështu dosja shkoi në gjykatën e Tiranës ku akuza u hodh poshtë nga gjyqtari Lazër Sallaku. Përplasja e prokurorëve vazhdoi në Gjykatën e Apelit, e cila me shumicë votash la në fuqi vendimin e parë. Për shpëtimin e Lulzim Bashës votoi Shpresa Beçaj dhe Alaudin Malaj ndërsa kundër votoi Shkëlqim Mustafai. Kështu prokuroria nuk e ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë!

Berisha në atë kohë besoi pohimin e Bashës se parátë për lobim i kishte mbledhur në diasporën shqiptare në SHBA në përputhje me rregullat [partiake] dhe se pretendimet e gazetës amerikane ishin të pavërteta. Më pas [gjatë vitit 2021] ai akuzoi se dosjen e Bashës e mbylli Rama me ndërhyrjen e Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të qeverisë së tij. Gjatë të njëjtit vit ai e ka akuzuar Bashën për dy dosje: ‘Muzin’ dhe ‘Toyota Yaris’. Ky ishte viti e luftës së hapur mes Berishës dhe Bashës. Me këto dy “dosje”, sipas tij, Basha u mbajt peng nga Rama.

Me “rindezjen” e çështjes “Basha” nga amerikanët Berisha kërkoi hetim të saj. Por në 27 mars të viti 2018 (Fax News) ai e quajti trillim të Ramës akuzën ndaj Bashës lidhur me pastrimin e parave. Këtë zhvendosje në qendrime të Berishës po e përdor qeveria “Rama” dhe media pranë saj për të treguar se ai ka ndërhyrë në prokurori për pushimin e hetimeve.

Në fakt, Berisha mund ta shfrytëzojë zhvendosjen në qendrime se s`ka qenë në dijeni të inkriminimit të Bashës, sepse qarkullon dhe një akuzë tjetër mes kasnecëve të qeverisë (Çupi etj.) se ai ka qenë në dijeni. Në këtë drejtim po e ndihmon dhe qeveria dhe media pranë saj. Por me rëndësi është të kuptojmë se kush ka ndërhyrë për pezullimin e dosjes “Basha”: Berisha apo Rama? 

Kjo mund të kuptohet nga koha se kur ndodhi krisja e madhe mes Berishës dhe Bashës dhe nga lidhjet pushtetore mes Berishës dhe prokurorëve. Krisja e madhe ndodhi gjatë vitit 2021 kur Berisha u shpall i padëshirueshëm nga SHBA-ja dhe më pas ambasada amerikane kërkoi përjashtimin e tij nga kuvendi.

Përpara këtij viti Kimi shkonte në selinë e PD-së dhe darkonte me Bashën për të “folur për të ardhmen dhe jo të kaluarën...dhe për rëndësinë e udhëheqësve të përmbushin pritshmëritë e popullit”. Në atë kohë ajo nxiste reformën zgjedhore dhe kërkonte nga Basha dhe partia e tij të kontribonte në këtë drejtim. Megjithatë, gjatë të njëjtës kohë, Basha është kërcënuar nga amerikanët për shkeljet e tij. Kërcënimi kuptohet në përshtatjen e tij me qëllimet amerikane. Përshtatjen e tij me siguri e ka vërejtur Berisha. Por sidoqoftë, krisja e vitit 2021 ishte vendimtare.

Mbetet të shqyrtojmë lidhjen pushtetore mes Berishës dhe gjyqtarëve: Beçaj dhe Malaj. E para është ngritur në detyrë me qeverinë “Nano”, në vitin 2004, si anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Më pas ajo u bë anëtare e Gjykatës së Lartë ku vazhdon të jetë kryetare dhe sot. 

Alaudin Malaj është dekretuar nga Nishani si anëtar i Gjykatës së lartë në vitin 2014 kur në qeveri ishte koalicioni “Rama-Meta”. Nuk ka të dhëna të tjera për të se kur është emëruar gjykatës por ka shumë akuza për korrupsion. Gjykatësi tjetër, Mustafai, që vitoi kundër Bashës, është pushuar nga KPK-ja për veprime të rreme në shitjen e një apartamenti me qëllim justifikimin e pasurive të tjera etj. Për gjyqtarin që hodhi poshtë akuzën, Sallakun, nuk ka të dhëna përveç faktit se ka qenë gjyqtar` “CEZ-it”, Izet Haxhisë dhe Ardian Fullanit.

Gjykuar nga këto fakte ne mund të nxjerrim përfundime se në sistemin e drejtësisë ka ndërhyrë Rama për ta përdorur Bashën kundër Berishës, sepse ai ishte në dijeni që në fillim të vitit 2019 se Berisha “nuk e kapërcente dot oqeanin” drejt SHBA-ve. Duke ditur këtë fakt ai përgatiti “planin” për të kërcënuar Bashën (përmes amerikanëve) për shkeljet e tij ligjore dhe për ta përshtatur në “planin” e tij ―përjashtimin e Berishës nga kuvendi― me pasojë përçarjen dhe dobësimin e PD-së.

Nuk është e vështirë të kuptohet ky plan për sa kohë që ai ishte në dijeni të planit amerikan dhe për sa kohë që politikat e Ramës pengoheshin më shumë me Berishën se sa me Bashën. Kështu zgjodhi të luftonte “më të fortin” me njeriun e tij përmes taktikës “përça dhe sundo”. Por nuk ia arrit dot qëllimit: sepse Berisha u kthye në krye të partisë dhe në zgjedhjet e ardhshme do të përballet me të, megjithëse Rama mund të jetë i kënaqur dhe me trazirën që shkaktoi në PD.

Por mund të ketë ndërhyrë dhe Berisha: sepse megjithëse ai ishte në dijeni se amerikanët e kishin përfshirë në listën e të padëshirueshmve, ai ushqente shpresën se me mbështetjen e Bashës nuk do t`i “hynte gjemb në këmbë” për sa kohë që përmes PD-së mund të mbrohësh nga sulmet amerikane dhe qeverisë “Rama” ―jo vetëm duke përdorur kundër-propagandën por dhe kërcënime me çqendrueshmëri shoqërore.  

Sidoqoftë, nëse ne kërkojmë hetim të propukrorëve dhe gjykatësve që pushuan çështjen, do të kuptohet se kush ka ndërhyrë për mbrojtjen e Bashës: sepse hetimi do të nxjerrë fajtorët! 

Ky editorial është rishikuar një ditë pas publikimit

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA