Plani` Putinit me referendumet në Ukrainë
Plani i Putinit me referendumet në dy republikat e Donbasit dhe dy rajonet e Ukrainës nuk është vetëm t`i bashkojë ata me Rusinë por dhe t`i forcojë ushtarakisht dhe t`i japë fund luftës
Ylli Përmeti
24/09/2022 - 08:58
Në mëngjesin e 21 shtatorit Putini iu drejtua popullit rus me një fjalim në të cilin ai deklaroi mobilizimin e pjesshëm të forcave në Rusi. Ai tha se ushtria po përballësh me operacionet ushtarake të gjithë perëndimit në një linjë fronti prej më shumë se 1,000 km në Ukrainë. Putini tha gjithashtu se Rusia do të mbeshtesë plotësisht referendumet në Luhansk, Doneck, Kerson dhe Zaporizhia (15% të territorit ukrainas ose sa Hungaria: Reuters) për t`u bashkuar me Rusinë. Ai akuzoi perëndimin për nisjen e një luftë kundër Rusisë në Ukrainë në vitin 2014.
“Në politikën e tij anti-ruse perëndimi ka kaluar çdo kufi” tha ai, duke akuzuar perëndimin për planifikimin e shkatërrimit të Rusisë duke përdorur shantazhin bërthamor. Ai tha se do të përdorte “gjithë mjetet e përdorshme për ne” dhe se ata që po përpiqen të përdorin shantazhin bërthamor kundër Rusisë do të përmbysin gjendjen kundër tyre. Ai tha se “nuk blofon”.
Më herët në fjalimin e tij ai tha se “qëllimi i perëndimit është të dobësojë dhe shkatërrojë Rusinë. Ata po e thonë hapur në vitin 1991 kur arritën të shkatërronin Bashkimin Sovjetik dhe tani është koha për vetë Rusinë, se Rusia do të përçahet ku popujt do të luftojnë me njëri-tjetrin. Ata i kishin këto plane për një kohë të gjatë”. Ai tha edhe një herë se perëndimi “krijoi popullin ukrainas, mish për top dhe e shtyu atë në luftë”, dhe se ata “përdorin ushtrinë kundër popullit civil, duke organizuar genocid dhe bllokadë dhe terror kundër popullit që refuzoi të njihte pushtetin e Ukrainës”.
Plani i Putinit me referendumet në dy republikat e Donbasit dhe dy rajonet e Ukrainës nuk është vetëm t`i bashkojë ata me Rusinë por dhe t`i forcojë ushtarakisht dhe t`i japë fund luftës. Rezervistët e mobilizuar do të shërbejnë në këtë drejtim. Me bashkimin e tyre Rusia mund të përdorë çdo lloj arme “duke përfshirë dhe armët strategjike”, për t`i mbrojtur ata, dhe të mënjanojë kërcënimet perëndimore përmes Nato-s.
“Rusia njoftoi se ajo nuk mobilizon vetëm aftësitë e saj por gjithashtu çdo armë ruse duke përfshirë dhe armët bërthamore dhe armët e bazuara në parime të rinj që mund të përdoren për mbrojtje. Rrjedhimisht, idiotët e ndryshëm në pension me mendje gjenerali nuk kanë nevojë të na frikësojnë, duke thënë se Nato-ja do të sulmojë Krimenë. Hipersoniket do të jenë të afta të arrijnë Evropën dhe SHBA-në shumë më shpejtë, e garantuar”, tha Medvedevi pas njoftimit për mobilizim të pjesshëm.
Ai shtoi, gjithashtu, se “nomenklaturat perëndimore, në përgjithësi, gjithë qytetarët e vendeve të Nato-s, duhet të kuptojnë se Rusia ka zgjedhur rrugën e saj, dhe nuk ka kthim pas”.
Ndërsa me “rrugën e saj” Rusia nënkupton dhe luftën e saj kundër globalizmit neoliberal të Uashingtonit, për të cilën ka mobilizuar dhe Kinën dhe vende të tjerë me përparimin e “polit” tjetër botëror, lidhur me mobilizimin e pjesshëm të ushtrisë ruse në Ukrainë, në perëndim mbizotëroi teza se ajo lidhet me dobësimin e ushtrisë ruse duke e ilustruar me tërheqjen e saj nga rajoni` Karkivit.
Por shtypi perëndimor tregoi dhe një arsye tjetër: “shqetësimet” e Indisë dhe Kinës të shprehura në mbledhjen e fundit të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim në Uzbekistan; ata i kërkuan Putinit përfundimin e konfliktit atje sa më shpejtë të jetë e mundur. Putini pranoi në mbledhjen në fjalë se Shija kishte “pyetje dhe shqetësime” rreth luftës në Ukrainë ndërsa kreu i Indisë, Modi, tha publikisht se “epoka e sotme nuk është një epokë për luftë”.
Faktin se ushtria ukrainase është fuqizuar e ka pranuar Kremlini por arsyeja kryesore e tërheqjes nga rajoni në fjalë lidhet me qëllimin e tij për të bashkuar rajonet përkatëse me Rusinë përmes referendumeve me qëllim që të ketë mundësi t`i mbrojë me “armë strategjike” dhe të ndalojë luftën, sepse besohet në Moskë se perëndimi dhe Kievi nuk do të guxojnë të sulmojnë rajonet përkatëse duke ditur se Rusia mund të përdorë “armë strategjike” kundër tyre.
Për këtë plan Putini ka mbështetje të gjerë popullore. Madje mes tij gjendet një pakicë “ultranacionaliste” e cila nxit ate për veprime më të fuqishme: “ajo kërkon shpalljen e një lufte të shkallës së plotë duke shtyrë rekrutuesit e rinj në betejë dhe duke mobilizuar gjithë popullin dhe ekonominë”. Kjo pakicë qendron në skaj të politikës ruse dhe përbëhet nga blogerë ushtarakë dhe komentatorë në Telegram dhe ka jehonë politike. Ata janë bërë aq të zëshëm saqë zëdhënësi i Kremlinit u dërgoi atyre një paralajmërim për mos ta çuar kritikën tejet larg.
Putini e paraqiti luftën ruse si luftë për ekzistencë, se Rusia po mbronte veten nga një perëndim që donte të “dobësonte, ndante dhe shkatërronte Rusinë” dhe se ajo ishte gati të përdorte armë bërthamore si përgjigje. Ndërsa kjo paraqitje përputhet me faktet, ajo ka dhe një efekt tjetër: të detyrojë Kievin dhe perëndimin të pranojnë fitoret e Rusisë në konflikt. Organizimi i nxituar e referendumeve hamendësohet të vendosë kufirin të cilin Kievi dhe perëndimi nuk duhet ta kalojnë. “Putini kërkon”, siç citon me vend FT, “të shkëshillojë Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë nga sulmet në atë çfarë Kremlini tani quan “territor rus” ― duke shtruar rrugën për mobilizim të plotë ose edhe luftë bërthamore nëse ata [perëndimorët] këmbëngulin”.
Burimet perëndimore thonë se rezervat e rezervistëve kombëtare ruse janë 2 milionë vetë por pak janë trajnuar ose quhen të gatshëm për të luftuar. Një studim i vitit 2019 tregonte se Rusia kishte 4,000 deri 5.000 rezervistë në kuptimin perëndimor ―që marrin trajnim mujor dhe vjetor megjithëse ajo nisi një nismë në vitin 2021 për të krijuar një rezervë të përhershme.
SHBA-ja, Gjermania dhe Franca dënuan “planin rus” për referendume dhe i quajtën ata ‘të rremë’ dhe se nuk do t`i njihnin kurrë rezultatet kur media perëndimore tregonte se referendumet u thirrën nga zyrtarët e rajoneve përkatës dhe jo nga Rusia; kjo e fundit thjesht i mbështeti. Sidoqoftë, qëndrimi i tyre bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, “Sovranitet, Secesion, Vetë-Vendosje, Kufij”. Përcaktimi i të drejtës në fjalë, është i qartë: “E drejta për të vendosur mbi statusin politik të një populli dhe vendin e tij në komunitetin ndërkombëtar në raport me shtetet e tjerë, duke përfshirë ndarjen [shkëputjen] nga shteti ekzistues nga i cili grupi në fjalë është pjesë e tij, dhe të krijojë një shtet të ri të pavarur”.
Edhe në këtë rast, Rusia shfrytëzoi të drejtën ndërkombëtare me “thirrjen” e referendumeve: “thirrja” erdhi nga vetë banorët e rajoneve dhe jo nga Rusia pavarësisht se mund të thuhet se dëshira e tyre mund të jetë diktuar nga Moska. Ky është një parakusht që e kërkon e drejta ndërkombëtare. Ndaj banorët përkatës u përputhën me të. Sigurisht, perëndimi do të tregojë kushtet në të cilët zhvillohen referendumet, sepse ata vërtet nuk janë të përshtatshëm: ata zhvillohen në kushte lufte, me prani ushtarake ruse dhe pa prani ndërkombëtare, megjithëse Rusia tregoi 133 vëzhgues (nga Italia, Gjermania, Venezuela dhe vende të tjerë) ishin në terren por jo nga OSBE-ja. Sidoqoftë, qëllimi përligj “mjetin” e parashikuar në të drejtën ndërkombëtare.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 43 reads



