Nisma e OP-së për “minimumin jetik” rrezikon të kthehet në fiasko dhe dhuratë për qeverinë “Rama”
Raporti “pensionistë-punëtorë” do të tkurret (nëse qeveria nuk vepron për të parandaluar largimin e klasës punëtore) kur dihet se janë kryesisht punëtorët që mbulojnë shpenzimet e administratës publike ndaj të cilës qeveria aktuale po premton rritje rrogash
Ylli Përmeti
09/10/2022 - 09:32
Organizata Politike është duke mbledhur firmat për “minimumin jetik”―kryesisht për rritjen e pensioneve ― sepse minimumi prej 180 mijë lekë të vjetër i llogaritur nga Avokati i Popullit, lidhet kryesisht me kategorinë e pensionistëve dhe jo me rrogën minimale të klasës punëtore për sa kohë që kjo e fundit është më e lartë. Por nuk ka përmendur efektin e rritjes në fjalë mbi qytetarët ose klasën punëtore ndërsa ka përmendur faktin se “minimumi jetik” do të rriste fuqinë blerëse dhe do të rriste të ardhurat për ndërmarrjet dhe se ai do të burojë nga “lufta e paepur ndaj korrupsionit; sekuestrimi i pasurive të krimit të organizuar, dhe pushtetarëve të korruptuar; taksimi i fortë i oligarkëve dhe taksimi i drejtë dhe proporcional i më të pasurve”! Ky synim, sipas saj, do të ndalonte dhe largimin e punëtorisë.
Ndërsa nuk përmendet nevoja e taksimit të korporatave të huaja...argumenti se “minimumi jetik” do të rriste fuqinë blerëse dhe rrjedhimisht të ardhurat për ndërmarrjet ku përfshihen dhe ndërmarrjet e mëdha ose oligarkia ekonomike, është i drejtë: sepse e ka këtë efekt rritja e fuqisë blerëse në popull. Por oligarkitë neoliberale përdorin kundërargumentin se ato do të kenë më pak kursime dhe rrjedhimisht më pak investime dhe punësime nëse ato taksohen më shumë për këtë qëllim ndërsa nuk përmendin paralelisht efektin e rritjes së fuqisë blerëse!
Hamendësisht, për të ruajtur dhe rritur pasurinë e tyre. Këtë argument e mbështesin dhe partitë politike neoliberale me në krye PS-në. Ndaj OP-ja do të përballet me argumentin që përmenda dhe për të njëjtën arsye, kundërargumenti duhet të jetë më i qartë dhe duhet të mbështetësh jo vetëm mbi një studim por nga firmëtarët: sepse do ta bënte më ‘demokratike´kërkesën dhe më të fortë për sa kohë që ajo nuk mjaftohet vetëm me synimin por tregon dhe burimin ekonomik.
Kujtoj se numëri i pensionistëve në Shqipëri është 668, 890 vetë, 1.2 herë më i lartë se viti 2012 me pensionet urbane të rriten çdo vit dhe pensionet rurale (ose fshatare) të bien! Pensionet ndahen në tre kategori: familjare; invaliditeti; dhe pleqërie, duke mbizotëruar këta të fundit.
Paralelisht shkalla e punësimit të moshës 15-64 vjeç është rreth 64% ose rreth 2/3 e gjithë popullsisë së vendit tonë ose rreth 1.3 milionë punëtorë ndërsa papunësia raportohet të jetë rreth 11.1%; pjesa tjetër është ekonomikisht joaktive. Forca punëtore, në fjalë të tjera, është tkurrur vitet e fundit. Për shembull, në vitin 2015 ajo ishte rreth 2 milionë por në vitin 2021 ajo u tkurr sidomos mes moshave 15-19 dhe 20-24 vjeç, me tkurrje më të ulët për moshat e tjera. Janë, në fjalë të tjera, rreth dy punëtorë për një pensionit nga tre punetorë që ishin në fillim të mandatit të qeverisë “Rama”! Ky raport po tkurret kryesisht si pasoje e largimit të forcës punëtore jashtë vendit!
Nga kjo dinamikë kuptojmë se raporti “pensionistë-punëtorë” do të tkurret (nëse qeveria nuk vepron për të parandaluar largimin e klasës punëtore) kur dihet se janë kryesisht punëtorët që mbulojnë shpenzimet e administratës publike ndaj të cilës qeveria aktuale po premton rritje rrogash!
Ndryshe, do të përfundojë një tjetër fiasko që organizatën në fjalë më shumë do ta dëmtojë se sa ndihmojë. Aktualisht ajo po mbështet por kur të mblidhen firmat dhe të shkojë kërkesa në kuvend, ky i fundit ―le të hamedësojmë se do ta miratojë― do të mendojë se nga do ta gjenerojë shumën që nevojitet për të rritur “minimumin jetik”.
Gjykuar nga politikat 9 vjeçare të qeverisë “Rama” ―se ajo ka prekur të ardhurat e larta ndryshe nga qeveria pararendëse por nuk ka prekur të ardhurat e korporatave të huaja si ato të naftës dhe konçesioneve―dhe si qeveri nuk përfaqëson klasën punëtore pavarësisht se së fundmi Rama përmend ndonjë herë se qeveria e tij përfaqëson “partinë e punës”, duke nënkuptuar se ajo është “punëtore”, ajo me shumë gjasa do ta gjenerojë shumën përkatëse nga forca punëtore më të ardhura të ulëta!
Në këtë mënyrë OP-ja ―e cila ka për detyrë të mbrojë kryesisht klasën punëtore― dëmtohet, sepse klasa punëtore do t`i thojë se ti ndihmove pensionistët me djersën tonë dhe jo me rrogat e atyre që vjedhin shtetin, dhe qeveria “Rama” del edhe një herë “faqebardhë” duke mbrojtur të ardhurat e kleptokratëve dhe duke gjymtuar të ardhurat e klasë punëtore!
Nëse OP-ja ndryshon qendrim kur të çojë firmat në kuvend, duke kërkuar nga ky i fundit, që shuma e nevojshme të gjenerohet nga klasa e lartë e shoqërisë duke përfshirë dhe korporatat, Rama me siguri do të përgjigjet se kërkesa e qytetarëve nuk “dikton” burimin e të ardhurave; kështuqë, do të thojë Rama, kjo është e drejtë e qeverisë. Kjo përgjigje bëhet shumë e mundshme kur dihet se mbështetja e qeverisë “Rama” ka rënë dhe ai do të priste nga pensionistët që ta shpërblejnë në zgjedhjet e ardhshme meqë u rriti pensionet.
Në këto kushte, OP-ja ose duhet të tërhiqet nga nisma në fjalë dhe të realizojë një studim me qëllim që ta përdorë për të mbështetur nevojën për rritjen e “minimumit jetik”, ose të shtojë këto ditë, në formularin ku firmosin qytetarët, dhe burimin ekonomik, me qëllim që kur të shkojë në kuvend, kërkesa të diktojë burimin ekonomik. Për të vepruar kështu, së pari i duhet të merret vesh me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, meqë si organizatë ka bashkëpunuar prej muajsh me të dhe ka hartuar një projektligj, dhe hamendësisht ka gjeneruar dhe fondin e nismës; dhe së dyti studimi. Nëse nuk vepron kështu, gjithë gjasat janë se OP-ja po punon për qeverinë “Rama-4”!
Megjithatë, le të shtojmë efektin ‘gërryes’ që pritet të kenë hetimet e Spak-ut ndaj klasës politike në muajt në vijim: nëse ky i fundit godet kryesisht qeverinë “Rama”, kjo e fundit, për të treguar se është me shumicën dhe jo me pakicën e popullit, do ta shohë nismën e OP-së si një mundësi për të taksuar më shumë oligarkinë vendore. Nëse vepron kështu, ajo do të përpiqet ta përvetësojë nismën―domethënë, do ta përdorë për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë drejtim do ta ndihmojë masmedia ndërsa OP-ja ka shumë pak hapësirë në të!
Megjithatë, përpjekja e Ramës për ta përvetësuar nismën mund të dështojë nëse Spak-u godet vetë Ramën. Nëse ndodh kështu, OP-ja del faqebardhë nga kjo përpjekje dhe siguron mbështejten e pensionistëve dhe klasës punëtore në zgjedhjet e ardhshme. Me këtë mbështetje ajo e ka të sigurtë shumicën në parlament dhe mund të përparojë politika të drejta me një qeveri joneoliberale. Sidoqoftë, ky përfundim, varet nga lëvizjet e Spak-ut.
Le të përmendim, në fund, faktorin amerikan në Shqipëri: ai kërkon ―përmes ambasadës amerikane― një qeveri neoliberale me qëllim që ta integrojë Shqipërinë dhe rajonin në BE dhe ta kontrollojë atë përmes saj. Amerikanët, kontrollojnë, gjithashtu, Spak-un, të paktën edhe për dy vjet. Si i tillë, faktori amerikan në Shqipëri është vendimtar për çdo qeveri. Nëse ai sheh se OP-ja është “anti-neoliberaliste” ose “anti-globaliste”, ai nuk do ta mbështesë atë―çka nënkupton se Spak-u do të godasë kryesisht opozitën se sa qeverinë “Rama”, sepse opozitën “Berisha-Meta” e ka në shënjestër aktualisht pavarësisht se po ia kursen “plumbat”.
Sidoqoftë, faktori amerikan do të shtrëngohet nga populli dhe herët e vonë Spak-u do të veprojë dhe kundër Ramës. Në këto kushte, dhe duke ditur se Uashingtoni ndryshon qeveri për dy vjet dhe mund të vijnë në pushtet përsëri anti-globalistët e të djathtës amerikane, si pasojë e ashpërsimit të luftës që ka filluar mes neoliberalëve dhe anti-neoliberalëve atje dhe në mbarë botën, faktori amerikan do të detyrohet të tërhiqet nga kërkesa e tij për një qeveri ‘neoliberale’ dhe do të kërkojë një qeveri të qendrueshme dhe të papërlyer me klasën e vjetër politike.
Nga kjo dinamikë mund të përfitojë OP-ja meqë do të jetë e vetmja forcë politike në rritje duke mos qenë pjesë e klasës politike të 30 viteve të fundit; por mund të përfitojë dhe Spak-u meqë pa një qeveri të papërlyer me klasën e vjetër politike ai do të jetë gjithnjë në rrezik.
Ky editorial është përmirësuar pas publikimit të parë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 85 reads



