...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

AAK-ja e komunës së Vitisë synon realizimin e një hekurudhe për zhvillimin ekonomik të saj

AAK-ja (Dega Viti) është menduar gjatë lidhur me këtë temë dhe ajo do të dalë me një shtjellim më të hollësishëm më vonë

SHJ

14/10/2022 - 12:11

Jemi në shekullin ku qendrueshmëria sociale, ekonomike, kulturore, por edhe psikologjike, vjen si rrjedhojë e aftësive të individëve për të lëvizur. Lëvizja në distanca, për t`u larguar nga një vend dhe për t`u afruar me një tjetër dhe anasjelltas, është bërë domosdoshmëri në zhvillimin e një ekonomie kapitaliste. Ekonomia lëviz, mallrat lëvizin, shërbimet lëvizin dhe njerëzit duhet të kenë mundësinë e një lëvizje të lirë, të shpeshtë dhe të shpejtë.

Çështja është se lëvizshmëria jonë mbetet tepër e kufizuar, pavarësisht përshtypjes që na çon të mendojmë se njerëzit po lëvizin tepër. E kufizuar mbetet sepse ende është shumë e varur tek njëri-tjetri, shumë e varur edhe nga kostua financiare, tepër e lartë për shumicën e popullësisë. Shumë e varur edhe nga koha, e cila është element kyç në shkurtimin e distancave gjeografike.

Kështu, nëse në vendin tonë një udhëtim me transport të përbashkët (autobus) nga Vitia në Prishtinë të kushton tre orë kohë (50 km), në Francë për dy orë bënë 500 km. Pra, dhjetëfish më shumë se tek ne.

Ndërtimi i autoudhës ka luajtur një rol të madh në shkurtimin e distancave në vendin tonë. Mirëpo, ajo mbetet e pamjaftueshme në përmirësimin e lëvizshmërisë së qytetarëve tanë. Qytetarët e Vitisë janë ata që më së shumti kanë mbetur të izoluar dhe të kufizuar në lëvizje. Dhe kjo është njëra ndër shkaqet kryesore të zhvendosjes nga Vitia në qendrat e tjera urbane.

Duke qenë se qytetarët e Vitisë janë ata që po e pësojnë më së shumti distancën, komuna e Vitisë duhet të jetë në krye të nismave për të gjetur zgjidhje afatgjatë për shkurtimin e distancave ndërkomunale. Pra, zgjidhje që rikthen dinamikën ekonomike dhe shoqërore në komunën tonë duke e rikthyer Vitinë nga një periferi pa interes në një qendër qarkulluese ndërmjet qendrave të tjera më të mëdha siç janë Gjilani dhe Ferizaji.

Cila mund të jetë zgjidhja afatgjate që komuna e Vitisë të rikthehet në një dinamikë ekonomike, shoqërore dhe tregtare?

AAK-ja (Dega Viti) është menduar gjatë lidhur me këtë temë dhe ajo do të dalë me një shtjellim më të hollësishëm më vonë. Por qysh sot, duam që ta ndajmë idenë tonë me qytetarët tanë për krijimin e një linje hekurudhore ndërkomunale që do të përshkonte Shtimen, Ferizajin, Vitinë, Kllokotin, Parteshin dhe Gjilanin. Kuptohet se më vonë, në skajet e saj, mund të zgjatet deri në Therandë, në njërën anë, dhe deri në Artanë, në anën tjetër. (Lidhja me Bujanovcin nuk lidhet drejtpërdrejt me temën tonë këtu).

Ky projekt do të jetë pika udhëheqëse e programit tonë për qeverisjen komunale sepse prej tij do të varet rilindja e Vitisë dhe e qytetarëve tanë. Po a mund të bëhet vërtetë një gjë e tillë? Po, mund të bëhet dhe realizohet brenda dy mandateve.

Në mandatin e parë do të ndërmarrim nismën e projektit duke ftuar komunat drejtpërdrejt të interesuara, ministritë përkatëse, si dhe organizmat e tjerë financiarë ndërkombëtar për ta mishëruar projektin.

Në mandatin e dytë, linja hekurudhore do të zbatohet dhe realizohet plotësisht dhe qytetarët tanë do të kenë një zgjidhje afatgjatë për lëvizshmërinë e tyre ndërkomunale.

Si do të realizohet financimi?

Financimi do të bëhet në mënyrë publiko-privat. Së pari, do të financohet pjesërisht nga vetë komunat e interesuara si Shtimja, Ferizaji, Vitia, Kllokoti, Parteshi, Gjilani.

Pastaj, një pjesë do të jetë e financuar nga vetë buxheti i shtetit dhe organizmat ndërkombëtarë siç mund të jenë BE-ja përmes subvencioneve apo kredive nga Banka Botërore. Por, mbi të gjitha, duhet të bazohemi edhe tek financimi privat përmes aksioneve, të cilin e mendojmë, fillimisht, të jetë deri në 49% e financimit të projektit. Këtu mund të përfshihen, përveç aksionarëve vendor, edhe mërgimtarët tanë. Ky financim do të bëhet përmes aksioneve të cilët mund të blihen në shumat e paracaktuara.

Detajet e një projekti të tillë dhe diskutimet publike do të jepen në një të ardhme të shkurtër. Mirëpo, do të jetë zotimi kryesor i AAK-së në Viti dhe, me siguri, njëri prej zotimeve kryesore edhe të AAK-së në nivel vendi. Linja hekurudhore do të bëhet sepse është domosdoshmëri e Vitisë dhe ndërlidhje e fuqishme me zhvillimin ekonomik të komunës sonë. Andaj, zotohemi për realizimin e këtij projekti dhe kërkojmë përfshirjen e çdo qytetari të Vitisë për realizimin e tij.

Kryesia e AAK-së, Viti   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA