Vendimi i gjykatës hidhëron shqiptarët dhe gëzon serbët - Kathimerini
Raporti i Kathimerinis sjell ndjesinë e kundërt mes shqiptarëve dhe serbëve dhe përmend disa nga anët më të rëndësishme të dënimit por jo më të rëndësishmen: se vendimi i gjykatës nuk është vetëm i padrejtë nëse e shohim nga këndvështrimi ligjor por dhe qesharak
Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)
18/09/2026 - 17:48
E mërkura, 16 shtator 2026, do të regjistrohet si “ditë e zezë” në historinë e kombit shqiptar, por si “përligjje” për serbët. Dënimi i katër prej drejtuesve kryesorë të UÇK-së, me në krye udhëheqësin e saj dhe për shumë vite presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, me burgime nga 13 deri në 25 vjet, për krime gjatë “luftës për pavarësi” të viteve 1998–1999, e zhyti botën shqiptare në zi dhe shkaktoi gëzim te serbët.
Shqiptarët e përjetuan vendimin e gjykatës, e cila u krijua me vendim të Kuvendit të Kosovës, por kishte selinë në Hagë dhe gjyqtarë të huaj, si njollosje të luftës së tyre nacionalçlirimtare kundër pushtimit serb, luftë të cilën UÇK-ja e përballoi me armë.
Ata e pritën vendimin me protesta të zemëruara si në Kosovë dhe Shqipëri, ashtu edhe në vendet evropiane ku jetojnë bashkatdhetarë. Me përjashtim të disa gurëve dhe vezëve të hedhura ndaj zyrave të OKB-së dhe EULEX-it në kryeqytetin e Kosovës, kundërshtimet nuk u shndërruan në veprime të dhunshme.
Debati për vendimin u zhvillua me tone të larta, ndërsa politikanët shqiptarë, por edhe ish-zyrtarë amerikanë (Wesley Clark, James Rubin etj.) që kishin qenë të përfshirë në luftë në krah të shqiptarëve, e dënuan njëzëri atë.
Megjithëse gjyqtari Carl Smith sqaroi se gjykata nuk dënoi luftën e armatosur të UÇK-së, por njerëz të caktuar të udhëheqjes së saj, si përgjegjës për vrasjen e qytetarëve serbë, romë dhe bashkëkombësve të cilësuar si “tradhtarë”, shqiptarët e quajtën dënimin si një vendim-njollë për kombin e tyre.
Armiqtë serbë “festojnë”, duke e quajtur aktgjykimin e gjykatës së Hagës si një përligjje për ta, pasi, sipas tyre, ai fuqizon rrëfenjën se UÇK-ja ishte një ushtri vrasësish dhe se si e tillë do të shënohet tashmë edhe me “vulë gjyqësore” në histori.
Do të bëhet apel
Sa i përket zhvillimit gjyqësor të çështjes, pritet të ankimohet. Shpresat e shqiptarëve për pafajësi në Gjykatën e Apelit ushqehen nga rasti i gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili, megjithëse ishte dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte në Jugosllavi me 24 vjet burg, u shpall i pafajshëm në shkallën e dytë.
Dënimi i drejtuesve të UÇK-së shkaktoi një bashkim kombëtar të shqiptarëve kudo që ndodhen, të cilët kundërshtojnë të pranojnë se bashkësia ndërkombëtare, e cila praktikisht ua paraqiti pavarësinë e Kosovës në “tabaka të artë”, tani vjen për të rrëzuar nga panteoni i heronjve të tyre figurat kryesore të kryengritjes së armatosur dhe për të hedhur hije mbi luftën e tyre.
Ironia tragjike është se ishte Kuvendi i Kosovës ai që, me nxitjen edhe të vetë presidentit të Republikës në atë kohë, Hashim Thaçit, në vitin 2015 votoi – nën trysninë e faktorit ndërkombëtar – krijimin e një gjykate me gjyqtarë të huaj, e cila do të hetonte dhe gjykonte çështje të vrasjes së civilëve gjatë luftës, mbi bazën e raportit të përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, prokurorit Dick Marty.
Në vitin 2020, prokurori i gjykatës ngriti akuza ndaj Thaçit dhe tre bashkëpunëtorëve të tij për krime lufte dhe zhdukjen e të paktën 160 civilëve, dhe i la ata në paraburgim.
Kryetari i gjykatës, Smith, deklaroi të mërkurën se gjykata nuk arriti të provonte një akuzë për krime kundër njerëzimit, çka u paraqit si dëshmi se UÇK-ja nuk kishte hartuar plane për shfarosje masive apo edhe gjenocid.
Megjithëse gjatë zhvillimit të gjyqit Tirana dhe Prishtina kishin shkëmbyer shigjeta helmuese, për momentin nuk duket se kjo ka ndonjë ndikim në skenën e brendshme politike shqiptare, as në marrëdhëniet mes dy palëve.
Sigurisht, në frontin e dialogut me Beogradin, për normalizimin e marrëdhënieve, nëse dhe kur ai të rifillojë, shqiptarët e Prishtinës do të detyrohen të ulen në tryezë, nëse vendimi nuk ndryshon, duke mbartur me vete dënimin “poshtërues” të Hagës, çka dobëson pushtetin e tyre në bisedime.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



