...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zgjedhjet gjysmëmandatore në SHBA përfundojnë luftën në Ukrainë dhe shkaktojnë ‘tërmet’ në Evropë

Senati dhe dhoma e përfaqësuesve pas zgjedhjeve gjysmëmandatore të fillim nëntorit mbizotërohen nga republikanët

Ylli Përmeti

22/10/2022 - 08:47

Gjatë javës së tretë të tetorit, 2022, një lajm tërhoqi vëmendje të veçantë: lajmi se republikanët amerikanë do të ndalonin ndihmën ushtarake dhe financiare ndaj Ukrainës kur të kontrollojnë dhe senatin dhe dhomën e përfaqësuesve.

Më konkretisht, udhëheqësi i pakicës së dhomës Kevin MvCarthy tha se ai parashikon vështirësi në miratimin e ndihmës shtesë për Ukrainën, nëse partia e tij fiton dhomën e ulët të Kongresit, një rezultat i parashikuar nga sondazhet e fundit. Për qendrimin e tij qeveria e Kievit u trondit duke gjykuar nga fakti se me vizitën e fundit në SHBA kishte marrë mbështetje dypartiake.

Ndarjet partiake kanë filluar që në maj kur 11 senatorë republikanë dhe 57 republikanë Dhome kundërshtuan një ndihmë prej 40 miliardë dollarë për sigurinë e Ukrainës. Ligjvënësit dhe analistët presin që kundërshtia republikane të rritet në Kongresin tjetër, veçanërisht kur zgjedhjet e përgjithshme të afrohen. Republikanët kundërshtojnë jo vetëm pabarazinë e ndihmës në raport me evropianët por dhe mungesën e mbikqyrjes së ndihmës ndërsa administrata e Bajdenit pret që konflikti të përfundojë në tryezën e bisedimeve.

Aktualisht republikanët në senat mbështesin administratën e Bajdenit; madje dy ditë pas paralajmërimit të MvCarthy-it, Mitch McConnel, kreu i senatit, i bëri thirrje administratës në fjalë të rriste ndihmën për Ukrainën, duke veçuar nga kundërshtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët paralajmëruan se ndihma për Ukrainën mund të kontrollohet nëse ata merrnin kontrollin e dhomës së ulët. Madje ai pretendoi se një senat i kontrolluar nga republikanët do ta bënte ndihmën shtesë për Ukrainën çështje qendrore.

Të gjitha këto kur Bajdeni ka filluar fushatën zgjedhore përmes të cilës akuzon republikanët se do të “shpërthejnë deficitin” dhe “shkatërrojnë ekonominë” amerikane me planet e tyre për shkurtime të mëtejshme të taksave, nëse ata kontrollojnë Kongresin, ndërsa ballafaqohet me ta mbi kufizimin e borxhit dhe shpreson se në dy javët e mbetura deri ditën e zgjedhjeve të ndryshojë mbështetjen e popullit amerikan, ndërsa republikanët e sulmojnë atë për ekonominë, veçanërisht për inflacionin e lartë, dhe sondazhet tregojnë mbështetje më të madhe për republikanët (kryesisht për shkak të inflacionit), dhe ndihma për Ukrainën duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit dhe më pas të nënshkruhet nga presidenti. 

Republikanët janë të ndarë mes McCarthy-it dhe McConnell-it. Ky i fundit mbështetet dhe nga ish-zëvendës-presidenti Mike Pence  ndërsa i pari nga Trampi. McCarthy ka kundërshtuar shumë nga qendrimet e Trampit por pas një takimi që patën të dy në janar të vitit 2021, ai mbështet Trampin. 

Ndërsa Trampi dhe Pensi mbështesin kandidatë të ndryshëm në shtetet amerikane, mbështetja e tyre në radhët e republikanëve është si nata me ditën: sipas një sondazhi (RealClearPolitics/korrik 2022) Trampi mbështetet nga 53% e republikanëve ndërsa Pensi vetëm nga 7%.

Gjykuar nga këto fakte, mund të parashikohet se senati dhe dhoma e përfaqësuesve pas zgjedhjeve gjysmëmandatore të fillim nëntorit mbizotërohen nga republikanët.

Nëse ndodh kështu, politika e jashtme amerikane do të ndryshojë dhe bashkë me të ndihma ndaj Ukrainës do të ndalojë së qeni e tillë ―bujare, siç është tani― dhe bashkë me të, ndalon dhe lufta e armatosur me palët të ulen në tryezën e bisedimeve me Rusinë të deklarojë fitore dhe Ukrainën të pranojë gabimet e saj...    

Një ditë më pas shkroi Financial Times një opinion për efektin e fitores së republikanëve në politikat e brendshme dhe të jashtme. Për këto të fundit, ku përfshihet ndihma ndaj Ukrainës, gazeta vlerëson se “nuk ka garanci, ndërsa dimri kafshon dhe ekonomia lëkundet, qoftë edhe njëzëshmëria (konsesusi) mbi Ukrainën [vështirë] të mbijetojë”.

Nuk vonoi dhe Voa; ajo publikoi një ditë më pas një tip “analize” ku shqyrtohet efekti i fitores në fjalë dhe tregohet një fakt i ri: faktin se McCarthy, republikani që paralajmëroi se ndihma ndaj Ukrainës mund të pezullohet pas zgjedhjeve, ka parashtruar një strategji me titull “Përkushtimi ndaj Amerikës”, ku përmblidhen politikat ekonomike, siguria kufitare dhe politikat të tjera të cilat do të diskutohen në ditët e para të Kongresit të ardhshëm. “Analiza” citon, gjithashtu, dhe faktin se “pjesa më e madhe [e përparësive të Bajdenit], nëse jo të gjitha” do të ishin “të vdekura për dy vitet e fundit të mandatit të tij”. 

Mbizotërimin e republikanëve në SHBA e kanë kuptuar disa krerë shtetesh me prirje sovraniste: si fillim Erdogani dhe një ditë më pas ministri i jashtëm i Hungarisë rritën tonin e kritikës ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe Evropës. Erdogani dhe ministrat e tij lidhur me mbështetjen e saj ndaj Greqisë ndërsa ministri i Orbanit kundërshtoi komisioneren e BE-së për çështjet e brendshme Ilva Johanson, e cila tha se blloku është “i përkushtuar...të mbështesë Ukrainën sa të zgjasë [lufta]” dhe se që të “përfundojë kjo krizë, së pari duhet të humbasë Putini”.

Ministri hungarez e akuzoi atë për një qendrim shumë të rrezikshëm sepse ai lidh fundin e një krize me një ngjarje ushtarake, për të cilin, sipas tij, ne nuk e dimë se kur do të ndodhë ose nëse do të ndodhë ndonjëherë. “Qendrimi pro-luftë i Brukselit zgjat luftën dhe vuajtjet. Kjo është tjete e rrezikshme dhe e papranueshme”, tha ai.

Ministri i jashtëm turk, në fakt, shkoi përtej Greqisë dhe kritikoi SHBA-në për, sipas tij, poshtërimin e aleatëve të saj, duke përmendur rastin e Arabisë Saudite, për të cilën tha se duhet të ndalojë kërcënimin e saj për mosbindjen ndaj kërkesave të Uashingtonit për të rritur prodhimin e naftës por të heqë embargon ndaj vendeve prodhuese si Venezuela dhe Irani dhe të ulë çmimet e energjisë.

Mbizotërimi i republikanëve pas zgjedhjeve të nëntorit në Amerikë do të shkaktojë “tërmet” në Bruksel dhe mes elitave neoliberale evropiane ose mes atyre që mbështetën luftën në Ukrainë kundër Rusisë: sepse megjithëse Trampi s`ka qenë i qartë në qendrimet e tij lidhur me luftën në fjalë, ai ka qenë i qartë lidhur me ndihmën e dhënë ndaj Ukrainës―se ajo nuk duhet t`i jepej asaj por popullit amerikan. Madje, me mbizotërimin e republikanëve është e sigurtë se ai do të ngrejë çështjen e hetimit të ndihmës meqënse deri tani ka ngritur mungesën e mbikqyrjes së saj duke nënkuptuar shpërdorimin e saj nga administrata e Bajdenit dhe elita politike e Kievit. Djali i madh i tij, për shembull, ka mbajtur të njëjtin qendrim në fillim të tetorit: “Pse nuk dërgojmë banorët e Floridas në shtëpitë e tyre dhe jetën e tyre normale përpara se të dërgojmë një qindarkë më shumë në Ukrainë”, pyeste ai.   

Pas zgjedhjeve të nëntorit politika e jashtme amerikane do të ndryshojë dhe lidhur me Greqinë: kjo e fundit nuk do të mbështetet sa ç`mbështetet aktualisht në përpjekjen e saj për të sfiduar Turqinë. Ky fakt do ta trimërojë më shumë Erdoganin. 

Ky editorial është përditësuar dhe zgjeruar 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA