...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Studim: gjysma e nxënësve në Maltëzi “analfabetë funksionalë”

Rënie e dukshme e cilësisë së njohurive, me një rezultat dekurajues, ku gjysma e nxënësve cilësohen si analfabetë funksionalë

Voa

17/11/2022 - 08:56

Një analizë e arsimit në Malin e Zi, e kryer nga UNICEF dhe Ministria e Arsimit, paraqet një pamje të zymtë, duke vënë në dukje një "rënie të dukshme të cilësisë së njohurive, me një rezultat dekurajues, ku gjysma e nxënësve cilësohen si analfabetë funksionalë.

Autorët e analizës paralajmërojnë se gjendja e arsimit është "një alarm serioz për shtetin".

“Fakti që testet ndërkombëtare tregojnë se 40 për qind e nxënësve kanë treguar një nivel minimal të kompetencës, edhe pse kanë marrë pjesë në procesin arsimor, se gjysma e nxënësve janë analfabetë funksionalë, që do të thotë, se nuk janë në gjendje të riprodhojnë materialin që lexojnë,” thuhet në analizë.

Analiza po ashtu tregon se “arsimi ka nevojë për një lloj tjetër shkolle dhe mësimdhënësish, jo vetëm për shkak të rezultateve të këqija të vazhdueshme të testit PISA, por sepse çdo qeveri është përgjegjëse për ofrimin e kurseve dhe mësuesve më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë”.

Sipas analizës, megjithëse pandemia e COVID-19 goditi papritur dhe rëndë sektorin e arsimit, sistemi arsimor nuk është angazhuar sa duhet për të kompensuar humbjen e mësimit.

Studimi thekson se me një planifikim të mirë të masave dhe qëndrueshmëri financiare, do të vendoseshin bazat për një përgjigje të fortë ndaj të gjitha sfidave ekzistuese dhe të së ardhmes të sistemit arsimor të Malit të Zi.   

Ndëkohë media serbe...

Këshilli i Agjencisë për Median Elektronike (SAEM) në Malin e Zi kërkoi nga Organi Rregullator për Median Elektronike në Serbi që të iniciojë procedurat për mbajtjen përgjegjës të transmetuesit televiziv "Happy TV" me seli në Beograd, për shkak të asaj që e cilësoi “shkelje të standardeve të përcaktuara nga Konventa për Televizionin Ndërkufitar”. Këshilli kërkoi të ndërmerren masat e duhura ndaj këtij televizioni që ka shikueshmëri edhe në Malin e Zi.

“Ky televizion pa mëdyshje dhe në vazhdimësi transmeton përmbajtje që nxisin urrejtje, intolerancë dhe diskriminim ndaj komunitetit malazez", thuhet në njoftimin e Këshillit të Agjencisë për Media Elektronike.

Në fillim të këtij viti ky këshill, ndaloi transmetimin për gjashtë muaj të programit “Novo jutro”, i cili transmetohej në televizionin serb Pink.

Asokohe, këshilli vuri në dukje se “kjo media është shembull i shkeljes së standardeve profesionale dhe etikës gazetareske”.

Ndërkohë, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, reagoi ndaj rikthimit të televizionit shtetëror rus "Russia today” në Serbi, të cilën e sheh “në kundërshtim me angazhimin e Beogradit për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me BE-në”.

"Veprimet flasin më shumë se fjalët. Kthimi i propagandës ruse në Serbi, në formën e "Russia today", është në kundërshtim me angazhimin e Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me BE-në. Një vend që është një kandidat serioz për anëtarësim në BE, nuk duhet të jetë një qendër dezinformimi nga Kremlini”, shkruante zoti Bilçik në Twitter.

Gazeta ruse “Sputnik” njoftoi të dielën se së shpejti “Russia today” do të fillojë transmetimet në gjuhën serbe.

Në mars, Këshilli i BE-së vendosi të pezullojë transmetimet e mediave shtetërore ruse "Russia today" dhe "Sputnik" në të gjithë vendet e Bashkimt Evropian.

Sipas Brukselit zyrtar, këto dy media janë instrumente të rëndësishme në "nxitjen dhe mbështetjen e agresionit rus" kundër Ukrainës dhe se ato përfaqësojnë një "kërcënim të madh e të drejtpërdrejtë për rendin publik dhe sigurinë e BE-së".

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA