Përpjekja e SHBA-së për të shmangur një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe e Zelenskit për luftë botërore
Në vijim do të tregoj përpjekjen e Uashingtonit për t`iu shmangur një lufte të drejtëpërdrejtë me Rusinë dhe arsyet dhe përpjekjen e Zelenskit për të shkaktuar të kundërtën dhe arsyet e tij.
Ylli Përmeti
17/11/2022 - 15:48
Dy ditë përpara zgjedhjeve gjysmëmandatore në SHBA, gazeta “Washington Post” njoftoi se administrata amerikane ishte udhëzuar që të kërkonte privatisht nga Kievi që të tregojë publikisht se është i hapur për bisedime me Moskën. Sipas saj, e cila citon disa zyrtarë anonimë amerikanë në dijeni të udhëzimit, arsyeja nuk lidhet me inkurajimin e Ukrainës për t`u ulur në tryezën e bisedimeve por të sigurojë se Kievi mban një moral të lartë në sytë e mbështetësve ndërkombëtar. Megjithatë, gazeta nuk harron të citojë mbështetjen e republikanëve. Sipas saj, përqindja e mbështetjes së luftës në Ukrainë ka ndryshuar dramatikisht: në mars vetëm një pakicë prej 6 për qind e republikanëve nuk e mbështeste luftën ndërsa tani ka shkuar në 48 për qind.
Gazeta nuk harron të përmendë, gjithashtu, përparimtarët brenda partisë demokratike: ata i kanë bërë thirrje Bajdenit të përdorë diplomacinë për t`iu shmangur një lufte të gjatë; madje ata kanë publikuar dhe një letër përmes së cilës i bëjnë thirrje Bajdenit të dyfishojë përpjekjet për të kërkuar “një kuadër realist” për ndalimin e luftës.
FT dhe Voa paralajmërojnë fundin e luftës në Ukrainë pas zgjedhjeve në SHBA
Washington Post përmend dhe shqetësimet ndërkombëtare: ato janë veçanërisht të spikatura mes shteteve që ishin kundër luftës që në fillim ose sepse kishin lidhje me Moskën ose sepse nuk donin të mbështesnin Uashingtonin. Afrika e Jugut, për shembull, abstenoi në votimin e OKB-së për të dënuar Rusinë për aneksimin e rajoneve të Ukrainës, duke thënë se bota duhet të përqendrohet në lehtësimin e një armëpushimi dhe zgjidhjes politike. Presidenti i Brazilit, Lula, ka thënë se Zelenski është po aq përgjegjës sa Putini ndërsa kryeministri i Indisë, Modi, ka mbështetur Putinin dhe ka qenë i gatshëm të ndihmojë për bisedime paqeje. Për qendrimin e tij ai është përbuzur nga Zelenski .
Zyrtarët amerikanë besojnë se Zelenski do të mbështesë bisedimet dhe do të pranojë lëshime, siç kishte nënkuptuar në fillim të luftës. Ata besojnë, gjithashtu, se Kievi po përpiqet të realizojë sa më shumë fitime ushtarake të jetë e mundur përpara se dimri të pushtojë vendin, kur mund të ketë një dritare për diplomaci. Thuajse të njëjtin qendrim raportoi pak ditë më pas NBCnews. Sipas televizionit përkatës “disa zyrtarë perëndimorë mendojnë se asnjëra palë nuk mund të fitojë [luftën] dhe e shohin dimrin si një mundësi për diplomaci”.
Megjithatë, unë besoj se arsyeja kryesore se pse Uashingtoni ndryshoi qendrim, lidhur me qendrimet e Kievit në raport me Moskën, lidhet me përfundimin e zgjedhjeve: ato do të ndryshojnë të ardhmen e luftës në Ukrainë pikërisht sepse kongresi me shumicë republikane do të pengojë qëllimin e administratës “Bajden” atje, të cilët në shumicën e tyre ―si në bazë ashtu dhe në kryesi― janë kundër luftës me Rusinë. Kjo arsye nuk mund të shprehet publikisht, sepse do të ndikonte në zgjedhje; ndaj ata e lidhin me arsyen e cituar më herët.
Në fakt, luftën në Ukrainë nuk e ka mbështetur “e majta” dhe “e djathta” e skajshme, siç quhen në SHBA nga mbështetësist e globalizmit neoliberalë. Sipas një analize të dy ‘profesorëve’ amerikanë të publikuar në korrik të këtij viti në revistën amerikane “Foreign Affairs”, “shumë në të majtën dhe të djathtën amerikane kanë nxituar të mbrojnë regjimin e presidentit rus Vladimir Putin ose, të paktën, kanë nxitur SHBA-në të mos ndërhyjë në mbrojtjen e Ukrainës”.
Përpjekjen amerikane për mospërhapjen e luftës e tregon dhe një raport tjetër. Sipas gazetës amerikane “The Wall Street Journal”, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare Jake Sullivan, është përpjekur muajt e fundit pas kuintave për të folur me zyrtarë të lartë rusë me qëllim që të ulë mundësitë e një konflikti më të gjerë, të paralajmërojë Moskën kundër përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe të mbajë kanalet kumtuese të hapur dhe jo të bisedojë një marrëveshje për luftën në Ukrainë.
Më konktretisht, ai ka folur me Yuri Ushakov, një ndihmës për politikën e jashtme pranë Putinit dhe drejtues i këshillit të sigurisë ruse dhe Nikolai Patrushev, kundërpala në qeverinë ruse. Pretendimi u vërtetua pas pak ditësh kur u zhvilluan bisedime mes dy krerëve të shërbimeve inteligjente amerikane (CIA) dhe ruse (SVR) në Ankara kur të dyja palët pohuan se bisedimet synonin mbajtjen e kanaleve të hapur dhe shmangien e ‘keqllogaritjeve’.
Përpjekjen amerikane do ta ndihmojë dhe përplasja e Zelenskit me perëndimin lidhur me katër shpërthimet e raketave në fshatin Przewodow të Polonisë, 6 km nga kufiri me Ukrainën, ku u vranë dy banorë dhe u plagosën katër të tjerë, në orët e vona të 15 nëntorit 2022 (rreth orës shtatë të mbrëmjes me orën lokale).
Ngjarja ngriu gjakun e planetit orët e para të ditës së nesërme: sepse Polonia është anëtare e Nato-s dhe kësisoj ngjarja mund të çonte në luftë botërore. Për ngjarjen Zelenski akuzoi menjëherë Rusinë dhe theksoi edhe një herë pretendimin e tij se Rusia kërkon të pushtojë Evropën. Por krerët e vendeve kryesore të Nato-s treguan për herë të parë vetë-përmbajtje dhe kërkuan hetim.
Pas dreke të së njëjtës ditë ata thanë se raketat ishin ukrainase por përgjegjësinë e ka Rusia meqë, sipas tyre, raketat ukrainse ishin lëshuar nga sistemi kundërajror i Ukrainës për të asgjësuar raketat ruse. Por ministria e mbrojtjes ruse tha se ajo nuk kishte bombarduar pranë kufirit mes Polonisë dhe Ukrainës, duke cituar dhe kilometrat, sipas saj, në rrezen prej 35 km, dhe për të njëjtën arsye tha se ishte një “provokim i qëllimshëm me synim përshkallëzimin e luftës”.
Zelenski nuk u pajtua me pohimin e aleatëve perëndimorë, sepse, sipas tij, ai kishte marrë raporte nga komanda ushtarake e tij të cilët pretendojnë të kundërtën ndërsa kërkoi qasje të menjëhershme në vendodhje për të hetuar ngjarjen. Pretendimin e Zelenskit e hodhi poshtë si fillim Bajdeni; ky i fundit tha në orët e para të mëngjesit se është e “pamundur që raktetat të jenë lëshuar nga Rusia” bazuar në të dhënat paraprake ndërsa të njëjtin qendrim pati pas dreke kreu i Nato-s, presidenti i Polonisë dhe të tjerë pas tyre.
Këmbngulja e Zelenskit krijoi dyshimin se perëndimi po fshihte të vërtetën―domethënë, se ai e dinte se raketat ishin ruse dhe ngaqë kishte frikë për të luftuar me Rusinë, fshehu të “vërtetën”. Rrëfimi i një diplomati nga një vend i Nato-s në Kiev, i cituar nga Financial Times, tregon deri diku gjendjen mes Kievit dhe Perëndimit: “Kjo po bëhet qesharake. Ukrainasit po shkatërrojnë besimin tonë ndaj tyre. Asnjëri nuk po fajëson Ukrainën dhe ata po gënjejnë haptazi. Kjo është më shkatërruese se raketa”, citohet të ketë thënë ai.
Si pasojë, Zelenski u tërhoq nga pretendimi i tij pas disa orëve, duke thënë se “nuk mund ta dij 100%”, se ç`lloj rakete ra në Poloni, duke anuar nga qendrimi perëndimor: “Jam i sigurt se atje ishte një raketë ruse dhe jam i sigurt se ne po lëshonim raketa të mbrojtjes ajrore” tha ai.
Në fakt, mosbesimi mes perëndimit dhe Kievit ka muaj që është shpalosur por media kryesore nuk raporton për të. Dëftues është fakti se Bajdeni e ka paraljamëruar Zelenskin në bisedat e tyre telefonike që të ndalojë së thëni se ndihma nuk është e mjaftueshme, sepse duket si ”mosmirënjohje” ndërsa dhimbjen e tij, sepse për dhimbje bëhet fjalë, e ndajnë shumë komentatorë amerikanë dhe ligjbërës sidomos mes republikanëve.
Përpjekja e Zelenskit për të përfshirë perëndimin në luftë të drejtëpërdrejtë me Rusinë lidhet me qëllimin e elitës ukrainase: për të asgjësuar fuqinë ushtarake të Rusisë me fuqinë ushtarake të perëndimit. Ky është një qëllim ‘ekzistencial’; sepse vetëm kështu ajo mund të dalë “fitimtare”! Mirëpo ky qëllim është dritëshkurtër sepse nuk çon thjesht në një luftë botërore mes superfuqive por dhe në zhdukjen e jetës së planetit dhe bashkë me të dhe jetës politike të Kievit. Por si duket, Kievi nuk mendon kaq gjatë dhe këmbngul në përfshirjen e perëndimit në luftë me Rusinë.
Zgjedhjet gjysmëmandatore në SHBA përfundojnë luftën në Ukrainë dhe shkaktojnë ‘tërmet’ në Evropë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 106 reads



