Putini ‘tallet’ me doktrinën ushtarake amerikane ndërsa tregon armët hipersonike
Rusia tashmë i ka dislokuar armët hipersonike të afta për të kryer një goditje ndërsa Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë dislokuar ato
Voa-SHJ
10/12/2022 - 12:27
Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se Moska mund të adoptojë atë që ai e përshkroi si një koncept të Shteteve të Bashkuara për përdorimin e sulmeve frenuese ushtarake, duke vënë në dukje se Rusia i ka armët për ta bërë këtë, në një deklaratë të hapur mes tensioneve në rritje Rusi-NATO lidhur me Ukrainën.
"Ne thjesht po mendojmë për këtë. Ata nuk kishin turp të flisnin hapur për këtë koncept gjatë viteve të fundit", tha presidenti Putin, duke iu referuar politikës së Shteteve të Bashkuara, ndërsa ai po merrte pjesë në një takim në Kirgistan të një aleance ekonomike të ish-vendeve sovjetike të dominuar nga Moska.
Për vite me radhë, Kremlini ka shprehur shqetësimin në lidhje me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar të ashtuquajturën aftësi të Sulmit të Shpejt Global me Armë Konvencionale, që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale të vetëdrejtuara me saktësi kudo në botë brenda një ore.
“Duke folur për një goditje çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet për zbatimin e ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, idetë e tyre për të garantuar sigurinë e tyre”, tha zoti Putin, duke vënë në dukje se një sulm i tillë frenues do të kishte për qëllim të rrëzonte objektet komanduese.
Ai pohoi se Rusia tashmë i ka dislokuar armët hipersonike të afta për të kryer një goditje të tillë, ndërsa Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë dislokuar ato. Ai gjithashtu pohoi se Rusia tani ka raketa me vetëdrejtim që tejkalojnë aftësitë e atyre që zotërojnë Shtetet e Bashkuara.
Ndonëse presidenti Putin dukej se i referohej armëve konvencionale me vetëdrejtim kur foli për imitimin e mundshëm të strategjisë së Shteteve të Bashkuara, ai vuri në dukje në mënyrë specifike se Amerika nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore e para, si mjet frenues.
"Nëse kundërshtari i mundshëm beson se mund të zbatojë teorinë e një sulmi frenues dhe ne nuk e bëjmë, kjo na bën të mendojmë për kërcënimet që paraqesin ide të tilla në pozicionet mbrojtëse të vendeve të tjera", tha ai.
Shumë përpara fillimit të agresionit në Ukrainë, Kremlini kishte shprehur shqetësimin për përpjekjet amerikane për të zhvilluar të aftësinë e Goditjes së Menjëhershme Globale që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale me precision të lartë kudo në botë brenda një ore.
Në Uashington, këshilltarët e presidentit Joe Biden i panë komentet e Putinit si "kërcënim" dhe një paralajmërim tjetër të mbuluar se ai mund të dislokonte armë bërthamore taktike, tha një zyrtari amerikan që foli në kushte anonimiteti.
Zyrtari vuri në dukje se doktrina ushtarake ruse thotë se Moska rezervon të drejtën për të përdorur e para një armë bërthamore në përgjigje të një agresioni ushtarak në shkallë të gjerë.
John Erath, drejtor i lartë i politikave në Qendrën për Kontrollin dhe Ndalimin e Përhapjes së Armëve, gjithashtu e pa deklaratën e Putinit si një përpjekje tjetër për të ngritur kërcënimin bërthamor.
"Ai nuk thotë se do të lëshojmë armë bërthamore, por ai dëshiron që dialogu në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë të jetë: "Sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë, aq më i madh mund të jetë kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore", tha eksperti John Erat. Voa
Putini foli dhe për pohimin e Merkelit sipas të cilit marrëveshja e Minskut për të cilën ishin garantuese Gjermania dhe Franca, u përdor nga perëndimi për të fituar kohë Ukraina, pas grushtit të shtetit në vitin 2014, për t`u përgatitur për luftë me Rusinë. Ky pohim, sipas Putinit, nuk është vetëm i papritur dhe zhgënjyes por përligj operacionet ushtarake ruse atje. Sipas tij, pohimi ngre çështjen e besimit mes palëve, i cili tashmë është “thuajse zero”.
Si mund të zhvillohen bisedime, pyet ai, kur nuk ka besim mes palëve. “Në fund, atje do të ketë bisedime. Ne jemi gati për to, e kam thënë shumë herë. Por [mungesa e besimit] na bën të mendojmë me cilët përballemi”.
Pohimi i Merkelit për shtypin gjerman nuk është njoftuar nga media jonë. DW, për shembull, organi i shtypit gjerman në gjuhën shqipe, publikoi vetëm një pjesë të pohimeve të saj kur pohimi ka më shumë se një javë që ka pushtuar shtypin ndërkombëtar. SHJ
Stoltenberg paralajmëron për rrezikun e përhapjes së konfliktit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin se luftimet në Ukrainë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shndërrohen në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s, sipas një interviste të trasnmetuar të premten.
"Nëse gjërat shkojnë keq, situata mund të përshkallëzohet më tej," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në komentet për televizionin norvegjez NRK.
"Lufta në Ukrainë është e tmerrshme dhe ekziston rreziku që të shndërrohet në një luftë të madhe midis NATO-s dhe Rusisë," tha ai. "Ne po punojmë çdo ditë për ta shmangur një gjë të tillë."
Sekretari Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, tha në intervistë se "nuk ka dyshim se ekziston mundësia për një luftë më të madhe", duke shtuar se ishte e rëndësishme të shmangej një konflikt "që do të përfshinte vende të tjera në Evropë."
Kremlini ka akuzuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se janë bërë efektivisht një palë në konflikt duke i ofruar Ukrainës armë, duke trajnuar trupat e saj dhe duke ndihmuar me informacione zbulimi për të sulmuar forcat ruse.
Konkurrente strategjike
Rusia dhe Kina po modernizojnë dhe zgjerojnë arsenalet e tyre të armëve bërthamore, paralajmëroi të premten Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, ndërsa janë shtuar tensionet me Moskën lidhur me agresionin e saj në Ukrainë dhe me Pekinin në lidhje me qëndrimin ndaj Tajvanit.
Duke folur në selinë e Komandës Strategjike të SHBA-ve, përgjegjëse për arsenalin e armëve bërthamore, zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara janë në prag të një faze të re, ku dy fuqitë e mëdha bërthamore janë konkurrente strategjike.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes e kritikoi presidentin rus Vladimir Putin për atë që ai e quajti si, “llomotitje tërësisht të papërgjegjshme për përdorim të armëve bërthamore” që nga ndërhyrja në Ukrainë në muajin shkurt.
“Fuqitë bërthamore kanë një përgjegjësi të thellë për të shmangur sjelljet provokuese dhe për të ulur rrezikun e përhapjes, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin dhe luftën bërthamore”, tha ai.
Udhëheqësi rus, Vladimir Putin, tha të enjten se “kërcënimi i luftës bërthamore po shtohet”. Ai gjithashtu sugjeroi se nëse Rusia përjashton përdorimin e armëve bërthamore e para, ajo do ta lërë veten të pambrojtur ndaj një sulmi bërthamor.
“Përsa i përket faktit se në asnjë rrethanë Rusia nuk do të godasë e para, nëse nuk godet e para në asnjë rrethanë, atëherë nuk do të qëllojë as e dyta, sepse mundësitë për ta bërë këtë në rast të një sulmi bërthamor në territorin tonë janë shumë të kufizuara”, tha ai.
Duke reaguar ndaj citimeve të Presidentit Putin, një përfaqësues i Komandës Strategjike tha se: “Rreziqet janë shumë të larta për të mos i marrë seriozisht”.
“Ata nuk do ta përjashtojnë mundësinë që të godasin të parët”, tha zyrtari i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti. Rusia ka rezervat më të madha në botë të mbushjeve bërthamore, e pasuar nga SHBA-ja, e cila vlerësohet se ka rreth 3,800 mbushje bërthamore në gjendje aktive.
Bisedimet e traktatit të ri START midis SHBA-së dhe Rusisë që synojnë pakësimin e arsenaleve bërthamore kanë ngecur që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt.
Muajin e kaluar, një raport i Pentagonit paralajmëronte se Kina aktualisht ka më shumë se 400 mbushje bërthamore, që do të thotë se Pekini pothuajse ka dyfishuar arsenalin bërthamor në vetëm dy vjet.
Sipas këtij ritmi, Kina mund të shtojë rezervat e mbushjeve bërthamore në rreth 1500 deri në vitin 2035, thuhet në raportin “Fuqia Ushtarake e Kinës” që Pentagoni përgatit çdo vit për Kongresin.
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 164 reads



