Eskobari kërkon “bashkësinë serbe” dhe nuk i përgjigjet Beogradit me të drejtën ndërkombëtare
Eskobari nuk po i përgjigjet Beogradit me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës dhe shmang të drejtën ndërkombëtare
Voa
14/12/2022 - 08:20
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha të martën se është koha që të diskutohet për fillimin e themelimit të Asociacionit të komunave serbe dhe se këtë tha ai, ia ka bërë të qartë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë takimit me kryeministrin Kurti së bashku të dërguarin evropian Miroslav Lajçak.
“E kam bërë të qartë se presim që të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit të komunave serbe, këtë e kam bërë shumë të qartë”, tha ai.
Zoti Escobar tha se shpreson që të ketë shpejt një zgjidhje për krizën aktuale në veriun e Kosovës ndërsa i shprehu mbështetje propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian është këtu dhe shpreha mbështetjen time për përpjekjet e tij që të lëvizë në propozimin franko-gjerman”, tha ai.
Lajçak: Barrikadat më mirë të hiqen me marrëveshje politike se me buldozer
I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, tha se vizita e tij në rajon ka të bëjë me krizën aktuale në veriun e Kosovës dhe çuarjen përpara të dialogut.
“Kemi krizë, kemi barrikada dhe kemi një situatë të vështirë në veriun e Kosovës prandaj zoti (Josep) Borrell kërkoi që të vijë. Unë do t’i takoj sonte komandantin e KFOR-it dhe shefin e misionit të EULEX-it për të diskutuar për situatën në terren dhe do të përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje të mundshme sepse kjo nuk është e mire. Unë nuk mendoj se ne thjesht duhet të presim që të ndodhë diçka e keqe. Tensionet nuk e ndihmojnë askënd dhe nuk mendoj se ndonjë person normal është i kënaqur me situatën e brishtë që e kemi në veri”, tha ai duke theksuar se nuk dëshiron të drejtojë gishtin tani për fajtorët, por tha se është i përkushtuar për të gjetur zgjidhjen e kësaj situate.
“Për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është nëse bëhet si rezultat i një marrëveshje politike e jo me buldozer”, tha ai.
Zoti Lajçak tha se “shumë gjëra janë thënë ditët e fundit dhe se atmosfera është mjaft e ndezur” duke u përgjigjur në pyetjen rreth kërkesës së Serbisë për të kthyer një numër trupash policore e ushtarake në Kosovë.
Takimi ndodhë në një periudhë tensionesh në veriun e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
Të dy diplomatët pritet të qëndrojnë të mërkurën në Brograd për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Diplomatët perëndimor shpresojnë të nxisin bisedimet rreth një propozimi evropian që parasheh normalizimin e marrëdhënieve por pa njohje që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Eskobari nuk i përgjigjet Beogradit me vendimin me të drejtën ndërkombëtare
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha të mërkurën në mbrëmje në Beograd se kriza në veriun e Kosovës nuk duhet të militarizohet, ndërsa shprehu besimin për një zgjidhje të shpejtë të situatës në zonë, ku grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore për të pestën ditë me radhë.
Zoti Escboar i bëri këto komente në intervistat me televizionin N1 në Beograd dhe Radiotelevizionin e Serbisë të mërkurën, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak.
“Nuk dua të hyj në hollësi të bisedimeve, por më duhet të them se ka elemente për optimizëm. Përveç kësaj dua të them se na duhet një zgjidhje jo vetëm për krizën aktuale, por na duhet zgjidhje e qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Duam ta shndërrojmë këtë krizë në mundësi jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për gjithë rajonin”, tha zoti Escobar në N1.
Ai tha se bllokadat ne veriun e Kosovës duhet të hiqen nga ata që i kanë vënë dhe se serbët duhet të kthehen në institucionet vendase prej nga u larguan në fillim të muajit nëntor, mes mospajtimeve rreth përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Beogradi paralajmëroi gjatë javës se do të kërkojë nga forcat paqeruajtëse të NATO-s lejimin e kthimit të një numri trupash policore e ushtarake serbe në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara refuzojnë një kthim të tillë, duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”.
Ai e ritheksoi kërkesën për fillimin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Për Shtetet e Bashkuara është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Për ne është detyrim sepse e kemi përkrahur atë proces dhe një palë politike nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme, kështu që do të kërkojmë mënyra për ta bërë realitet”, tha zoti Escobar në intervistë me Radiotelevizionin e Serbisë. Voa
Edhe analistët e Kosovës nuk përmendin të drejtën ndërkombëtare
Për të pestën ditë me radhë në veriun e Kosovës rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe serbësh në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.
Policia e Kosovës tha sot se situata e sigurisë në veri të vendit është e pandryshueshme dhe se dy vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, për shkak të vendosjes së barrikadave.
Diplomatët perëndimorë po bëjnë thirrje për heqjen e bllokadave dhe hapjen e mundësisë për bisedime mes palëve.
I dërguari i posaçëm evropian Miroslav Lajçak, shkroi sot në një postim në rrjetet sociale se ka zhvilluar një bisedë të sinqertë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, "për të gjetur zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e bllokadave në veriun e Kosovës. Ai e kupton seriozitetin e situatës”, shkroi zoti Lajcak.
Ai tha mbrëmë në Prishtinë se është i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veriun e Kosovës ndërsa theksoi se mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është nëse kjo bëhet si rezultat i një marrëveshje politike e jo me buldozer.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha mbrëmë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se shpreson që të ketë shpejt një zgjidhje për krizën aktuale në veriun e Kosovës ndërsa theksoi se është koha që të diskutohet për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se këtë ja ka bërë shumë të qartë edhe kryeministrit Albin Kurti.
“E kam bërë të qartë se presim që të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit të komunave serbe, këtë e kam bërë shumë të qartë”, tha ai.
Qeveria e Kosovës në komunikatën e saj pas takimit nuk e përmendi temën e Asociacionit si një prej çështjeve të diskutuara me diplomatët perëndimorë. Analisti Agon Maliqi tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se i dërguari amerikan, Gabriel Escobar kishte mesazhe të qarta për qeverinë.
“Në përkthim atë që e tha zoti Escobar do të thotë ose qeveria e Kosovës përfshihet me propozime për statutin dhe mënyrën se si e sheh Asociacionin ose deri në prill do ta gjej një draft të gatshëm të cilën do ta sjellin në këtë rast pala amerikane. Niveli i dytë i porosisë është që oferta e zotit Escobar që Shtetet e Bashkuara të jenë vet të përfshira në këtë proces pra në një farë forme si garanci që Asociacioni do të jetë i pranueshëm për Kosovën dhe kjo është në vijë me deklaratat e tij të mëparshme se SHBA-të nuk e parapëlqejnë një Republika Srpska në Kosovë dhe e shohin një Asociacion brenda kornizave të Kushtetutës”, tha zoti Maliqi.
Ai tha se çështja e themelimit të Asociacionit mund të lidhet edhe me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Zoti Escobar e tha një gjë interesante që deri në prill të fillojnë diskutimet për Asociacionin pra nuk po kërkohet fillimi i zbatimit të Asociacionit por që të fillojnë diskutimet deri në prill. Mendoj që kjo është pozitive sepse forcon pozicionin negociues të Kosovës në caktimin e kompetencave të Asociacionit dhe e lidh marrëveshjen në bazë të propozimit franko-gjerman me Asociacionin, pra ose do të merremi vesh për të gjitha ose nuk do të merremi vesh për asgjë”, tha ai.
Diplomatët perëndimor shpresojnë të nxisin bisedimet me propozimin evropian që parasheh normalizimin e marrëdhënieve por pa njohje që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Eskobari kërcënon qeverinë “Kurti”
Dy analistë amerikanë thonë se duhen ndërmarrë hapa për të qetësuar tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë njohësit me përvojë të marrëdhënieve mes dy vendeve, Daniel Serwer dhe David Kanin thonë për Zërin e Amerikës se nuk ka zgjidhje të qarta dhe të lehta për ta realizuar një gjë të tillë. Ata thonë gjithashtu se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duhet parë në kontekstin e përgjithshëm të një zgjidhjeje mes dy vendeve.
Analistët thonë se nuk ka zgjidhje të lehta apo të qarta për tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës. Daniel Serwer, studiues në Institutin për Politikë të Jashtme dhe profesor në Universitetin “Johns Hopkins” thotë se duhen ndërmarrë hapa për zbutjen e situatës.
“Bllokadat në veri duhet të hiqen. Duhet bërë diçka për t'i vënë individët në veri para përgjegjësisë për atë përshkallëzim. Mendoj se Serbia duhet të zbusë retorikën e saj, veçanërisht atë për vendosjen e trupave serbe në Kosovë. Është një propozim indinjues”, thotë ai.
Ndërsa angazhimi diplomatik i Perëndimit është intensifikuar, zoti Serwer thotë se Uashingtoni duhet të heqë dorë nga qasja për t’u bërë presion të dyja palëve dhe të bëhet shumë më i ashpër me Beogradin
“Serbia ka zgjedhur njërën anë. Unë nuk besoj se ajo po ulet në dy apo tre karrige. Ajo është ulur në një karrige, që unë e quaj të Lindjes, në anën e Kinës dhe Rusisë, por amerikanët nuk po pranojnë që Beogradi ka zgjedhur këtë anë”, thotë ai.
Prof. Serwer thotë se nëse Uashingtoni është realist për këto qëndrime, do të kishte mundësi të ushtronte më shumë ndikim.
David Kanin, ish-analist i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” thotë se tensionet do të vazhdojnë përsa kohë statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur. Ai thotë se me koncepte si normalizimi, perëndimi nënkupton konflikt të ngrirë.
“Më duket se është një përpjekje për t’i bërë të dyja palët të ruajnë qetësinë, që çfarëdo që të ndodhë, duke pasur parasysh mosmarrëveshjen për statusin, për sa kohë që të dyja palët nuk krijojnë destabilitet dhe tension të menjëhershëm, atëherë Perëndimi mund të fokusohet në çështje të tjera”.
Edhe planin franko-gjerman, zoti Kanin e sheh në këtë dritë, duke thënë se nuk do të zgjidhte asgjë, nëse nuk e përcakton statusin.
“Ky propozim veçse do ta ngrinte çështjen në mënyrë të tillë që t’u lejonte fuqive më të mëdha të merren me çështje të tjera”.
Për zotin Serwer plani franko-gjerman, duhet parë në varësi të mënyrës se si trajtohet asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Sipas mendimit tim, asociacioni i komunave me shumicë serbe do të shihej krejtësisht ndryshe nga autoritetet në Prishtinë, nëse Serbia njeh Kosovën. Në kontekstin e mosnjohjes, asociacioni duket si një përpjekje e Serbisë për të ruajtur alternativën për të marrë territor nga Kosova”, thotë zoti Serwer.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar përsëriti në vizitat në Prishtinë dhe në Beograd këtë javë se është koha që të diskutohet për fillimin e themelimit të këtij Asociacioni, madje, duke shtuar trysninë mbi qeverinë e Kryeministrit Kurti, në një koment që ka ngjallur reagime në Prishtinë, tha se nëse qeveria e Kosovës nuk bashkëpunon, Shtetet e Bashkuara do të gjenin partnerë alternativë, “me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit.”
Zoti Serwer thotë se diplomatët perëndimorë e kanë të qartë mes tyre se nëse Serbia dëshiron asociacionin ajo duhet të njohë Kosovën.
“Nuk do të komentoj për emra të veçantë, por e di që kjo është e kuptuar mirë mes diplomatëve të mirëinformuar, që krijimi i asociacionit kërkon njohje (nga Serbia të Kosovës)”, thotë zoti Serwer.
Ai thotë se është e qartë që “Serbia nuk është gati për njohje” dhe se “kjo do të thotë që Prishtina nuk është e gatshme për asociacionin.
Deklaratat e ashpra amerikane së fundmi ndaj Prishtinës, kanë nxitur komente në Kosovë, se po ushtrohet më shumë presion ndaj vendit të tyre se sa ndaj Serbisë që po përpiqet “të ulet në dy karrige”, siç thonë ata.
Si zoti Serwer, edhe zoti Kanin e pranojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të kishte reaguar më shpejt për të shtyrë çështjen e targave, duke thënë se ajo nuk është më e rëndësishme se sa një zgjidhje e qëndrueshme.
Por zoti Kanin i sheh deklaratat, si pjesë të një prirjeje më të gjerë.
“Kjo është pjesë e modelit të amerikanëve që u kërkojnë kosovarëve të bëjnë lëshime. Pyetja është a do të fillojnë tani amerikanët të bëjnë presion mbi serbët?”, thotë ai.
Sipas zotit Kanin, duke qenë se amerikanët po mbështesin kërkesën kryesore serbe, atë të asociacionit…
“…Nuk jam i sigurt se çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara tani për të ushtruar trysni ndaj serbëve”.
Zoti Escobar tha dje në Beograd se serbët duhet të kthehen në institucionet vendase prej nga u larguan në fillim të muajit nëntor. Analisti Serwer thotë se ky është një nga problemet më të mëdha, për zgjidhjen e të cilit është i nevojshëm qetësimi i situatës.
“Prishtina duhet të përcaktojë se si të sigurojë pjesëmarrje të konsiderueshme dhe kuptimplote të serbëve në institucionet e Kosovës dhe në zgjedhjet për kryetarët e komunave në veri”.
Por ai shton se përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës duhet të zgjidhen brenda Kosovës dhe jo në Beograd.
“Dhe këtu qëndron një nga problemet më të mëdha. Dhe që të zgjidhet ngërçi, do të duhej që Vuçiçi të pranojë qartë se Lista Serbe është nën kontrollin e Beogradit, dhe që t'u thotë qartë serbëve të Kosovës, që të drejtohen tek Prishtina për çështje të qeverisjes, jo tek Beogradi.”
Deri tani Beogradi dhe Prishtina fajësojnë njera tjetrën për tensionet. Presidenti serb thotë se është Prishtina ajo që i nxit tensionet në mënyrë të njëanshme. Kryeministri Kurti akuzon Serbinë për mbështetje të atyre që ai i quan “banda kriminale që po bëjnë përpjekje që të destabilizojnë Kosovën”.
Zoti Kanin e pranon se për Kosovën angazhimi amerikan është i rëndësishëm, por thotë se përvoja tregon se perëndimi nuk ka arritur rezultate.
“Kjo më lë të kuptoj që zgjidhja mund të mos jetë në Uashington, mund të mos jetë në Bruksel, apo në ndonjë nga kryeqytetet evropiane. Ajo gjithashtu nuk është as në Moskë apo Pekin. Ajo, ose do të jetë diçka që vjen në nivel lokal, ose rajonal, ose nuk do të ndodhë fare, sipas mendimit tim”, thotë ai.
Zoti Serwer thotë se lufta ruse në Ukrainë po krijon një ndarje të re në Evropë.
“Ajo nuk do të kalojë përreth Ballkanit, ajo kalon përmes Ballkanit. Kjo vijë është identike me vijën ndarëse mes entiteve në Bosnje dhe Serbia ka zgjedhur të jetë në anën lindore të asaj vije, jo në anën perëndimore.”
Në një diskutim kohët e fundit për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e Atlantikut, zoti Escobar tha se njerëzit e zgjuar në Ballkan nuk shikojnë nga Rusia për të ardhmen e tyre. Zoti Serwer thotë se në bazë të këtij vlerësimi, ai duhet të sfidojë presidentin serb Vuçiç për të mbajtur një qëndrim të qartë.
Ambasadori amerikan në Beograd nuk përdor të drejtën ndërkombëtare
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se qeveria e tij vendosi të enjten në mbrëmje që sonte t’i dërgojë komandantit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, kërkesën për të lejuar kthimin e “disa qindra, deri në njëmijë forcave serbe të sigurisë në Kosovë”.
Ai tha se kërkesa do të dorëzohet sonte nëpërmjet postës elektronike, ndërsa nesër edhe me letër personalisht komandantit të KFOR-it. Presidenti serb tha se kjo është hera e parë që një qeveri e Serbisë e bën një kërkesë të tillë.
"Flitet se këtë e ka bërë (ish kryeministrit serb Zoran) Xhinxhiç në vitin 2003 por jo. Ai kishte dërguar një letër por jo një akt formal juridik”, tha presidenti serb duke theksuar se pret që KFOR-i të mos e pranojë këtë kërkesë.
"Nuk mendoj se ekziston mundësia që ata ta pranojnë kërkesën tonë, jo pse është e keqe sepse po të mendonin më mirë kjo do t’i ndihmonte paqes, uljes së tensioneve dhe mundësisë për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha presidenti serb.
Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.
Kosova atëbotë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia. Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244 Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe të cilat nuk e kanë komentuar kërkesën serbe e cila është paralajmëruar që nga dhjetë dhjetori, pas tensioneve në veriun e Kosovës ku grupe serbësh që nga e shtuna po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore duke protestuar ndaj arrestimit një ish pjesëtari të policisë së Kosovës nga radhët e këtij komuniteti.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha një natë më parë pas një takimi me presidentin serb se Shtetet e Bashkuara refuzojnë një kthim të tillë, duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha më herët të enjten se qeveria e Serbisë ka të drejtë t'i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por theksoi se, kjo është çështje politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike.
Duke theksuar se nuk sheh mundësi të zgjidhjes ushtarake, ambasadori Hill citohet të ketë thënë se “ajo që duhet të bëjmë është ta qetësojmë situatën, të krijojmë paqe dhe qëndrueshmëri asisoj që njerëzit që jetojnë atje të kenë pritshmëri të qarta se si do të duket jeta e tyre në të ardhmen. Kjo gjë mund të arrihet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Nga diplomatët evropianë ishte ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila e cilësoi kërkesën serbe plotësisht të papranueshme.
Paralajmërimi i Beogradit, që është përsëritur disa herë ditëve të fundit nga zyrtarë serbë, nga autoritetet në Kosovës është cilësuar si një kërcënim më agresion.
Një pjesë e opozitës në Serbi tha gjatë javës se një kërkesë e tillë është e parealizueshme dhe po përdoret për nevoja të brendshme të pushtetit serb.
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 487 reads



