...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Katastrofa biblike e tërmetit në Turqi, këmbanë alarmi për Shqipërinë

Mobilizimi i shoqërisë bëhet absolutisht i domosdoshëm, jo vetëm sepse pushtetet shkencore dhe politike nuk do të pranojnë kurrë dije që kërcënon pushtetin e tyre, por kryesisht sepse Shqipëria ka banesat më të brishta në rajon.

Ylli Përmeti

08/02/2023 - 14:46

Tërmeti i Turqisë dhe katastrofa biblike e fillim-shkurtit të vitit 2023, nxiti edhe një herë popullin e Shqipërisë të ngrejë pyetjen se nëse duhet të shqetësohemi apo se nëse mund të ketë ndonjë efekt domino tërmeti i Turqisë në vendin tonë. Ky është një shqetësim i drejtë por gazetarët vazhdojnë të pyesin vetëm sizmologët dhe gjeologët, të cilët kanë dije të pjesshme për dukurinë e tërmetit.

Së pari, ata tregojnë si shkak të tërmeteve vetëm pllakat tektonike kur studimet tregojnë se janë dhe kushtet klimatike që shkaktojnë tërmete. Domethënë, era, dobësimi i fushës magnetike të tokës dhe kriza ekologjike. Së dyti, ata nuk shohin lidhje mes tërmeteve pavarësisht se planeti ynë është një trup i vetëm. Dhe në fund, ata këmbngulin se tërmetet nuk mund të parashikohen kur unë parashikoj më shumë tërmete në të ardhmen dhe më të fuqishëm, pikërisht për shkak të krizës ekologjike dhe dobësimit të fushës magnetike të tokës!

Madje shumë u befasuan dhe me mikroparashikimin e homologut të tyre, të gjeologut holandez Frank Hoogerbeets, për tërmetin e Turqisë, i cili nuk përdor ndonjë qasje holistike dhe gjenealogjike por qasjen e mirënjohur të sizmologjisë: statistikore. Kujtoj se sizmologët nuk përdorin të njëjtën qasje; kjo është arsyeja se pse shumë prej tyre u befasuan me mikroparashikimin e Frankut. Unë e quaj “mikroparashikim”, sepse i tillë është, për sa kohë që ai nuk tregon gjithë shkaqet e tërmeteve dhe gjithë realitetin gjeologjik dhe klimatik të planetit tonë.

Krahas këtyre shkaqeve, atje janë dhe veprimtaritë njerëzore të cilat nuk shkaktojnë vetëm tërmete në një vend të caktuar por aktivizojnë edhe ata që në kushte normale të planetit tonë do të “flinin”.

Kemi, në fjalë të tjera, një krizë shkencore, në nivel sizmologjie dhe gjeologjie. Por kemi dhe krizë në nivel inxhinierie: sepse ajo jo vetëm që nuk përdor eurokodet por nuk përdor as edhe ndonjë filozofi në ndërtime. Kemi, në fund, dhe një krizë politike, në kuptimin se ajo është për faqe të zezë lidhur me detyrën e qeverisë për të parandaluar efeket e tërmeteve. Por kemi dhe një krizë në nivel shoqëror: sepse ajo nuk reagon kundrejt krizave në nivel shkencor, politik dhe inxhinierik.

Domethënë, të shfrytëzojë studimet dhe të ushtrojë trysni mbi pushtetet përkatës (shkencore dhe politike) dhe të kërkojë parandalimin e efekteve të tërmeteve. Mobilizimi i shoqërisë bëhet absolutisht i domosdoshëm, jo vetëm sepse pushtetet shkencore dhe politike nuk do të pranojnë kurrë dije që kërcënon pushtetin e tyre, por kryesisht sepse Shqipëria ka banesat më të brishta në rajon.

Për të parandaluar efektet e tërmeteve, rrjedhimisht, ne na duhet një filozofi dhe politikë re; ndryshe do ta pësojmë më keq se Turqia: sepse ndërtesat tek ne, përjashto një pakicë, janë ndërtuar më keq se atje kur dihet se ne jemi shumë të rrezikuar se Turqia. Për shembull, sipas listës së vendeve të rrezikuar nga katastrofat natyrore ne jemi ne vendin e 132 dhe me ngjyrë të kuqe ndërsa Turqia në vendin 66 dhe me ngjyrë jeshile!   

Faqja e zezë e qeverisë “Rama” lidhur tërmetet nuk tregohet vetëm me faktin se ajo kontriboi në rrënimin e shkencës në Shqipëri dhe në mosmarrjen e asnjë mase për ta riorganizuar dhe ripërdorur atë për të parandaluar gjëma shoqërore, por dhe me përpjekjen e saj për të rindërtuar banesat e familjeve të shkatërruara.

Për shembull, tërmeti i vitit 1979, me epiqendër në veri të Shqipërisë, dhe gati 8 ballë, shkatërroi 17 mijë banesa ndërsa tërmeti i vitit 2019, me epiqendër në Durrës dhe 6.4 ballë, shkatërroi 11,490 banesa. Për rindërtimin e të parave u deshën vetëm gjashtë muaj ndërsa për të dytat kanë kaluar gati katër vjet dhe qeveria “Rama” nuk ka mbaruar ende me strehimin e të dëmtuarve!         

Filozofia e ndërtimit, parashikimi i tërmeteve dhe parandalimi i tragjedive sociale

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA