...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Akuza e pjesshme e Berishës dhe “autogoli” i tij me McGonigal-in

Akuzës së tij i mungon pjesa më e rëndësishme: të ngrejë pyetje se pse janë futur në listë biznesmenët që mbështesin atë dhe cilin ligj kanë shkelur për t`u kërcënuar me gjobë dhe nëse pretendimi i gazetarit amerikan të “Washington Examiner” është i vërtetë, që sipas akuzës së pjesshme të Berishës ai qënka i vërtetë, pse ia paguan gjobat McGonigal-it?

Ylli Përmeti

19/02/2023 - 14:39

Berisha e përsëriti akuzën e tij dje ndaj Ramës dhe Kimit për rastin “McGonigal”, por duke thënë se kishte një “skenar” për të “gjobitur biznesmenët” që mbështesin atë. Sipas tij Rama përdori kërcënimin me listat e “Eskobarit” por sipas tij listat ua ka dhënë Basha në bashkëpunim me Ramën. Ndaj ai i bëri thirrje kongresit të SHBA-së, FBI-së, Departamentit të Shtetit, ta hetojnë...“skemën”. Ai përmendi dhe “listën e 150” individëve që u përfolën pak vite më parë se do të sanksionoheshin. Këta ishin, sipas tij, klientët e mundshëm të McGonigali-t!

Ndërsa ai pranon një pjesë të akuzës që bëri gazetari i “Washington Examiner”, të cilën Rama e mohoi tërësisht (në “Opinionin” e gazetarit të PD-së dhe Klanit, Fevziut, 15 shkurt) për akuzat e tij ai ka pjesërisht të drejtë: sepse “skemë” ka patur dhe ka; listë ka patur dhe ka; dhe numri i saj është shtuar. Unë jam në dijeni të këtij fakti por kam zgjedhur të mos shkruaj: sepse është një çështje që lidhet më shumë me hetimet e SPAK-ut.

Por akuzës së tij i mungon pjesa më e rëndësishme: të ngrejë pyetje se pse janë futur në listë biznesmenët që mbështesin atë dhe cilin ligj kanë shkelur për t`u kërcënuar me gjobë dhe nëse pretendimi i gazetarit amerikan të “Washington Examiner” është i vërtetë, që sipas akuzës së pjesshme të Berishës ai qënka i vërtetë, pse ia paguan gjobat McGonigal-it?

Sepse po të vepronin në përputhje me ligjet e shtetit ata as do të ishin përfshirë në listën e sanksioneve as do të ishin preja e mundshme e fakojve të pushteteve, si McGonigal dhe mediave të korruptura, që në këtë rast përfshihet dhe Rama dhe këshilltarët e tij, ose edhe qeveria (pushteti politik).

Gjasat janë se Berisha nuk do ta zgjerojë akuzën e tij dhe do të përpiqet të përfshijë në përpjekjen e tij dhe biznesmenët e listuar, duke u premtuar atyre pafajësi. Vetë biznesmenët, të përfshirë në listë, duke ditur se përse janë përfshirë në listë, do të pranojnë të bashkëpunojnë më tej me Berishën.

Kështu ai mund të bëhet dhe ndihet më i fortë! Por hetimet amerikane do të jenë të paanëshme dhe për pasojë ato do të tregojnë dhe arsyet se pse McGonigal i ka kërcënuar ata me gjoba dhe disave u ka marrë shuma të majme!

Unë besoj se Berisha s`e ka të qartë këtë proces; sepse po kërkon hetime (ato janë në proces i kërkon apo s`i kërkon Berisha) nga SHBA-ja prej të cilëve do të zbulohet pjesa që ai nuk përmend―domethënë, se çfarë kanë bërë biznesmenët që mbështesin atë (me sponsorizime dhe mbështetje mediatike) që të jenë të kërcënueshëm. Kështu sqarohet dhe “vorbulla” e lidhjes së tij me biznesmenët dhe raporti i tyre me ligjet tona dhe kështu, dyert e burgut nuk do të jenë të hapura vetëm për Berishën dhe Ramën por dhe për biznesmenët.

Në fund, vlen të sqarohet fakti se listat apo dosjet që janë në duart e amerikanëve i përgatisin shërbimet inteligjente amerikane dhe tipat si “Rama” apo “Basha” thjesht shërbejnë për t`u dhënë atyre karakter politik―domethënë, për t`u shfrytëzuar për qëllimet amerikane...

Kështu ata bëjnë “autogol” dhe shkojnë me këmbët e tyre në burg!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA