Komandati i KFOR-it ‘përgënjeshtroi’ pretendimin e Osmanit për luftën hibride serbe?
Raportohet se komandati i KFOR-it, Ristuccia, ka përgenjeshtruar dje Vjosa Osmanin lidhur me pretendimin e saj në gazetën britanike “The Telegraph”, se Serbia po punonte me paramilitarët për të kontrabanduar armë me uniforma ushtarake të pashenjuara në Kosovë.
Ylli Përmeti
23/02/2023 - 09:32
Sipas saj, operacioni është hartuar të shtrojë rrugën për një sulm të mundshëm hibrid nga Serbia për të zhvatur territorin e Kosovës. Përgatitjet e pretenduara nga Serbia i paralelizon me aneksimin e Rusisë të Krimesë në vitin 2014. “Ata fusin armë dhe uniforma por ata s`janë zyrtarisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia kërkon të realizojë qëllimet e saj pa e quajtur operacion ushtarak”, tha ajo për “The Telegraph”.
Qëllimi i Serbisë, sipas saj, është të “përgatisë gjendjen për një aneksim të mundshëm – jo përmes një operacioni ushtarak tradicional por përmes një lloj sulmi hibrid”. Ajo pretendoi, gjithashtu, se Serbia po bashkëpunonte me “Grupin Wagner” ose kontraktorin privat ushtarak rus të kopjuar nga amerikanët. “Ata po krijojnë trashe dhe barrikada të stilit ushtarak...që mund t`i përdorin për të luftuar”, tha ajo.
Pretendimi i saj erdhi gati një muaj pas kërkesës së Uashingtonit ndaj Beogradit për të ndaluar veprimtarinë e grupit në fjalë në Serbi dhe kërkesës së një jave më pas të Vuçiçit ndaj Rusisë që t`i jepte fund rekrutimit të qytetarëve serbë për luftën në Ukrainë.
Që nga ajo ditë s`kemi parë ndonjë shqetësim tjetër të amerikanëve.
Shqetësimi i amerikanëve, në fjalë të tjera, lidhësh me përfshirjen e serbëve vullnetarë për luftën në Ukrainë dhe jo me Kosovën. Por Osmani i dha një përmasë tjetër: se grupi në fjalë po punon me Serbinë që të përgatisin gjendjen ose kushtet për një luftë hibride për të pushtuar Kosovën.
Por komandati i KFOR-it raportohet të ketë thënë se “ne jemi në dijeni të gjithçkaje që ndodh në terren” dhe se “s`ka asnjë fakt” që provon pretendimin e saj. “Ne s`kemi të dhëna rreth atij [pretendimi]”, raportohet të ketë thënët ai.
Gjenerali i KFOR-it u takua dje me ambasadorët e vendeve kontribuese në misionin përkatës në Camp Fil City në Prishtinë ku njoftoi për gjendjen operacionale në Kosovë.
Por raportet në gjuhën shqipe janë tejet të pjesshëm dhe nuk munda ta verifikoja “përgënjeshtrimin” e tij. Mbetet ta përgënjeshtrojë vetë Osmani.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 86 reads



