Thirrje për mbrojten e epopesë së LANÇ-it nga tradhëtarët
Jo vetëm Saliu me falangat e tij neonaziste, dhe bishtrat e mbeturinave politike të Ballit, Legalitetit dhe Kolaboracionistëve të kohës së luftës, por edhe të ashtuquajturit të majtë, alias “Rilindja”, me në krye neoballistin Rama, janë vënë hapur në dëm të LANÇ dhe në rehabilitimin e tradhëtarëve
Gjon Bruçi
17/04/2023 - 09:08
BIJ E BIJA TË PARTIZANËVE DHE DËSHMORËVE,
MBRONI ORGANIZATËN E PRINDËRVE TUAJ,
QË REALIZUAN EPOPENË E LAVDISHME TË LANÇ
Tashmë pas gati 80 vitesh nga data 29 Nëntor 1944, shumica dërmuese e ish partizanëve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, janë ndarë nga jeta, dhe emri i tyre është shënuar në memorien e historisë, përkrah shokëve e tyre të rënë Dëshmorë. Por Jeta dhe vepra e Luftëtarëve të Çlirimit dhe Dëshmorëve të Atdheut, mbetet e pavdekshme. Sepse e pavdekshme është Epopeja e Lavdishme e LANÇ të popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore, Epope e cila e rreshtoi Shqipërinë në krah të Aleancës së Madhe Antifashiste, duke i siguruar vendit Lirinë dhe Pavarësisnë e vërtetë.
Gjer dje, kjo Epope, u mbrojt nga veteranët e Luftës, të cilët krijuan Organizatën e fashme të Veteranëve të LANÇ “Nderi i Kombit”. Është radha jonë, e ne bijve dhe bijave të Partizanëve dhe të Dëshmorëve, që këtë Organizatë të pashoqe të Luftës, e njëherësh edhe të Dëshmorëve të saj, t’i mbajmë në këmbë e në nivelin e veprës dhe sakrificës së prindërve tanë, e cila në kushtet e reja politike po rrezikohet të denigrohet, jo nga “forca të errta”, por nga forca të “pista” neoballistësh e neofashistësh, në pushtet apo në politikën e sistemit regresiv që na kanë imponuar rrethanat.
Pinjollët e skotës së dikurshme të bashkëpunëtorëve të fashizmit, mbështetur nga segmente të pushtetit e të politikës aktuale, kanë marrë revanshin për të përmbysur vlerat, dhe ngritur në “piedestale fallso” antivlerat dhe turpet e baballarëve të tyre. Në ndihmë të tyre janë vënë edhe mjaft nga radhët tona të gjerdjeshme, të cilët, të kthyer në shërbëtorë të armiqve të përhershëm të Shqipërisë, nakatosin dritën me errësirën, duke na krijuar mjegullën, prapa së cilës mbulojnë veprimtarinë e tyre antipopullore e antikombëtare.
Për fat të keq, jo vetëm Saliu me falangat e tij neonaziste, dhe bishtrat e mbeturinave politike të Ballit, Legalitetit dhe Kolaboracionistëve të kohës së luftës, por edhe të ashtuquajturit të majtë, alias “Rilindja”, me në krye neoballistin Rama, janë vënë hapur në dëm të LANÇ dhe në rehabilitimin e tradhëtarëve. Ndërsa të parët mundohen të rregullojnë disi “biografinë” antikombëtare të trashëguar nga baballarët e tyre, të dytët, këta të “majtët”, mjegullnajën në fjalë e përdorin për të mbulur veprën e tyre të sotme, e cila nuk është hiç më e pak e dëmshme se vepra antipopullore e antikombëtare e ballistëve të djeshëm.
Periudha 10 vjeçare nga viti 2013 kur në pushtet erdhën të ashtuquajturit socialistë, e gjer më sot, këta të fundit, në vend të realizimit të premtimeve për mbrojtjen e vlerave të LANÇ dhe Dëshmorëve të saj, bënë të kundërtën, “riatdhesuan” me ndere zyrtare kryeballistin Mit’hat Frashëri; ripozicionuan e meremetuan shtatoren e Mbretit tradhëtar e ikanak, Ahmet Zogu; vendosën në bulevard bustin e Mbretëreshës Gjeraldinë; riemërtuan rrugë e objekte me emra kolaboracionistësh, duke hequr apo “harruar” emra Dëshmorësh, gjer tek emri i Heroit të Popullit Qemal Stafa në fasadën e Stadiumit Kombëtar, që për gjysëm shekulli kishte qenë simbol i Rinisë Komuniste Shqiptare, etj.
Ky qëndrim e veprim neoballistësh nga radhët e së majtës me emrin “socialiste”, pati mbështetje edhe qëndrimin e heshtur, inaktiv dhe naiv të disa prej veteranëve të Luftës, përfshi edhe kryesitë e organizatës së tyre. Ata, nuk e kuptuan, apo nuk deshën ta kuptonin “lojën” e politikanëve dhe pushtetarëve, të cilët për interesa pragmatiste, ishin dhe janë gati të vënë në shitje edhe historinë tonë të lavdishme të LANÇ. Por edhe ne, bijt e bijat e partizanëve dhe të Dëshmorëve të Atdheut, duhet të pranojmë se në këto kohra të mbrapshta, në shumicën e herës kemi qëndruar indiferentë, duke i kundruar eventet e LANÇ dhe të Dëshmorëve, si ditë përkujtimore të thjeshta, dhe jo si Ditë të Mëdha të Historisë dhe Krenarisë sonë Kombëtare.
Ky qëndrim i yni, i gjertashëm, tani mbas largimit nga jeta të prindërve tanë të luftës e të sakrificës, ka inkurajuar dhe inkurajojnë ballistët e djeshëm dhe neoballistët e sotëm, që çështjen e lavdishme të LANÇ, në një të ardhme shumë të afërt, ta kalojnë tek “Stendat e Muzueumeve”. Shenjat e një veprimi të tillë janë tepër të dukshme. Prej tri dekadash, megjithë premtimet e bujshme parazgjedhore, nuk u vu dorë në regullimin e objekteve dhe simboleve të LANÇ e të Dëshmorëve, që u shkatërruan nga “vala e demokracisë berishiane”. Gjer edhe varret e Dëshmorëve të Kombit në kryeqytet, janë lënë në pikë të hallit, me qëllim që shumë shpejt të “përcillen” diku nga kodrat e rrethinave të Tiranës, për t’u lënë vendin vilave të “Vipave” e “Rripave” të sistemit aktual.
Kjo, do të ishte fatale për Historinë dhe të ardhmen tonë.
Por shenja më e qartë dhe veprimi më i rrezikshëm në dëm të LANÇ, është përçarja dhe manipulimi që po i bëhet aktualisht Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Veteranëve, çka do të paralizonte e nxirrte jashtë loje Organizatën e famshme të LANÇ. Segmente të politikës e të pushtetit aktual, me synimin e manipulimit dhe kthimit në një organizatë manekine të pushtetit, kanë përgatitur e futur në kryesinë e saj “filat” e tipit Myftari me shokë, “fila” që nuk kanë asnjë lidhje, as me LANÇ, e as me Dëshmorët e saj.
Përpara kësaj situate kritike, ne bijt e bijat e Partizanëve dhe të Dëshmorëve, jo vetëm nuk duhet të heshtim e të bëjmë sehir paudhësitë dhe intrigat që po thuren, por si një trup i vetëm të ndërhyjmë e të marrim në dorë fatin e Organizatës së Veteranëve, dhe si pasardhës të tyre legjitim, të mbrojmë e të përcjellim të sigurtë vlerat e patjetërsueshme të LANÇ dhe të luftëtarëve e Dëshmorëve të saj të lavdishëm.
Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të veteranëve të LANÇ “Nderi i Kombit”, është një organizatë madhore politike nga më të organizuarat dhe nga më të domosdoshmet për situatat e sotme e të nesërme të vendit tonë. Ajo duhet të rrojë dhe do të rrojë për qindra vite, si dëshmitare e Luftë Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar, e cila ishte dhe do të mbetet një Epokë e ndritur e historisë së shqiptarëve, dhe nuk ka asnjë forcë regresive që mund ta errësojë apo mënjanojë atë. Ajo do të mbetet një gurë i provës së zjarrtë të shqiptarëve ndër shekuj, që për lirinë dhe pavarësinë e vërtetë derdhën lumenj të tërë gjakun.
Si pjesëtar i drejtpërdrejtë i Armatës së pasosur të pasardhësve të Veteranëve dhe të Dëshmorëve, u drejtohem gjithë sivëllezërve të mi, por edhe githë shqiptarëve që e duan kombin e tyre, të mprehin vigjilencën, të hapin sytë, të shohin e të njohin farën e tradhëtisë kombëtare, që kanë mbjellë e mbjellin çdo ditë politikanët borgjezë, të kapur tashmë nga armiqtë e përhershëm të Shqipërisë, dhe të bashkuar rreth idealit kombëtar, t’i zbresim këta mercenarë nga karrika e lartë e pushtetit dhe politikës, duke marrë vetë në dorë fatet e Atdheut. Kjo duhet bërë sa më parë, ndryshe historia jonë e lavdishme Kombëtare do të tregohet si përrallë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 573 reads



