Klub për veteranët e UÇK-së propozon dega e AAK-së në komunën e Vitisë
Veteranët e luftës duhet të kenë një kafene (klub) të vetin
SHJ
20/04/2023 - 19:40
Në Degën e AAK-së në Viti është krijuar një mjedis i fuqishëm pune ku në qendër të preokupimit tonë është vënë qytetari dhe mirëqënia e tij. Reflektimet, debatet, bisedat, idetë e konceptet ballafaqohen në çdo tryezë-pune në lidhje me komunën tonë dhe të ardhmen e saj.
Kështu, në një tryezë-pune, z. Bahri Xheladini shpalosi gjerësisht preokupimin e tij në lidhje me veteranët e luftës dhe invalidët e luftës të cilët po përballen me nevoja të shumfishta jetësore. Ndër të tjera, ne e mbajtëm idenë e tij për krijimin e një kafe të veteranëve. Në një takim të posaçëm, kjo ide u shqyrtua me kujdesin më të madh nga Dega jonë.
Nëse veteranët e luftës janë trajtuar deri më tani vetem në nevojën materiale, ka ardhur koha që të kujdesemi edhe në aspektet tjera shoqërore. Është e vërtetë se aspekti material (kryesisht financiar) është komponenti kryesor të cilin nuk mund as ta neglizhojmë as ta menjanojmë siç ka bërë Qeveria duke mos e trajtuar pensionin e veteranit në ligjin e pagave.
Mirëpo, kjo as nuk na përjashton as nuk na liron nga detyra jonë për ti kushtuar vëmendjen e plotë kësaj kategorie kaq meritore të vendit tonë. Dhe kjo vëmendje duhet të përcillet me një reflektim të mirëfilltë mbi fazat nëpër të cilat ka kaluar kjo kategori e luftës prej çlirimit tonë më 1999.
Tani që kanë kaluar 23 vjet pas çlirimit dhe shumë veteranë të luftës i ka shtyrë mosha që të ngadalsojnë ritmin në jetën aktive. Si pasojë, ata kanë më shumë kohë dhe më shumë nevojë për t`u gjendur në përkujtimin e njëri-tjetrin për kohët e vjetra, por edhe për të biseduar mbi jetën shoqërore e politike të vendit tonë.
Fatëkeqësisht, ata nuk kanë asnjë hapësirë të veten ku mund të njihen në simbolika, mjedis të posaçëm që të kthejë nostalgjinë, krenarinë e dinjitetin. Kuptohet se zyrat e OVL-së nuk mund të jenë të mjaftueshme për këtë qëllim.
Ne kemi reflektuar dhe kemi dalë me propozim konkret në lidhje me këtë çështje:
Veteranët e luftës duhet të kenë një kafene (klub) të vetin. Ky klub do të jetë brenda mureve institucionalë të Komunës, por do të jepet, në njërën anë si leje OVL-së, dhe në tjetrën anë, nën një drejtim privat një veterani të përzgjedhur nga një komision i posaçëm dhe mbi baza të një kandidature.
Kjo kafe do të mbështetet fuqishëm nga institucionet e Komunës tonë duke bërë që ai t`i përgjigjet plotësisht nevojave të frekuentuesve të saj (p.sh. çmime më të ulta), si dhe të përçojë një simbolikë historike tek të rinjtë tanë.
Kuptohet se kafja (klubi) nuk do të jetë e mbyllur për qytetarët e tjerë. Përkundrazi, ajo ka për qëllim që ta mbajë të gjallë kujtesën kolektive përmes takimeve të përditshme nën simbolet tona më të arta të UÇK-së, fotografive, ekspozitave, mbrëmjeve letrare, përkujtimeve e tjera organizime.
Pra, qëllimi i këtij klubi-kafe është të promovojë në përditshmëri vlerat e luftës dhe të jetë një vendtakim për të gjithë veteranët, familjet e dëshmorëve dhe çdo dashamirës i tyre. Kjo pikë programore e Degës tonë do të realizohet me përparësinë më të madhe. Pra, qysh në javët e para pas fitorës tonë në zgjedhjet lokale.
Kryesia e Degës,
AAK- Dega Viti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 10 reads



