...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Arsyet e ‘trimërimit’ të Serbisë ndaj Uashingtonit

Avantazhet ekonomike dhe tregtare dhe investimet amerikane në Serbi dhe përfshirja e diplomatëve të Vuçiçit në Departamentin e Shtetit

SHJ

19/06/2023 - 08:37

Një arsye, dhe kryesorja, është qëllimi gjeopolitik i Uashingtonit për ta integruar Serbinë në “rendin” e tij dhe ta shkëpusë atë nga Rusia (këtë qëllim ai nuk mund ta realizojë kurrë, për shumë arsye, të cilat i kam shqyrtuar në vend tjetër); një tjetër është shfrytëzimi i armëve dhe municioneve serbe për të ndihmuar Ukrainën meqënse ato kanë kosto të ulët dhe rezervat perëndimore kanë shteruar; një tjetër është tregu i saj: ai është më i madhi në Ballkanin Perëndimor ndaj dhe amerikanët e shohin Beogradin si kryeqendër për investime, përmes të cilit të kontrollojnë gjithë rajonin; dhe një e fundit, është sjellja e Kurtit: sepse ai vërtet ia ka bërë të vështirë përparimin gjeopolitik në rajon me vendimet e tij.

Të katërta këto arsye mbështeten në fakte dhe jo hamendësime apo spekulime.   

Qëllimin e tij gjeopolitik Uashingtoni mund ta përparojë me të gjithë “unionet“ që janë parashtruar deri tani: Ballkanin e Hapur apo CEFTA-n e Kurtit. Ndaj përsa kohë që Uashingtoni ka këto qëllime dhe Prishtina bëhet pengesë për to, për aq kohë ai do të jetë pajambajtës me Serbinë. Por edhe nëse Prishtina nuk bëhet pengesë për qëllimet e tij dhe ai përparon me integrimin e Serbisë në “rendin” e tij, kjo e fundit do të gëzojë jo vetëm tre avantazhet ekonomike dhe tregtare që kam shqyrtuar në vend tjetër, por dhe privilegjet e Uashingtonit.

Disa prej tyre ajo po i gëzon dy-tre vitet e fundit: investimet amerikane janë përqendruar në Serbi dhe diplomatët e Vuçiçit gëzojnë pozicione bashkërendimi në Departamentin e Shtetit. Këta, me radhë, mund të ndikojnë në vendimet e Blinkenit dhe përgjithësisht në vendimet e ministrisë së jashtme amerikane. Kështuqë, nuk është vetëm qasja e përgjithshme amerikane në dobi të Serbisë por dhe ministria e jashtme e SHBA-së mund të përdoret për dobitë e saj.

Qasja e padrejtë amerikane në Ballkan është vërejtur dhe nga analistët perëndimorë. Për shembull, sipas një analize të një shkencëtari politik të specializuar në politikat e Evropës juglindore, Jasmin Mujanoviç, me banim në Kanada, publikuar në revistën amerikane “Foreign Affairs”, “gjatë vitit të fundit, SHBA-ja, më shumë se BE-ja, ka thelluar agresivisht angazhimin me presidentin serb thuajse-autokratik ndërsa njëkohësisht ka riorientuar qasjen e saj më të gjerë rajonale për të krijuar Beogradin si qendër për përparësitë e saj të politikës së jashtme”.

Për ta ilusturuar këtë argument ai përmend sjelljen me dy standarte të Uashingtonit në Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor: në të parën nuk merr vendime pa Ukrainën [...] ndërsa për rajonin (Bosnje, Kosovë dhe Maltëzi) tonë merr vendime pa ta. Në rastin e Kosovës, ai përmend ambasadorin amerikan në Prishtinë, i cili qorton vazhdimisht qeverinë për dështimin e saj ndaj marrëveshjes së vitit 2013, për t`u shfrytëzuar nga tabloidet serbe dhe Vuçiçi por thotë pak për moszbatimin e marrëveshjeve kyç nga Serbia. “Në fakt, Beogradi është aq i papajtueshëm lidhur me Kosovën saqë marrëveshja e fundit e Ohrit, e ndërmjetësuar nga BE-ja...pa Vuçiçin të refuzonte nënshkrimin e saj. Në vend të saj, ai tha se ai ishte pajtuar me fjalë por më pas e bëri të qartë pas pak orësh se ai s`kishte qëllim t`i përmbahësh asaj” [...].    

Kur përqiqet të tregojë arsyet pse Uashingtoni pajamban Serbinë ai citon se “është një politikë tërësisht në kundërshti me qasjen e administratës së Bajdenit ndaj Ukrainës. Pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë, administrata e Bajdenit njohu drejt se gjendja e përgjithshme politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishte bërë e paqendrueshme. Bosnja, Kosova, dhe Malizi ishin pikat e mundshme më të nxehta, të cilat të gjitha mund të kooptoheshin nga Moska për të krijuar një front proverbial të dytë në Evropë―ndoshta jo në kuptimin kinetik por me siguri politik.

Si e tillë, ishte në interesin e SHBA-së për ta kufizuar shpejtë Ballkanin Perëndimor pas dy dekadave të lënë përgjithësisht administratën rajonale në duart e Brukselit―me rezultate që s`kishin fund. Për ta realizuar këtë, Deparatamenti i Shtetit të Bajdenit, siç këshillojnë botimet, kishte dalë në përfundimin se ai kishte nevojë për partnerë të cilët mund t`u përmbaheshin premtimeve të tyre. Në Ballkanin Perëndimor, kjo do të thotë përgjithësisht mbështetje në regjimet më pak pluralistike në rajon. Siç vrojton Majda Ruge, një eprore politikash në Këshillin Evropian mbi Politikat e Jashtme: qeveritë perëndimore vijueshmërisht sillen me Beogradin si lojtari i domosdoshëm mbi çështjet kryesore me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Cilado qoftë çështja, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është njeriu i parë që ata thërrasin. Një pjesë e kësaj vetë-kuptohet: pushteti në Serbi është përqendruar në duart e Vuçiçit, i cili ka rritur kontroll të rëndësishëm në duar e tij”.

Kjo do të thotë lënien pas dore të Sarajevës, Prishtinës dhe Podgoricës, pavarësisht se të tre këta janë haptas pro-perëndimorë në orientim dhe Malizi një anëtar i Nato-s. Kjo sepse politikat e të tre shteteve janë nga brenda tejet grindavece, kryesisht për shkak të ndërhyrjes së drejtëpërdrejt të fuqive të huaja: Serbia, e para dhe më shumë, por gjithashtu dhe Kroacia, të paktën në rastin e Bosnjes.

Dukshëm, administrata e Bajdenit beson se paqja në Ballkan kërkon qendërzimin e interesave e të fuqishmit mbi të dobtit, qendërzimin interesat e atyre që kanë më shumë gjasa të shkaktojnë paqendrueshmëri mbi ata që kërkojnë të mbrojnë veten. Kjo është përllogaritja e realpolitikës që ka udhëhequr politikën e SHBA-së në Pakistan, Egjipt, Arabinë Saudite, dhe qoftë edhe në Rusi përpara luftës. Historia flet vetë. Siç citoi Daniel Serwer, një ish-diplomat amerikan dhe shkollar i politikës së jashtme muajin e kaluar, “analiza bazike” për ata që shtyjnë këto politika “është pabazë”. Dhe ai vazhdoi: “ata janë mbështetur mbi Serbinë si shteti kryesor në rajon për të sjell qendrueshmëri, në bashkëpunim me Kroacinë dhe Shqipërinë.

Por Serbia është një fuqi revizioniste. Ajo kërkon të qeverisë gjithë serbët e rajonit [...]. Kroacia dhe Shqipëria nuk kanë ambicie të njëjta, por janë në të njëjtin drejtim: të kontrollojnë bashkëkombasit në fqinjët e Bosnjes dhe Kosovës. Se sa shtrihet përfshirja e Shqipërisë në këtë triumvirat mbetet e diskutueshme, por pak vrojtues të kalitur shohin me siguri Serbinë dhe Kroacinë në skemë.

Autori parashikon se administrata e Bajdenit do të pendohet në afatshkurtër për qasjen e saj në Ballkan kryesisht për shkak të zgjedhësve ballkanas që jetojnë në SHBA. Sipas tij, boshnjo-amerikanët mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme republikanët dhe të përmbysin rezultatin në disa shtete të lëkundshme. Ndërsa nuk përfshin efektin e shqiptaro-amerikanëve në zgjedhjet e arshshme dhe planet serbe, të cilët i ka përfshirë Adil Fetahu në përpjekjen e tij për të paraljmëruar shqiptarët, ai përfundon se “siç ka qenë kaq shpesh më parë në Ballkanin Perëndimor”, premtimet e mëdha ideologjike të epokës sonë―në këtë rast, shpresa për një zotim kategorik dhe normativ nga perëndimi politik për mbrojtjen e demokracisë dhe e drejta e shteteve të vegjël për të qenë të lirë―janë bërë hi”.   

Në fakt, autori nuk bën krahasim të drejtë kur krahason Ukrainën me rajonin tonë: sepse SHBA-ja ka qenë, është dhe do të jetë, diktuese e politikave të Kievit pavarësisht se në disa raste nuk merr vendime pa të për shkak të luftës dhe njohjes që ka për fontet e luftës. Këtë pretendim e vërtetojnë faktet (sekrete dhe josekrete). Ai nuk përmend, gjithashtu, arsyen pse Vuçiçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e Ohrit: sepse do të njihte Kosovën. Dhe ai s`përmend dhe faktorët kryesorë përmes të cilëve Serbia mbizotëron në rajon dhe përparon planet e saj hegjemoniste: avantazhet ekonomike dhe tregtare dhe investimet amerikane në Serbi dhe përfshirja e diplomatëve të Vuçiçit në Departamentin e Shtetit. Këta janë përcaktues jo vetëm për të ardhmen tonë por për gjithë rajonin: sepse ata ndihmojnë Serbinë ―më shumë se çdo shtet tjetër― të përparojë synimet e saja gjeopolitike në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, me ndihmën e vyer të Amerikanëve dhe Ramës.

Ndaj nuk mjafton të tregohen vetëm qëllimet serbe në rajon dhe në Kosovë (siç mundohet të tregojë qeveria dhe opozita në Kosovë, sepse Tirana as ato s`tregon!) por dhe qëllimet amerikane dhe efektet e tyre ndaj nesh. Kështu ndihmojmë dhe amerikanët (të paktën ata që s`e kanë kuptuar) të kuptojnë se me gjeopolitikën e tyre ata ndihmojnë qëllimet serbe (por dhe greke në Shqipëri) në Kosovë dhe përtej saj dhe ne s`kemi asnjë mundësi të mbrohemi nëse nuk kuptohen avantazhet tregtare dhe efektet e ‘privilegjeve’ ndaj Serbisë.

Se çfarë e trimëron Serbinë, në fjalë të tjera, kundrejt Uashingtonit, qoftë edhe duke mos e përfillur fare për “ultimatumet” e tij për të liruar policët e arrestuar apo kur ushtron dhunë ndaj forcave të Nato-s, është e qartë: sepse Beogradi e di se Uashingtoni kërkon ta integrojë në “rendin” e tij; ndaj po e përdor ose shfrytëzon atë për qëllimet e tij gjeopolitike në rajonin tonë, duke përdorur qasjen e tij të dyfishtë: një drejt BE-së dhe një drejt unionit euraziatik.

Shkëputur nga:

Argumentat e Haradinajt kundër Kurtit dhe e ardhmja jonë kombëtare   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA