...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Plani i Vuçiçit për shkëputjen e veriut të Kosovës dhe kontributi i vyer i Kurtit

Kurti nuk besoj se e kupton planin e Vuçiçit; as kupton se ai me veprimet e tij çon ujë në mullirin e Beogradit; as kupton, në fund, natyrën e të drejtës ndërkombëtare

Ylli Përmeti

25/06/2023 - 13:06

Dy ditët e fundit (23-24 qershor) Prishtina ka denoncuar armatosjen e serbëve në Kosovë, kryesisht për t`i treguar perëndimit “prapësitë” e Vuçiçit dhe për ta ndëshkuar atë. Por siç kam treguar në një analizë, të cilën nuk besoj se e ka lexuar Kurti dhe ministri i tij i punëve të brendshme, Sveçla, apo këshilltarët e tij të mjerimit, gjithë gjasat janë se perëndimi nuk do të veprojë kundër Serbisë, për gjithë arsyet që kam treguar atje.

Argumentat e Haradinajt kundër Kurtit dhe e ardhmja jonë kombëtare

Sidoqoftë, gjatë javës që kaloi, Vuçiçi përdori dy taktika për t`iu kundërvënë Kurtit, të cilat nuk kam parë t`i përmend gjëkundi Prishtina dhe Tirana: taktika e parë lidhet me ftesën e Vuçiçit ndaj serbëve të Kosovës për të zhvilluar një kuvend popullor në 28 qershor (ditën e Shën Vidisë, në kujtim të 28 qershorit të vitit 1389 kur ndodhi beteja e Kosovës mes princit serb Lazar Hrebeljanoviç dhe perandorisë otomane), i cili do të shpallë bashkësinë serbe dhe do të krijojë organet drejtuese të saj; dhe taktika e dytë lidhet me armatosjen e serbëve.

Taktika e parë ka karakter politik ndërsa e dyta ushtarak. Përdorimi i këtyre taktikave tregon se Vuçiçi nuk do të përdorë ―të paktën në këtë fazë― ndërhyrjen ushtarake pavarësisht se kërcënon paralelisht.

Për taktikën e parë profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë se nuk mund të krijohet pa një dekret nga qeveria e Kosovës dhe pa “lejen” e Gjykatës Kushtetuese! Thuajse të njëjtin qendrim ndan dhe drejtori i forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, Dushan Janjiq. Pas këtyre shkojnë dhe “ekspertët” e tjerë të nomenklaturës në Prishtinë (dhe Tiranë) dhe pas tyre populli!

Por ata dhe të ngjashmit e tyre shpërnjohin të drejtën ndërkombëtare, sipas së cilës popujt mund të vetëvendosin dhe të kërkojnë njohje ndërkombëtare pasi të tregojnë se ata shtypen nga një “regjim” apo qeveri. Me siguri Vuçiçi ka parasysh të drejtën në fjalë kur nxit një veprimtari të tillë. Por ai nuk mund ta realizojë atë nëse nuk i tregon botës se në veri ka padrejtësi dhe dhunë të organizuar. Për ta realizuar këtë qëllim atij i duhen edhe padrejtësitë edhe dhuna e organizuar nga shteti i Kosovës.

Lidhur me “padrejtësitë”, ai po përdor veprimet e Kurtit, të cilat po mbështeten nga perëndimi (të paktën deri tani Boreli i ka mbështetur ndërsa SHBA-ja ka heshtur) ndërsa lidhur me dhunën e organizuar, Vuçiçi po përdor arrestimet e qytetarëve serbë nga shërbimet e drejtësisë së Prishtinës. Por ajo është e pamjaftueshme për të përligjur “luftën” për liri, siç e quan Vuçiçi, të qytetarëve serbë në Kosovë.

Kështuqë atij do t`i duhet më shumë dhunë e organizuar nga Prishtina dhe më shumë kundërdhunë nga qytetarët serbë. Kurti ka thënë se do t`i arrestojë të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë në protestat e javëve të fundit. Numri i pakët e të arrestuarve tregon se në javët në vijim do të kemi arrestime të tjera.

Në këtë mënyrë Kurti çon ujë në mullirin e Vuçiçit: shkakton më shumë “dhunë” të organizuar dhe për pasojë, ai do të nxisë kundër-dhunën e qytetarëve serbë, të cilët, hamendësisht, po armatosen pavarësisht se policia e Kosovës ka kapur disa sasi. Kështu krijohen kushtet për “revolucion” dhe për shkëputje të bashkësisë serbe nga Kosova!

Vuçiçi mund të veprojë në dy fronte: edhe duke nxitur kuvendin popullor (të mërkurën e javës që vjen!) edhe duke përparuar me krijimin e kushteve të cilët kërkohen nga e drejta ndërkombëtare dhe po ndihmohen nga Kurti. Ky i fundit, nuk besoj se e kupton planin e Vuçiçit; as kupton se ai me veprimet e tij çon ujë në mullirin e Beogradit; as kupton, në fund, natyrën e të drejtës ndërkombëtare.

Ngjarjet e përshkruara këtu bëhen të pashmangshme meqënse dihen qendrimet dhe veprimet e palëve dhe pasojat e tyre (nuk është e rastit që Vuçiçi parashikon se kriza s`ka arritur kulmin e saj ndërsa synon të takojë serbët e Kosovës javën tjetër): ato do të zhvillohen javën tjetër, sepse Kurti veprimtarinë e tyre politike (zhvillimin e kuvendit) nuk mund ta ndalojë ndërsa paralelisht do të jenë armatosur grupe të caktuara shoqërore. Me siguri ata do t`i përdorin armët pas zhvillimt të kuvendit dhe shpalljes së tij kur Kurti të tentojë të arrestojë ndonjë serb tjetër.

Kështu krijohen kushtet për vrasjen e ushtarëve dhe policëve në radhët tona por dhe në radhët e tyre dhe krijohet një kusht tjetër―vendimtar për Serbinë: të ndërhyjë ushtarakisht dhe të mbrojë shpalljen e kuvendit. Nëse Kurti kundërvepron ndaj ushtrisë serbe me siguri do të sakrifikojë jetë të tjera por më kryesorja do ta humbasë luftën për një kohë të shkurtër dhe bashkë me të dhe veriun e Kosovës. Kështu ai i “dhuron” Serbisë veriun e Kosovës, humbet një luftë dhe disa qindra jetë.

Pas kësaj faze me siguri ai do të jetë rrëzuar nga pushteti meqënse shqiptarët do ta kuptojnë se veprimet e tij ishin shkaktare të humbjeve të radhës. Ai mund ta ndalojë këtë proces vetëm nëse ndryshon taktikë: të pranojë se është fajtori kryesor i krizës së re me serbët por të tregojë dhe fajtorët e tjerë, amerikanët, evropianët dhe Ramën, dhe të amnistojë të gjithë ata që ushtruan dhunë ndaj policëve, ushtarëve dhe gazetarëve, me kusht që të kthehen në jetën politike të Kosovës, dhe të kthehen tre policët që u pengmorën nga Serbia.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA