...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ukraina përçan Nato-n dhe rrezikon poshtërimin e aleancës nga Rusia

Përkrahësit e vijës së fortë me Bajdenin në krye rrezikojnë të poshtërohen nga Rusia në vend ta poshtërojnë atë: sepse me siguri Putini po mendon asgjësimin e plotë të sistemit mbrojtës amerikan në Ukrainë me raketat e tij hipersonike gjatë javëve dhe muajëve në vijim pas përpjekjes së parë

Ylli Përmeti

11/07/2023 - 18:20

Pikërisht një ditë përpara se të zhvillohej mbledhja dyditore e Nato-s në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, ku u vendosën njësitë e sistemit amerikan mbrojtës “Patriot”, por të furnizuar nga Gjermania, për të mbrojtur krerët e anëtarëve të organizatës, konglomerati i mbrojtjes ruse Rostec njoftoi se kishte filluar prodhimin masiv të raketave Kinzhal.

Sipas njoftimit, më parë ajo prodhonte për nevojat e studimit dhe zhvillimit por tani ka kaluar në prodhimin seri të tyre. Duke shpërnjohur edhe një herë shqetësimet dhe synimet ruse në Ukrainë por dhe zhvillimet ushtarake ruse, Bajdeni kërkon t`i dërgojë Putinit edhe një herë kumtin se aleanca më e madhe ushtarake në botë është e “bashkuar”, madje ajo po zgjerohet me Suedinë por jo me Ukrainën.

Për dëshirën e kësaj të fundit, anëtarët e Nato-s janë ndarë në dy “kampe” dhe rrezikojnë ndarjen e aleancës. Siç raporton komenatori i Financial Times, Gideon Rachman, realitetin e mbledhjes dhe disa implikime:

Çështja që kërcënon ndarjen e aleancës është ambicia e Ukrainës t`i bashkohet Nato-s. Një kamp, përfshirë Poloninë, shtetet Baltike dhe vetë Ukraina, duan ta shohin vendin të anëtarësohet përmes një procesi të përshpejtuar. Një tjetër, i udhëhequr nga SHBA-ja dhe e mbështetur nga Gjermania, kërkon të ngadalësojë procesin dhe të nxisë forma të tjera të garancive të sigurisë për Ukrainën.

Diplomatë të shkathët do të gjejnë ndoshta një formë fjalësh që do të mbulojë këto kërcitje. Komunikata përfundimtare e Nato-s ka gjasa të pranojë se Ukraina do t`i bashkohet aleancës në të ardhmen por do t`i shmanget ndonjë zotimi për ta përshpejtuar procesin.

Ky, sidoqoftë, nuk do të jetë fundi i çështjes. Pas këtij argumenti qendrojnë ndryshime rrënjësore se si të përfundojnë luftën e Ukrainës dhe si të garantojnë paqe pasi të mbarojë.

Kampi i linjës së fortë beson se ky qëllim duhet të jetë fitore e plotë për Ukrainën dhe humbje poshtëruese për Rusinë. Ata mendojnë se rruga e vetme për të siguruar paqe është thyerja e fuqisë ruse dhe më pas të fusin Ukrainën në Nato. Ata besojnë se Kievi tashmë ka paguar një çmim të rëndë për kujdes të tepërt amerikan dhe gjerman në dhënien e armëve ― dhe se amerikanët tani po përsërisin këtë gabim duke zvarritur këmbët e tyre mbi anëtarësinë e së ardhmes së Ukrainës në aleancë.

Qeveritë amerikane dhe gjermane janë më të kujdeshme rreth qëllimeve të luftës dhe sigurimit të paqes. Një kryediplomat gjerman përsiatet se pas bisedimeve polake për nevojën e një humbje tërësore të Vladimir Putinit është shpresa se Rusia mund të copëtohet. Kjo, tha ai, është një ide që Berlini nuk e mbështet.

Amerikanët nuk po thonë se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në Nato. Por ata po shkelin butë frenat duke këmbngulur se çdo kërkesë teknike duhet të plotësohet si fillim. Kur mbështetësit e linjës së fortë citojnë anëtarësimin e fundit të përshpejtuar të Finlandës në aleancë si një shembull, përgjigjja e SHBA-së është se Finlanda, si një anëtare e BE-së, ka përmbushur tashmë gjithë kërkesat mbi masat kundër korrupsionit, qeverisjes demokratike dhe të ngjashme si këto.

Pas këndërshtisë zyrtare të Amerikës qendron një shqetësim se çdo zotim për të anëtarësuar Ukrainën me proces të përshpejtuar mund të zgjasë luftën dhe të paraqesë ndërlikime të rrezikshme për një marrëveshje paqeje në të ardhmen. Për shembull, do të mbulohet Krimea nga një garanci sigurie të Nato-s për Ukrainën?

Disa zyrtarë amerikanë shqetësohen gjithashtu se disa aleatë do të donin ta shihnin Nato-n të shkojë drejtpërdrejtë në luftë me Rusinë. “Nëse ata duan këtë, duhet ta thonë haptas”, tha një uashingtonist i mirë-vendosur, “sepse kjo nuk është politika jonë”.

Në vend të shtyjnë për Nato-n tani, SHBA-ja thekson forma të ndryshme për garanci sigurie. Ideja do të jetë themelimi i një krahazimi të veçantë ushtarak me Ukrainën duke përfshirë kalimin e armëve të teknologjisë së lartë dhe bashkëpunim të dendur mes ushtrive. Plani, tha zyrtari amerikan, është të krijohet një “forcë e orientuar drejt mbrojtjes që do të jetë shumë e vështirë për çdo agresion rus në të ardhmen”.

Bajdeni dhe të tjerë e kanë lidhur këtë me krahazimin e SHBA-së me Izraelin. Si izraelitët, ukrainasit do të jenë një aleat i ngushtë i Amerikës, të furnizuar me pajisjet ushtarake më të përparuara ― duke përfshirë municionet kundërthënëse të bombave thërrmuese. Por vendimtarisht, si Izraeli, Ukraina nuk do të mbulohet, si fillim, me grancinë e sigurisë së Nenit V të Nato-s [...].

Gjithë kjo bisedë mbi garancitë e ndryshme të sigurisë shqetëson disa nga mbështetësit më të flaktë në Nato. Javën e kaluar, Kaja Kallas, kryeministrja estoniane, shprehu zhgënjimin e saj kur i tha FT se “ne kemi nevojë për hapa praktikë, konkretë mbi udhën e anëtarësimit në Nato. Kam parandjenjën që të flasësh për garanci sigurie në të vërtetë mjegullon tablonë...e vetmja garanci sigurie që vërtet vepron...është anëtarësia në Nato” [...].

Është e lehtë të ngushëllohesh me këndvështrimin e Kallas se paqartësia është e rrezikshme dhe se “zonat gri janë burime konflikti dhe lufte”. Ukraina do të jetë me siguri më e mbrojtur brenda Nato-s dhe përvoja tregon se Rusia s`ka gjasa të sulmojë një vend të mbuluar nga Neni V [...].

Por e vërteta është se këndvështrimi amerikan do të duhet të mbizotërojë. SHBA-ja përllogaritet për rreth 70 për qind të shpenzimeve tërësore të gjithë vendeve të Nato-s. Kështu politika e Nato-s do të vendoset përfundimisht në Uashington, jo në Bruksel ose Vilnius.

Atje janë dhe arsye të mira politike gjithashtu dhe financiare për Nato-n të udhëzohet nga kujdesja relative amerikane. Shtëpia e Bardhë e Bajdenit është me gjasa administrata më miqësore ndaj Ukrainës dhe Nato-s që mund të prodhojë aktualisht SHBA-ja. Republikanët janë partia e Donald Trampit, jo e Xhon Makeinit. Çdo lëvizjë për të anëtarësuar me proces të përshpejtuar Ukrainën në Nato mund të bëhet lehtë një çështje në zgjedhjet presidenciale amerikane. Miratimi nga Senati i anëtarësisë së Ukrainës nuk do të garantohet.

Pas këtyre fakteve historike qendron një realitet më i gjerë historik. Nato-ja u krijua në vitin 1949 pas luftës së dytë botërore dhe në fillim të luftës së ftohtë. Shtetarët amerikanë të cilët krijuan aleancën kishin një zotim intelektual dhe emocional për mbrojtjen e Evropës e cila nuk mund të merret më si e mirëqenë në Uashington. Për gjithë zhgënjimet e tyre me administratën e Bajdenit, përkrahësit evropianë të vijës së fortë duhet ta kujtojnë këtë fakt.      

Këshilla e tij lidhur me fatin Nato-s është e drejtë sepse me shumë gjasa me presidencën e radhës Trampi do ta nxjerrë Amerikën nga Nato-ja. Por se çfarë nuk përmend autori është miti se anëtarët e Nato-s mund të mbrohen nga Neni V i traktatit (se pse ky është një ‘mit’ e kam treguar në vend tjetër) dhe faktin se përkrahësit e vijës së fortë me Bajdenin në krye rrezikojnë të poshtërohen nga Rusia në vend ta poshtërojnë atë: sepse me siguri Putini po mendon asgjësimin e plotë të sistemit mbrojtës amerikan në Ukrainë me raketat e tij hipersonike gjatë javëve dhe muajëve në vijim pas përpjekjes së parë. 

Shkatërrimi` Patriot-it nga hipersoniket ruse dhe implikimet për sigurinë amerikane dhe evropiane

Me prodhimin e tyre në seri ai e ka të lehtë të asgjësojë sistemin në fjalë dhe të ketë rezerva për objektiva të tjerë, qoftë edhe duke shënjestruar sistemet amerikane brenda dhe jashtë vendit; dhe duke qenë se komanda e saj në Kiev do të mbetet pa mbrojtje ajrore dhe Zelenski ka filluar ta shpreh publikisht zhgënjimin e tij për t`u anëtarësuar në Nato, Putini ka mundësi të realizojë qëllimin e tij fillestar―përjashtimin e Ukrainës nga perpjekja e saj për t`u anëtarësuar në Nato (dhe dorëzimin e saj) dhe uljen në tryzë me SHBA-në për një traktat të ri mes dy superfuqive.

Për shembull, siç raportoi FT, Zelenzki menjëherë pas deklaratës së ditës së parë pas mbledhjes, sipas së cilës aleanca zotohet të “zgjasë ftesën” dhe e “ardhmja e saj është në Nato” ose siç citoi kreu i Nato-s, tashmë anëtarësia e saj varet nga një vendim politik dhe procesi shkurtohet nga dy hapa në një hap...e dënoi atë për “mungesën e kuadrit të sigurtë kohor”. Në fjalët e tij: “ishte e pashembullt dhe absurde kur kuadri kohor nuk vendoset, as për ftesën as për anëtarësinë e Ukrainës”, ndërsa sulmoi “kushtetet e vagëta të Nato-s për ftesën e Kievit. 

Ky editorial është ndrequr dhe përditësuar një ditë pas publikimit. Fotografia që shoqëron këtë editorial është e Fanancial Times sipas artikullit të Rachman   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA