...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Degë e AAK-së fton qytetarët të shqyrtojnë planin e saj për arsimin

Plani përfshin shoqërizim të nxënësve përmes përqendrimit të tyre në një komunë; barazpeshim të nxënësve të shkollës së përgjithshme dhe profesionale; specializim të veçantë të tyre dhe rrjedhimisht dhe buxhet të posaçëm; orar mësimor të plotë (08-17:00 apo 18:00); 500 nxënësit më të mirë do të përfitojnë shpërblime prej 30 euro në muaj; do të shkëmbehen për një semestër me nxënësit e mërgatës; do të mundësohet ndjekja e mësimeve nga prindërit përmes një aplikacioni; dhe mësuesit do të shpërblehen me 600 euro në vit ndërsa 20 më të mirët do të shpërblehen me 1200 euro në vit.

SHJ

17/11/2023 - 14:45

Sot ishim në një vizitë tek shkolla e mesme e përgjithshme për të takuar drejtorin Mujë Tafa dhe zv. drejtorin Ekrem Hasani. Përjetuam një mirëpritje dhe një dialog të qytetëruar mes nesh. Drejtori Tafa dhe zv. drejtori Hasani na treguan për punën e tyre të përditshme, vullnetin e pasionin, por edhe vështirësitë e ndryshme me të cilat përballen. Kuptohet se së bashku ndamë edhe pikëpamjet e ndryshme mbi arsimin e mesëm dhe sfidat nëpër të cilat po kalon.

Pavarësisht punës dhe vullneteve të mira të mësimdhënësve dhe stafit menaxhues në nivelin e objekteve arsimore, arsimi në Viti është në gjendje tepër të vështirë. Ai kërkon që të rimendohet thellësisht me qëllim që të gjendet formula e përshtatshme që nxënësi i sotëm të jetë gjithmonë profesionisti i nesërm i cili i përgjigjet nevojave të tregut të punës të vendit tonë.

Siç tha edhe zoti Tafa se shkolla duhet të bëjë punën e vet edhe në mësimdhënie edhe në edukim, në vizionin tonë shkolla nesërme duhet të mobilizojë të gjitha kapacitetet e saja që nxënësit tanë të bëhen gati që Evropën ta bëjnë këtu. Qytetari i ardhshëm shqiptar nuk mund ta kërkojë Evropën gjetiu përveç se në vendin e vet. Për ne roli edukues i shkollës fillon dhe mbaron këtu. Pjesa tjetër është nxënia e një dije-bërje e cila duhet ta shoqërojë nxënësin drejt formimit të një identiteti profesional.

Arsimi është duke kaluar nëpër një krizë që ka të bëjë me zhvillimin e vonshëm të ekonomisë së tregut të lirë në vendin tonë. Gjersa ekonomia e tregut të lirë po zhvillohet, arsimi ka mbetur peng i vazhdueshëm i politikave të tejkaluara klienteliste ku më shumë ka reflektim mbi mundësinë e punësimit përbrenda këtyre strukturave se sa për mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës nga fuqia prodhuese e kreative të dije-bërjës që del prej tyre.

Duke qenë e vetëdijshme për sfidat nëpër të cilat po kalon arsimi; duke qenë e mirënjohur me gjendjen ekzistuese teorike e faktike të arsimit në Viti, Aleanca ka hedhur në projeksion një reformë qysh në tetor të vitit 2022 për t`iu përgjigjur gjendjes të tashme të paqëndrueshme dhe të papërputhshme me ekonominë dhe trajtën zhvillimore të vendit tonë.

Ashtu siç e njoftuam shkurtimisht edhe drejtorin Tafa, reforma jonë prek pjesërisht edhe shkollën e mesme të përgjithshme. Vizioni ynë për shkollën e mesme është përmbledhur në disa pika përbrenda propozim-reformës tonë:

• Ne nuk do të lejojmë që të ketë paralele të ndara mes Vitisë dhe Pozhoranit për sa i përket shkollës së mesme. Vitia do të jetë e vetmja qendër ku do të mblidhen të gjithë nxënësit e komunës tonë. Kjo sepse procesi i shoqërizimit të fëmijës nuk mund të zhvillohet normalisht;

• Nëse shkolla e mesme e përgjithshme sot përbëhet nga 70% e nxënësve dhe shkolla e mesme profesionale nga 30 %, ne do të bëjmë ç`mos që kjo të gjejë një barazpeshim në të ardhmen e afërt;

• Shkolla e mesme profesionale, sidhe ajo e përgjithshme, do të specializohen në dy fusha secila të veçanta. Kjo do të thotë se këto dy specializime do të kenë një dedikim buxhetor të posaçëm;

• Ashtu siç e kemi menduar edhe për shkollat e nivelëve më të ulta, shkollat e mesme nuk do të mbajnë mësim vetem gjysmëditor, por gjithëditor. Kjo do të thotë se nxënësit do të fillojnë mësimin në ora 8 dhe do të përfundojnë, sipas orarëve, në ora 17 apo 18;

• Nxënësit më të mirë të shkollave të mesme do të përfitojnë 500 bursa nga 30€/muaj nga një fond i veçantë i cili do të krijohet vetem për këtë çështje;

• Nxënësit e shkollave të mesme do të mund të përfitojnë përvojë të veçantë duke bërë një shkëmbim ndërkombëtar për një semestër me një nxënës tjetër nga mërgata shqiptare i cili do të vijë, në shkëmbim, për një semestër këtu;

• Do të zhvillojmë një aplikacion shumë profesional me qëllim që nxënësit dhe prindërit të mund të përcjellin në kohë reale të gjithë mbarëvajtjen e mësimit, praninë, detyrave të shtëpisë etj;

• Të gjithë mësimdhënësit e shkollës së mesme do të përfitojnë një shpërblim vjetor (për mirënjohje) prej 600€/viti. Kurse 20 shpërblime të tjera prej 1200€/vit do të ndahen për 20 mësimdhënësit më të përkushtuar në punë.

Këto janë vetem disa pika programore në lidhje me arsimin e mesëm të cilat do të nxisin një perspektivë të re nga e cila shkolla të kthehet në tempullin e dije-bërjës, të kreativitetit dhe të qytetarit që kërkon dinjitet në vendin e vet. Kështu, buxheti i caktuar për shkollat e mesme në Viti (1 672 750 € në 2024) do të rikthehet në investim të sigurtë të të ardhmës së vendit tonë.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA