Mosmbështetësit e Palestinës dhe ndihma e botës arabe në luftën tonë kundër agresionit serb
Bota arabe përgjithësisht e dënoi agresionin e Milosheviçit pavarësisht se shumë nga qeveritë përkatëse besonin se shqiptarët e Kosovës nuk ishin muslimanë të përkushtuar; kishin frikë se mos ndiznin prirje të islamit politik; dhe kishin dëshmuar mbështetjen e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj Palestinës
Ylli Përmeti
22/11/2023 - 11:48
Me braktisjen e socializmit marksist shqiptarët u përhapën në gjithë botën por shumica shkoi në perëndim dhe Lindjen e Mesme. Kështu u krijuan lidhjet ideologjike me vendet përkatëse dhe nuk do të ishte e çuditshme që disa të kërkojnë lidhje ideologjike me perëndimin dhe të tjerë me lindjen, dhe duke qenë se shumë nuk e kuptojnë rëndësinë e kritikës së drejtë kërkojnë nga analistët e ngjarjeve të anojnë nga lidhjet e tyre ideologjike!
Kjo prirje u vërejt edhe një herë gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit dhe popullit palestinez kur filluan të shfaqeshin disa protesta të vogla në mbështetje të Palestinës në Prishtinë dhe Tiranë u shfaqën gjithashtu kundërshtitë sipas të cilave ne nuk duhet ta mbështesim atë sepse ajo dhe bota arabe nuk na mbështeti kur gjymtohësh Kosova nga Serbia ndërsa nuk munguan dhe qendrimet që shpërnjohin të drejtën ndërkombëtare dhe dinamikën e krijuar rreth botës, si në nivel popullor ashtu dhe në OKB, duke mos e bazuar qendrimin e tyre në drejtësinë ndërkombëtare, siç u munduan etërit tanë shekullin e kaluar, për hir të paqes, pasi dëshmuan gjithë ato luftra, por në botën e “më të fortit”!
Arsyet e mosnjohjes së Kosovës nga Palestina dhe pështjellimi i popullit shqiptar
Disa nga këta zëra përdorin titujt e disa raporteve ku pretendohet se zyrtarët e Palestinës kanë thënë se “Kosova është Serbi” pa hetuar fare se ato pretendime dhe raporte mund të mos jenë të vërtetë (siç edhe nuk janë) ndërsa të gjithë shpërnjohin faktet historike si lidhur me ndihmën e botës arabe ashtu dhe me karakterin e luftës së UÇK-së dhe qendrimin e popullit shqiptar në atë kohë, sepse bota arabe përgjithësisht e dënoi agresionin e Milosheviçit pavarësisht se shumë nga qeveritë përkatëse besonin se shqiptarët e Kosovës nuk ishin muslimanë të përkushtuar; kishin frikë se mos ndiznin prirje të islamit politik; dhe kishin dëshmuar mbështetjen e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj Palestinës.
Ajo ishte e ndarë në dy kampe: në njërën anë shtetet e përfshirë financiarisht (kryesisht përmes petrodollarëve) në botën perëndimore të cilët u përqendruan në ndihmën humanitare dhe në ngritjen e çështjes në OKB (Arabia Suadite, Shtetet e Golfit, Egjipti dhe Jordania) dhe në tjetrën shtetet si Irani, Libia dhe Iraku që dëshironin gërryerjen e përfshirjes së SHBA-së në rajon.
Por asnjëri nuk ishte kundër Kosovës. Teherani, për shembull, kërkoi menjëherë pas agresionit serb (1998) bashkëpunim me perëndimin kundër Milosheviçit; madje shtypi atje kritikoi NATO-n për vonimin e sulmeve ajrore. Por pas Konferencës së Rambujesë Irani ndryshoi qendrim, duke kërkuar që çështja të zgjidhësh në OKB dhe se çdo veprim i Nato-s do të ishte i papërshtatshëm, dhe duke u përputhur me qendrimin e Rusisë dhe Kinës.
Për UÇK-në, gjithashtu, ndihma ushtarake do të ishte e papranueshme për sa kohë që kampi i dytë i vendeve arabe kërkonte mospërfshirjen e SHBA-së në rajonin tonë ndërsa vetë UÇK-ja nuk e shihte veten si një lëvizje fetare muslimane, por guerrilse marksiste-enveriste, dhe populli shqiptar i kohës nuk e donte ndihmën e tyre sepse mund të prisheshin marrëdhëniet me perëndimin.
Për të gjitha këto arsye bota arabe nuk u përfshi drejtpërdrejt në luftën tonë kundër agresionit serb dhe tregoi “vetëpërmbajtje” por ajo kontriboi prapëseprapë, sipas dinamikës së kohës; ndaj dhe thirrjet e “folkut”, që e “ha sapunin për djathë”, për mos mbështetjen e Palestinës, si përgjigje ndaj “mosmbështetjes” së saj dhe botës arabe ndaj nesh, janë pasojë e padijes dhe jo e ligësisë; dhe ndaj është detyra jonë t`i durojmë dhe edukojmë, duke patur parasysh se disa qenie të keqedukuara vonojnë të edukohen por edukohen prapëseprapë.
Pështjellimin e popullit mund ta shpështjellonte klasa jonë politike dhe nomenklatura e saj me në krye profesorët dhe doktorët e saj të shkencave, të cilët na kushtojnë shumë nga kursimet tona, gati njësoj sa “ndrikullat” e klasës politike, por ajo deri tani s`ka kuptuar gjë lidhur me ndikimin që ka qendrimi i saj jo vetëm në popullin tonë por dhe në Lindjen e Mesme, kur dihet se kjo e fundit është e ndarë në njohjet e saj: gjysma e njeh pavarësinë e Kosovës (vendet e integruar në botën perëndimore) ndërsa gjysma tjetër jo (vendet e integruar në botën lindore), dhe kur dihet se ajo kundërshton qendrimin perëndimor lidhur me luftën e Izraelit dhe është orientuar e tëra, ndryshe nga koha kur ne luftonim kundër agresionit serb, drejt botës euro-aziatike të udhëhequr nga Rusia dhe Kina!
Pushtimi i Gazës nga Izraeli dhe pasojat gjëmëzeza për Lindjen e Mesme dhe botën
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 104 reads



