Letër e hapur - Kryetarit të Komunës së Prishtinës
Dëshirojmë të ju bindim Juve, zotëri Kryetar dhe opinionin e gjerë, se asnjë individ dhe asnjë institucion, emrat e të cilëve i mbajnë rrugët e Prishtinës, nuk i kanë dhënë Prishtinës, Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi, aq kontribut sa ka dhënë Normalja e Prishtinës.
Adil Fetahu
25/11/2023 - 08:17
EMËRTONI RRUGËN ME EMRIN: NORMALJA E PRISHTINËS
I nderuar Kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama,
Është kjo letra e dytë e hapur që po ju shkruajmë për një çështje dhe për një institucion me interes të përgjithshëm për arsimin, edukimin, kulturën dhe historinë shqiptare.
E kemi fjalën dhe lutjen tonë që Ju të angazhoheni personalisht që rrugës prej ish-Shkollës Teknike deri te ish-Shkolla Normale e Prishtinës, apo së paku sektorit të asaj rruge, prej udhëkryqit në fillim të ‘Tauk-bashçes’ (te ‘Korneri’), e deri te Pishina e Gërmisë, t’i vehet emri: NORMALJA E PRISHTINËS.
Konsiderojmë se asnjë nga emrat e personaliteteve apo të institucioneve që mbajnë më se 470 rrugë të Prishtinës, nuk kanë (pasur) merita sa Normalja e Prishtinës për t’u kujtuar e për ta mbajtur mend.
Normalja e Prishtinës, shkollë me internat (konvikt), gjatë funksionimit të saj ishte e organizuar në baza e kritere të shëndosha shkencore të emancipimit pedagogjik të metodës së mësimit dhe edukimit, sipas shembullit dhe konceptit të Normales së Elbasanit. Kishte kuadrin mësimdhënës të kualifikuar, me përvojë e autoritet. Trupa pedagogjike e Normales ishte ajka e inteligjencës shqiptare të kohës. Ajo që ishte Gjimnazi '“Zosimea'” i Janinës, ajo që ishte Normalja e Elbasanit, ishte Normalja e Prishtinës. Ishte ikona e arsimit shqip për shqiptarët në Jugosllavi. Kishte një kod të mirësjelljes dhe edukatës së nxënësve dhe arsimtarëve: në shkollë, në internat, në rrugë, në qytet, në raportet reciproke dhe me të tjerët.
Gjatë periudhës 1946-1974, Normalja e Prishtinës ka përgatitur e dhënë arsimit shqip më se 5000 mësues të kualifikuar, shumë prej tyre edhe femra, në kohën më të vështirë dhe më të nevojshme për zhdukjen e analfabetizmit, arsimimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinisë, në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi. Shumë prej normalistëve u bënë figura të shquara atdhetarësh e personalitetesh të arsimit, shkencës dhe kulturës.
Normalja ishte qendër me rëndësi të jashtëzakonshme arsimore, edukative, kulturore dhe sportive e shqiptarëve në Jugosllavi. Ishte më tepër se universitet dhe krenaria e Kosovës dhe e të gjithë shqiptarëve. Nxënësit e shkolluar në Normalen e Prishtinës, u bënë bërthama kryesore e kuadrit profesional e shkencor për formimin e Universitetit të Prishtinës, të institucioneve tjera dhe të elitës profesionale arsimore-pedagogjike, shkencore, letrare, artistike e kulturore të shqiptarëve.
Dëshirojmë të ju bindim Juve, zotëri Kryetar dhe opinionin e gjerë, se asnjë individ dhe asnjë institucion, emrat e të cilëve i mbajnë rrugët e Prishtinës, nuk i kanë dhënë Prishtinës, Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi, aq kontribut sa ka dhënë Normalja e Prishtinës.
Ju jeni pinjoll i Familjes së njohur arsimdashëse, e lidhur ngushtë me ish-Normalen e Prishtinës. Axha i Juaj, i ndjeri Hajrush Rama, ishte nxënës i shkëlqyeshëm i asaj Shkolle emërmadhe, por ishte jetëshkurtër dhe shpejt kaloi në amshim. Axha Juaj tjetër, Ramush Rama (ndjesë pastë), ishte drejtor i konviktit të Normales (1959-1961), dhe mbahet mend për punën e shkëlqyeshme që ka bërë në ngritjen e standardit, rendit, rregullit, disiplinën dhe pastërtisë në Konvikt. Babai Juaj, i ndjeri Kadrush Rama, ishte profesor i artit figurativ, i nderuar dhe i respektuar nga nxënësit dhe nga kolegët e stafit pedagogjik të Normales.
Zotëri Kryetar, Normalja e Prishtinës meriton dhe duhet të mbahet mend e të kujtohet gjithmonë nga shqiptarët e këndej Drinit.
Prandaj, ju lutemi zotëri Kryetar, angazhohuni personalisht, që së paku atij sektori të rrugës që u përmend më sipër, t’i vihet emri: NORMALJA E PRISHTINËS.
Me shumë respekt,
Në emër të ish-Normalistëve
Prishtinë, 16.XI.2023 të Normales së Prishtinës
Adil Fetahu
Tel.viber: 044-238-292
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 49 reads



