Fitimi i oligarkëve nga kromi ‘i Shqipërisë’ thyen rekorde historike me S. Manen në krye
Në vitin 2022, prodhimi i “Xeherorë dhe koncentrate të kromit”, arriti në 1.4 milionë tonë
Monitor
26/11/2023 - 18:30
Shqipëria është e njohur si një ndër vendet më me potencial krommbajtës në Ballkan dhe në Europë.
Vendburimet më të mëdha dhe më të pasura të kromit lokalizohen në ofiolitet e brezit lindor (O.B.L), sipas drejtimit veriperëndim për juglindje nga Tropoja në Has-Kukës-Bulqizë-Shebenik-Pogradec, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
Prodhimi i mineralit të kromit ka filluar që nga viti 1938, më pas pati një ndërprerje nga Lufta e Dytë Botërore dhe rifilloi pas luftës në vitin 1948. Për herë të parë kapi shifrën e prodhimit 100,000 tonë në vitin 1954 dhe pastaj pati rritje të vazhdueshme deri në 1,000,000 tonë në vit.
Nga viti 1990 deri në vitin 2005, pas ndërrimit të sistemeve pati një rënie, më pas me privatizimin e kësaj industrie pati përsëri rritje, duke arritur shifrat e para 1990-s.
Në vitin 2022, prodhimi i “Xeherorë dhe koncentrate të kromit”, arriti në 1.4 milionë tonë, sipas INSTAT, me rritje prej 31% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Vlera e shitjeve ishte 30.9 miliardë lekë, me zgjerim 38% me bazë vjetore, e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve. Në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve janë disa kompani me aktivitet në nxjerrjen dhe përpunimin e kromit.
Normat e fitimit në 2022 ishin të larta, ato arrijnë dhe mbi 50%, duke bërë që të ketë shumë hyrje në listën e “Monitor 200”. Një pjesë e tyre janë diversifikuar edhe në sektorin e ndërtimit.
“Albchrome”, operatori më i madh i kromit në vend, raportoi të ardhura prej 18.6 miliardë lekësh dhe fitime 5.4 miliardë lekë, me një normë prej 29%.
“GSA”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha në vend sipas të ardhurave, deklaroi 14.2 miliardë lekë të ardhura vetëm nga shitja e ferrokromit, ose 34% të totalit (pjesa tjetër vjen nga energjia). Në krahasim me vitin e mëparshëm, të ardhurat vetëm nga ferrokromi u zgjeruan me 77.5%. Shoqëria ka 159 të punësuar në uzinën e ferrokromit, sipas bilancit. Nuk ka të dhëna se sa për qind e fitimeve ka ardhur nga shitja e ferrokromit dhe sa nga energjia.
“EGI-K” ka aktivitet në shfrytëzimin e kromit në zonën e Dibrës. Kompania deklaroi të ardhura prej 627 milionë lekësh në vitin 2022. Fitimet u rritën me 160%, në 266 milionë lekë, me një normë prej 42%.
Sipas raportit vjetor, kompania ka leje shfrytëzimi në Minierat e Kromit në Bulqizë, Galeria A1; Galeria B, Zona D; sterilet e Galerisë B. Për vitin 2022 janë prodhuar mesatarisht 868 tonë mineral kromi në muaj. 100% e mineralit të kromit të nxjerrë nga nëntoka është e përshtatshme për tregtim. Krahas kromit, kompania ka aktivitet dhe në sektorin e ndërtimit.
“Klosi”, që ka leje shfrytëzimi për kromin në Bulqizë, deklaroi të ardhura prej 664 milionë lekësh dhe fitime prej 411 milionë lekësh, me një normë prej 62%.
“Erli-D”, që ka leje shfrytëzimi në galerinë 52 në Bulqizë, kishte të ardhura prej 892 milionë lekësh dhe fitime 347 milionë lekë, me normë 39%.
Sipas raportit vjetor, nga 2021, shoqëria është zgjeruar dhe në ndërtim, që sollën në vitin 2022 rreth 64% të të ardhurave të kompanisë.
Sipas të dhënave nga kompania, në vitin 2022 janë eksportuar gjithsej 4176 tonë mineral kromi, me çmim mesatar shitje 26,880 lekë/ton. Në subjektet brenda vendit janë shitur 6190 tonë mineral kromi, me çmim mesatar shitje 33.880 lekë/ton.
Turqia shfrytëzon kromin e Shqipërisë dhe prodhon 865 herë më pak se klasa punëtore e socializmit
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 42 reads



