...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE-ja në përpjekje për të ndaluar shkatërrimin e natyrës nga Rama

Shqipëria pritet të përfitojë së shpejti projekte në vlerën e mbi 70 milionë dollarëve që synojnë mbrojtjen e natyrës

Voa

18/12/2023 - 14:11

Bashkimi Europian ka nisur në Shqipëri një fushatë ndërgjegjësuese për trajtimin e sfidave mjedisore të vendit. Zyrtarët europianë thonë se Shqipëria pritet të përfitojë së shpejti projekte në vlerën e mbi 70 milionë dollarëve që synojnë mbrojtjen e natyrës.

Bashkimi Europian po ndjek me vëmendje edhe një nismë të një grupi parlamentarësh shqiptarë që kërkojnë rishikimin e Zonave të Mbrojtura i cili ka ngjallur kundërshtime të forta të organizatave mjedisore.

Në Parkun Kombëtar Divjakë -Karavasta një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë Fotion Premce që drejton këtë park u flet zyrtarëve europianë lidhur me aktivitetet në shërbim të zonës së mbrojtur.

Bashkimi Europian ka nisur në Shqipëri një fushatë të re ndërgjegjësuese për trajtimin e sfidave mjedisore të Shqipërisë. Qendra e informimit në Divjakë është ngritur me mbështetjen e financimeve europiane.

Gjatë dhjetë viteve të fundit në fushën e mjedisit Bashkimi Europian ka investuar në Shqipëri rreth 210 milionë euro", thotë Andrea Ferrero, përgjegjësi i seksionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social ne Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.

“Janë në pritje 70 milionë euro të tjera, thotë më tej zoti Ferrero dhe do të jenë pjesë e programeve të mjedisit që vijnë në kuadër të agjendës së gjelbër të Ballkanit Perëndimor”. Pikat kryesore të projekteve lidhen me shkarbonizimin, ekonominë qarkulluese, biodiversitetin të cilat janë vlera bazë të Bashkimit Europian. Shqipëria duhet t`i përqafojë këto vlera duke u harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian", tha zoti Ferrero.

I pyetur nga Zëri i Amerikës mbi procesin e fundit të rishikimit të Zonave të Mbrojtura nga qeveria shqiptare zoti Ferrero tha se zyrtarët europianë ishin në dialog të vazhdueshëm me qeverinë për këtë cështje.

“Është shumë e rëndësishme, tha ai, që të kemi qartësi se kush i administron këto Zona të Mbrojura për të ruajtur biodiversitetin, sidomos të zonave të tilla që janë shtëpi e madhe zogjsh që nuk gjenden askund tjetër. Biodiversiteti është në zemër të vlerave të Bashkimit Europian", tha zoti Ferrero.

Nisma e qeverisë shqiptare për rishikimin e Zonave të Mbrojtura synon t`u japë më shumë kompetenca bashkive në funksion të projekteve të zhvillimit dhe kjo ka ngjallur reagimin e fortë të organizatave mjedisore të cilat e shohin rishikimin si një përshkallëzim të cënimit dhe rrudhjes së këtyre zonave.

Ndërkohë, drejtori i Parkut Divjakë- Karavasta Fotion Premce e ka vlerësuar ndihmën e Bashkimit Europian për projektet në park, i cili këtë vit ka njohur rreth 600 mijë vizitorë.

“Bashkëpunimi me Bashkimin Europian ka qenë shumë i mirë në Parkun Kombëtar Divjakë- Karavasta ku është bërë e mundur Qendra e Informimit, ndërtimi i katër kullave për vëzhgimin e shpendëve dhe ndërtimi i observatorit të shpendëve në lagunë. Numri i vizitorëve për vitin 2023 në Parkun Kombëtar Divjakë -Karavasta është në rritje. Që nga Janari i këtij viti ky numër ka arritur diku në rrreth 600 mijë vizitorë që kanë frekuentuar hapësirat natyrore të parkut”.

Muajin e ardhshëm fushata e gjelbër e Bashkimit Europian pritet të paraqesë një projekt për mbrojtjen e biodiveristetit në Zonat e Mbrojtura në Shqipëri me një financim prej rreth 6 milionë dollar, ndërkohë që këto zona përballen me një presion të madh zhvillimi, sidomos në hapësirën bregdetare shqiptare.   

Rishikimi i zonave të mbrojtura përshkallëzon shkatërrimin e tyre

Rishikimi i Zonave të Mbrojtura po ngjall shqetësimin e studiuesve dhe aktivistëve të natyrës në Shqipëri. Ata thonë se shohin një kërcënim të ri për ndërtime sidomos në zonën bregdetare dhe një përshkallëzim të shkatërrimit të zonave të mbrojtura.

Kryeministri Rama tha se rishikimi lidhet me një kërkesë të vazhdueshme këmbëngulëse të një numri të konsiderueshëm kryetarësh bashkish.

Studiues dhe aktivistë të mjedisit po kundërshtojnë ashpër në Shqipëri planet e qeverisë për rishikimin e zonave të mbrojtura natyrore. Një nismë e 12 deputetëve të mazhorancës socialiste synon ndryshime të reja në ligjin për Zonat e Mbrojtura që në thelb kanë krijimin e hapësirave ligjore për projekte zhvillimore në funksion të bashkive.

“Ndërhyrja në zonat e mbrojtura është një risi që sjell pasoja aq më tepër kur bëhet për qëllime që thuhen në emër të zhvillimit, në emër të turizmit”, thotë profesori i shkencave të natyrës në universitetin e Tiranës Aleko Miho.

“Tani po ndërhyhet në Zonat e Mbrojtura se kanë ngelur janë të vetmet që janë të prekura. Po i rrudhim dhe ato në minimum dhe në këtë mënyrë po krijojmë një imazh të vendit të urbanizuar tej e tej, i cili është i dëmshëm edhe për natyrën, por edhe zhvillimin në përgjithësi.”

Zoti Miho thotë se këto ndryshime të reja pasojnë ato që ndodhën një vit më parë në kufijtë e Zonave të Mbrotjura që kanë sjellë pasoja.

“Vendimet e qeverisë që çuan në zvogëlimin e Zonave të Mbrojtura kryesisht në zonat bregdetare, në Butritn, në zonën e Vjosë -Nartës, në zonën e Karavastasë etj. Dihej që atëherë që këto ndryshime ligjore nuk kishin qëllim përforcimin e sistemit të mbrojtjes, por përkundrazi, lejimin e zhvillimit të bizneseve brenda tyre. Menjëherë sa dolën vendimet e qeverisë në këto zona ndërhyhet për të ndërtuar, për të investuar. Thuhet për qëllime turistike, por ky lloj turizmi nuk mbron natyrën, është i paqëndrueshëm. Përkundrazi, krijon shqetësime në zonën përreth, në prishjen e biodiveristetit, habitateve, por edhe për vetë njeriun, për vetë zonën zhvillimin e saj kjo mënyrë e investimit që bëhet, sidomos ajo që shohim në zonë e Manastrit, por jo vetëm, është në kundërshtim me rregullat e mbrojtjes së natyrës”.

Edhe Zydjon Vorpi i organizatës për mbrotjen e natyrës PPNEA e cila e ka paditur në gjykatë me disa organziata ndryshimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura që ndodhi një vit më parë thotë se një rishikim i ri është me mjaft pasoja.

“Tashmë pritet që të prishen edhe zona të tjera. Praktikisht po tentohet të legjitimohet ajo që u fillua në mënyrë të paligjshme në Nartë me Aeroportin e Vlorës që po ndërtohet brenda zonës së Mbrojtur. Ligji i ri i hap rrugën këtyre lloj zhvillimeve të ndodhin në cdo zonë të Mbrojtur duke zhbërë njëherë e përgjithmonë vlerën e këtyre zonave”.

Ndryshimet e pritshme ligjore legjitimojnë ndërhyrje që bien ndesh me direktivat europiane për mbrotjen e natyrës, thotë zoti Vorpsi.

Turizmi në Shqipëri, sidomos këtë vit, shënoi prurje të larta turistike në mbi 9,5 milionë vizitorë dhe zoti Miho e vlerëson zhvillimin e këtij sektori. Por , thotë ai modelet kaotike të zhvillimit nuk duhet të vijojnë.

“Asnjë nga ne nuk kundërshton të gjitha përpjekjet, qoftë të qeverisë dhe të gjithë aktorëve në vend, për të zhvillaur turizmin sepse është një potencial i madh që ne si vend mund ta ofrojmë edhe për të sigruar një mirëqënie, punësim etj. Por kjo nuk mund të bëhet pa e menaxhuar turizmin në drejtime të tilla, nga e cila përfiton gjithë shoqëria. Jo individët që investojnë, që shesin vila dhe që ndërtojnë si në “pronën e babait”. Nuk është ky turizmi aq më tepër, kur kjo bëhet në kurriz të Zonave të Mbrojtura. Ne kemi kriajur një infrastrukturë të madhe nga Velipoja deri në Ksamil në gjtihë këto vite që është bërë në mënyrë kaotike jo me plane të mirëfillta urbanistike. Të ndërhysh akoma në këtë vijë bredgetare me ndërtime është jashtë kapaciteteve të mundshme që vetë vija bredgetare afron.”

Institucionet thotë më tej zoti Miho pak pyeten për këto ndryshime dhe qarqet akademike dhe shkencore janë pak të angazhuara.

“Në përgjithësi në aspektin institucional pak disktutohet për këto vendim-marrje. Këtu institucionet duhet të pyeten për këto ndryshime por edhe vetë institucionet duhet të jenë më aktive.”

Kryeministri shqiptar Edi Rama pohoi pak ditë më parë se qeveria është në fazën e rishimimit të Zonave të Mbrojtura. Në një fjalim mbajtur në ceremoninë e një konkursi për një qendër infomimi për lumin Vjosa zoti Rama tha se se rishikimi lidhet me kërkesën e një numri kryetarësh bashkish.

“Sot, ne jemi në një fazë rishikimi të zonave të mbrojtura që vijnë si rezultat i një kërkese të vazhdueshme këmbëngulëse të një numri të konsiderueshëm kryetarësh bashkish, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e konsolidimit të natyrës, por të cilët janë natyrshëm me ambicie dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik dhe social. Dhe kombinimi i këtyre të dyjave është një domosdoshmëri”.

Pamjet e Ksamilit dhe shumë zonave në bregdetin jugor po flasin për shtrirjen e ndërtimeve intensive që po cënojnë peisazhe natyrore dhe peisazhe shkëmbore mijeravjeçare.

Disa kryetarë bashkish janë dënuar dy vietet fundit apo janë në hetime lidhur me vendim-marje ndërtimesh në zonat bregdetare.

Vetëm në Sarandë mbi 20 zyrtarë të administratës, kryesisht të urbanistikës, hipotekës dhe inspektoriateve ndërtimore, janë arrestuar nën dyshimet për shpërdorim detyre me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe Prokurorisë së Posaçme(SPAK).

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA