...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Minimi i reformës në drejtësi nga klasa politike dhe shkëmbgremina e popullit shqiptar

SHJ

04/04/2017 - 10:35

Është e qartë tashmë se partitë kryesore po përparojnë ngadalë edhe reformën në drejtësi edhe riprodhimin e pushtetit. Nga reforma në drejtësi, me ligjet që kanë miratuar (p.sh. neni 449, pika 2, i shumë-diskutuar), nuk do të dënohet asnjë krye-kriminelë i viteve të fundit: sepse ligjet përkatës do të kenë fuqi juridike përsa kohë që partitë riprodhojnë pushtetin. Kurrë nuk mund të ndodhë e kundërta: sepse pushteti politik përcakton karakterin e çdo ligji. Organet e reja juridike, gjyqtarët dhe prokurorët, s’do të kenë asnjë mundësi për të ndjekur penalisht kryekriminelët. Domethënë, të hetojnë ngjarje kriminale që kanë ndodhur përtej ‘pesë vjetëve’ nga koha kur një prokuror të fillojë rihetimin e një çështje penale. Ja se ç’citon Neni 449:

Neni 449 - Vendimet që mund të rishikohen:

1. Në rastet e caktuara me ligj lejohet në çdo kohë rishikimi i vendimeve që kanë marrë formën e prerë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose është shuar. 2. Vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit.

Pika 1 sqarohet në Nenin 450. Ja se ç’citon ai:

Neni 450 - Rastet e rishikimit

1. Rishikimi mund të kërkohet:

a) kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë;

b) kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile, i cili është revokuar më pas;

c) kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;

ç) kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale.

Neni 450 ia zgjidh duart çdo prokurori por ia lidh ato me pikën 2 të Nenit 449: sepse e kushtëzon që ai mos të hetojë më tej se pesë vjet! Kjo do të thotë se kryekrimet e ’97, Gërdeci, 21 janari e shumë si këto nuk mund të rihetohen! Por nuk mund hetohen as çështje të tjera të viteve të fundit që ka shkaktuar qeveria “Rama”. Sepse dimë se organet e reja të drejtësisë do të vonojnë për të vepruar juridikisht.

Varianti që mbetet për të dhënë drejtësi për shumë krime që janë kryer nga klasa politike, mbetet krijimi i një qeverie tjetër. Por problemi është se në Shqipëri lëvizjet politike ende s’kanë marrë karakter anti-establishment në program-projektet e tyre. Përgjithësisht kudërshtojnë me maksima e citate. Por jo me një program-projekt i cili do të synonte shumë objektiva njëherësh. Kështuqë mbetet shqiptarët të jetojnë edhe një katër vjeçar tjetër mes shkëmbit dhe greminës...    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA