Kuptimi` fitores së Veliajt në gjykatën kushtetuese dhe lajthitjet e medias, Qorit, Shehajt dhe Ramës
Për arsye të ndryshme, Qori, Shehaj dhe Rama lajthitën edhe një herë ndaj vendimit të gjykatës kushtetuese, duke treguar edhe një herë se kush e drejton Shqipërinë dhe kush mund ta drejtojë nesër
Ylli Përmeti
04/11/2025 - 08:04
Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë “Rama” dhe dekretin e Begajt për të zhvilluar zgjedhje të pjesshme vendore në bashkinë e Tiranës me qëllim zëvendësimin e Veliajt meqënse ndaj tij rëndojnë akuza të rënda, duke i quajtur ata si “të papajtueshëm me kushtetutën”, dhe duke i dhënë të drejtë Veliajt por jo duke e kthyer atë në detyrë siç raportoi media futjakot e oligarkisë (Top, Joq etj.), sepse ajo shqyrtoi vetëm “procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë [dhe] jo procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij”.
Kështu mund të thuhet se ai fitoi kundrejt përpjekjes së Ramës për ta zëvendësuar me Manastirliun por jo për t`u çliruar nga akuzat.
Fitorja e tij, e cila është e përkohshme, sepse ndaj tij rëndojnë 13 akuza të ngritura nga Spak-u, u paraqit nga kandidatët e tjerë për bashkinë e Tiranës (Qori, Shehaj etj.) se ishte Rama ai që “paracaktoi” vendimin e gjykatës apo sepse ajo “mbron korrupsionin”, sepse, thonë ata, ai kishte frikë nga fitorja e tyre apo se Rama kërkon të krijojë “precedent”!
Të njëjtin qendrim patën dhe tek jogazetari` oligarkisë sonë, Rakipi, pavarërsisht se gazetarja e censurës, Klodiana u përpoq ta sqaronte vendimin.
Megjithatë, spontanët apo “prijësit” e rinj-të-vjetër të politikës, pa parime juridike dhe të pushtuar nga euforia, shpërnjohin si detyrën dhe karakterin e vendimit të gjykatës kushtetuese ashtu dhe gjendjen juridike të Veliajt: se ai është i akuzuar dhe jo i dënuar. Përderisa nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë për akuzat ndaj tij, ai nuk mund të shkarkohet dhe të zëvendësohet me dikë tjetër. Gjykata kushtetuese (ose shumica e anëtarëve të saj), në fjalë të tjera, ka marrë vendim të drejtë. Por të tjerët mbi ç`bazë vendosën për shkarkimin e tij?!
Kështu “prijësit” e rinj-të-vjetër vërtetuan edhe një herë se vetëm për drejtimin e shtetit nuk janë.
Rama e përdori edhe një herë vendimin e gjykatës për të treguar se ajo nuk është “kapur” nga ai ndërsa tregoi padije lidhur me detyrën e gjykatës kushtetuese duke kërkuar nga ajo të përdorë të njëjtin parim për ta kthyer Veliajn në detyrë. Parë nga një këndvështrim ligjor, Veliaj duhet të presë vendimin e gjykatës së posaçme dhe pastaj —nëse s`pajtohet me të— mund ta apelojë në gjykatën e apelit dhe nëse s`gjen as atje drejtësi mund të shkojë tek gjykata e lartë. Në këtë process, gjykata kushtetuese s`ka asnjë lidhje, nëse kemi parasysh detyrat e saj të parashikuara në kushtetutë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 30 reads



