...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trampi shqyrton ndëshkimin e vendeve të NATO-s që nuk mbështetën luftën me Iranin

Spanja, Gjermania, Italia dhe Franca janë në krye të listës ndërsa Polonia, Rumania, Lituania dhe Greqia mund të ‘përfitojnë’

WSJ

09/04/2026 - 14:49

Donald Trampi po shqyrton një plan për të ndëshkuar disa anëtarë të NATO që, sipas tij, nuk mbështetën mjaftueshëm Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin gjatë luftës me Iranin. Plani parashikon zhvendosjen e trupave amerikane nga vendet e aleancës që quhen si më pak të dobishme në këtë përpjekje drejt atyre që quhen si më mbështetëse. Megjithatë, plani është ende në fazë të hershme dhe nuk nënkupton largimin e SHBA-së nga NATO, një hap që kërkon miratimin e Kongresit.

Plani, i cili ka qarkulluar dhe ka gjetur mbështetje tek disa zyrtarë të lartë në javët e fundit, tregon për një përçarje në rritje mes qeverisë së Trampit dhe aleatëve evropianë pas vendimit për të nisur luftën me Iranin. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Uashingtonin për t’u takuar me Trampin dhe për të forcuar lidhjet mes palëve pavarësisht tensioneve, ndërsa më parë kishte ndikuar që Trampi të tërhiqej nga ideja për të marrë Grenlandën.

Zëdhënësja e Shtëpia e Bardhë, Karoline Leavitt, kritikoi NATO-n duke thënë se ajo “i ktheu shpinën popullit amerikan” gjatë javëve të fundit. Vetë Trampi shkroi se NATO “nuk ishte aty kur kishim nevojë dhe nuk do të jetë as në të ardhmen”. Aktualisht, SHBA ka rreth 84 mijë trupa të vendosura nëpër Evropë, të cilat shërbejnë si bazë kryesore për veprimet ushtarake botërore dhe si pengesë ndaj Rusisë.

Nuk është ende e qartë cilat vende do të preken, por disa aleatë kanë ngjallur pakënaqësi tek Trampi. Spanja refuzoi përdorimin e hapësirës ajrore për operacionet ndaj Iranit, ndërsa Gjermania u kritikua për qëndrimet kundër luftës, megjithëse mbetet një nga qendrat më të rëndësishme për veprimet amerikane në Lindjen e Mesme. Italia gjithashtu kufizoi përkohësisht përdorimin e një baze në Siçili, ndërsa Franca lejoi përdorimin e një baze vetëm me kushte të caktuara.

Ndërkohë, disa vende të tjera si Polonia, Rumania, Lituania dhe Greqia mund të përfitojnë nga zhvendosja e trupave, pasi quhen si më mbështetëse dhe kanë shpenzime më të larta për mbrojtjen. Rumania, për shembull, miratoi shpejt kërkesat amerikane për përdorimin e bazave të saj pas shpërthimit të luftës.

Ky plan mund të çojë në vendosjen e më shumë trupave amerikane më pranë kufirit me Rusinë, duke rritur tensionet me Rusinë. Trampi ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj NATO-s, duke e quajtur mungesën e mbështetjes një “njollë që nuk do të zhduket kurrë”, dhe ka lënë të kuptohet disa herë mundësinë e largimit nga aleanca. Nga ana tjetër, zyrtarë evropianë thonë se nuk janë këshilluar paraprakisht për luftën me Iranin, çka e bëri të vështirë bashkërendimin e një përgjigjeje të përbashkët.

Lufta me Iranin është vetëm kriza më e fundit në marrëdhëniet ndëratlantike, të tensionuara edhe nga tarifat tregtare, qasja e Trampit ndaj Vladimir Putin për çështjen e Ukrainës dhe përplasjet me Danimarkën për Grenlandën. Gjatë mandatit të tij të parë, në vitin 2020, Trampi urdhëroi tërheqjen e rreth 12 mijë trupave nga Gjermania, vendim që u përmbys më vonë nga Joe Biden në vitin 2021.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA