...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fondi i Bordit të Paqes së Trampit është i zbrazët dhe rrezikon të dështojë

Pavarësisht 17 miliardë dollarëve në premtime, organizata ka ngecur në një gjendje të paqartë ligjore dhe politike që ka vonuar projektet për rindërtimin e Gazës

Financial Times

28/05/2026 - 07:21

Fondi zyrtar për “Bordin e Paqes” të Donald Trampit është i zbrazët dhe organizata ndodhet në një ngërç ligjor dhe politik që ka penguar projektet e rindërtimit të Gazës.

Presidenti amerikan e përshkroi bordin, i cili kërkoi tarifa “anëtarësimi të përjetshëm” prej 1 miliard dollarësh nga liderë botërorë, si një nga organizatat ndërkombëtare “më me peshë” të krijuara ndonjëherë. Shtetet anëtare premtuan 7 miliardë dollarë për paketën e ndihmës për Gazën, dhe Trampi premtoi edhe 10 miliardë dollarë të tjera financim nga SHBA.

Por katër muaj pas krijimit të tij, fondi financiar i bordit, i vendosur nga Banka Botërore, nuk ka marrë asnjë para nga dhuruesit, sipas katër vetëve të njohur me gjendjen. “Zero dollarë janë dorëzuar”, tha njëri prej tyre.

Në vend që të përdorë fondin e drejtuar nga Banka Botërore dhe të mbështetur nga OKB-ja, bordi ka marrë dhurime drejtpërdrejt përmes një llogarie të JPMorgan, thanë zëdhënësi i bordit dhe një tjetër njeri i njohur me marrëveshjet.

Ndërsa Banka Botërore duhet të raportojë mbi gjendjen financiare të fondit për Gazën tek ndihmëtarët dhe anëtarët e bordit, nuk ka kërkesa të pavarura tejdukshmërie për llogarinë e JPMorgan.

Një zyrtar i Bordit të Paqes tha se “janë vendosur disa rrugë për të marrë financim”, përfshirë mekanizmin e Bankës Botërore, dhe se “deri tani dhuruesit kanë zgjedhur rrugë të tjera”.

Bordi i Paqes “do të raportojë financat e tij” tek bordi ekzekutiv, i përbërë nga zyrtarë të qeverisë së Trampit dhe këshilltarë të tjerë, “në një kohë që do të quhet e përshtatshme”, shtoi zyrtari.

Rreth 3 milionë dollarë nga Maroku dhe 20 milionë dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndihmuar në financimin e zyrës së Nikolaj Mladenovit, “përfaqësuesi i lartë” për Gazën pas luftës, dhe pagat për komitetin teknokrat palestinez që bordi ka krijuar për të qeverisur territorin.

Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu kanë dhënë së fundmi 100 milionë dollarë për trajnimin e një force të re policore për Gazën, por programi ende nuk ka filluar dhe fondet janë ngrirë, thanë dy vetë të njohur me çështjen.

Departamenti Amerikan i Shtetit synon të rishpërndajë rreth 1.2 miliardë dollarë ndihmë për projekte që lidhen me planin e bordit. Por këto fonde, të cilat nuk do t’i jepen drejtpërdrejt bordit, gjithashtu nuk janë shpenzuar ende.

Një ndihmës i lartë i Kongresit tha: “Asnjë nga ato para nuk ka shkuar tek bordi. Asnjë prej tyre nuk po drejtohet nga Bordi i Paqes.”

Departamenti i Shtetit tha se “mbështet vizionin e presidentit për bordin” dhe “vazhdon të vlerësojë mënyrat se si autoritetet ekzistuese, programet dhe bashkërendinimi ndërinstitucional mund të mbështesin më mirë këto qëllime”.

Ndërsa bordi ka filluar të hapë tenderë për punime sigurie dhe rindërtimi në Gaza, zëdhënësi i tij tha se ende nuk janë dhënë kontrata. “Shumë prej tyre nuk janë dhënë sepse nuk po operojmë ende në Gaza”, pasi Hamasi ende nuk është çarmatosur, tha ai.

Trampi e nisi bordin me shumë bujë në janar, duke bërë që disa kryeqytete evropiane të frikësoheshin se qëllimi i tij ishte të rivalizonte OKB-në. Misioni i tij i parë kryesor ishte mbikëqyrja e rindërtimit të Gazës pas dy vitesh lufte shkatërruese.

Dhëndri dhe këshilltari i tij, Jared Kushner, më vonë paraqiti modele luksoze për një Gaza futuristike të drejtuar nga inteligjenca artificiale, me kulla moderne dhe shërbime luksoze. Një vlerësim i fundit nga BE, OKB dhe Banka Botërore llogariti se mbi 70 miliardë dollarë do të nevojiten për rindërtimin e Gazës në dekadën e ardhshme.

Ligjvënës amerikanë kanë kërkuar më shumë dije mbi bordin, operacionet e tij dhe statusin ligjor. Disa kanë ngritur pyetje nëse ai përmbush kriteret ligjore për t’u quajtur një organizatë ndërkombëtare që mund të marrë fonde amerikane.

Trampi, në të kundërt, e përshkruan bordin si “diçka si një oborr mbretëror”, tha senatori Brian Schatz. “Pra, unë nuk e di se çfarë është në të vërtetë… nuk është e qartë për mua.”

Të tjerë të përfshirë në planifikimin e pasluftës për Gazën thanë se lindin pyetje ligjore edhe për shkak të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e përshkruan bordin si një “drejtori kalimtare”.

Një kontraktor i mundshëm tha: “Kush është përgjegjës për Gazën? Cili ligj zbatohet atje? Ka shumë rrezik për kompanitë që përfshihen.”

Pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA që i dha fund dy viteve luftimesh, Trampi paraqiti një plan ambicioz me faza që përfshinte çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe rindërtimin e enklavës.

Por nuk është bërë përparim në asnjë nga këto tre synime kryesore. Dy njerëz të njohur me planifikimin thanë se “asnjë dollar amerikan” nuk është përdorur për rindërtimin e Gazës.

Bishara Bahbah, një biznesmen palestinezo-amerikan i përfshirë në bisedime, tha se komiteti ende nuk ka filluar punën në terren për shkak të mungesës së fondeve. “Është shumë e zymtë”, tha ai.

Zëdhënësi i bordit tha se nuk ka autoritet në terren për të drejtuar rrjedhën e shërbimeve dhe mallrave të parashikuara në plan. “Nuk është se po mbajmë para në një llogari bankare dhe po japim kontrata për gjëra që nuk mund të zbatohen.”   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA