...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mbrojtja elektronike perëndimore në Ukrainë përballet me epërsitë ushtarake ruse

Perëndimi zhvillon mbrojtjen ajrore, por Rusia ruan epërsinë në përshtatjen ushtarake

Ylli Përmeti

25/05/2026 - 13:17

Ukraina po mbështetet gjithnjë e më shumë te një sistem i luftës elektronike i njohur si “Lima”, si një shtresë kyçe e mbrojtjes së saj ajrore, veçanërisht në kushtet e mungesës së raketave të shtrenjta interceptuese për sistemet amerikane Patriot: në vend që të shkatërrojë fizikisht dronët dhe raketat ruse që vijnë, Lima ndërhyn në sistemet e tyre të lundrimit (navigimit) satelitor duke bllokuar dhe mashtruar sinjalet, duke futur bashkërenditje të rreme dhe duke ulur saktësinë e goditjeve.

Sistemi mund të bëjë që armët e ardhshme të zhvendosin ndjeshëm nga objektivat e tyre ose të mos i godasin fare. Sistemi thuhet se prodhohet nga një ndërmarrje ukrainase e mbrojtjes e regjistruar në Shtetet e Bashkuara, por shihet gjerësisht se pas saj qendrojnë amerikanët dhe evropianët. Kjo është arsyeja pse rusët e quajnë sistemin përkatës si pjesë e arkitekturës ushtarake perëndiimore në Ukrainë, dhe si i tillë, ai është bërë një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme dhe relativisht me kosto të ulët në mbrojtjen e rrjetit ushtarak dhe qytetar por nëse gjykojmë nga sulmi 24 majit, kur Rusia sulmoi Kievin dhe përfshiu dhe raketa hipersonike dhe nga dëmet, kuptohet se sistemi përkatës është sa për të krijuar një lloj “besueshmërie” apo “shprese” për të shtyrë luftën.

Lufta elektronike është shndërruar në një garë teknologjike në zhvillim të vazhdueshëm mes Ukrainës dhe Rusisë. Ndërsa Ukraina përmirëson sisteme si Lima, forcat ruse përshtatin vazhdimisht armët e tyre duke modernizuar sistemet e navigimit dhe teknologjitë kundër-bllokimit për të ruajtur saktësinë e goditjeve nën ndërhyrje elektronike. Ky cikël i pandërprerë përshtatjeje e ka kthyer mbrojtjen ajrore në një “luftë sinjalesh” që ndryshon me shpejtësi, ku të dyja palët ndryshojnë vazhdimisht sistemet e tyre në përgjigje të risive të kundërshtarit, duke e bërë efektivitetin e tyre të varur nga zhvillimi i vazhdueshëm teknologjik dhe jo nga një epërsi statike.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA