Qëllimi i fuqive perëndimore me qëndrimin e tyre në Kiev përballë kërcënimeve ruse dhe tre skenarët
Rusia ka përdorur togfjalëshin se synon të godasë “qendra komanduese”, pa e thënë troç “asgjësimin” e elitës së Ukrainës
Ylli Përmeti
29/05/2026 - 08:36
Prania perëndimore në Kiev ka pesë qëllime kryesore: të mbajë gjallë institucionet shtetërore, komandën e luftës së Ukrainës dhe qendrat ushtarake; të parandalojë një rrënim të shpejtë politik dhe ushtarak; të ruajë bashkërendimin e mbështetjes së jashtme ushtarake dhe ekonomike; të mbajë Ukrainën si një aktor të vazhdueshëm për bisedime; dhe të forcojë parandalimin e përshkallëzimit. Qëllimet përkatëse Kremlini i njeh sigurisht dhe, besoj, do të veprojë përmes tre skenarëve vijues:
Skenari i parë është “përshkallëzimi që synon dobësimin” e veprimtarisë vendimmarrëse përmes goditjeve të dendura mbi Kiev dhe mbi objektiva rreth qendrës së komandës, të cilat mund të çojnë në largim të pjesshëm të misioneve diplomatike perëndimore, pa kaluar domosdoshmërisht në përballje të drejtpërdrejtë me NATO-n;
Skenari i dytë është një “përshkallëzim i përmbajtur” (i kontrolluar), i cili s’ndryshon shumë nga skenari i parë, sipas të cilit Rusia vazhdon goditjet mbi qendrat ushtarake dhe komandën ukrainase, ndërsa shtetet perëndimore ruajnë praninë diplomatike në nivel të ulët dhe të mbrojtur;
Skenari i tretë është “përshkallëzimi i skajshëm”, ku goditje të drejtpërdrejta shkatërrojnë ndërtesat vendimmarrëse dhe prekin ose dëmtojnë personelin apo ndërtesat diplomatike perëndimore, sipas të cilit mund të dëshmohen viktima dhe rrezik më i madh i një përplasjeje më të gjerë ndërkombëtare, edhe pse një përballje ushtarake e drejtpërdrejtë me NATO-n mbetet e pasigurt.
Të tre këta skenarë, sidoqoftë, duhen parë lidhur me qëllimin e Rusisë: asgjësimin e elitës drejtuese të Ukrainës. Rusia ka përdorur togfjalëshin se synon të godasë “qendra komanduese”, pa e thënë troç “asgjësimin” e elitës së Ukrainës, politikisht ose fizikisht, sepse këto goditje lidhen me qëllimin kryesor rus, të pashpallur zyrtarisht por të biseduar dhe shqyrtuar gjatë dy viteve të fundit në elitën ruse: se, që të ndalet lufta dhe të ketë paqe, nevojitet së pari asgjësimi i elitës së Ukrainës dhe shkëputja e saj nga ndikimi perëndimor.
Pyetja që shtrohet në këtë fazë është se sa mundësi ka Rusia ta asgjësojë atë; përgjigjja është se Rusia zotëron aftësi të gjera ushtarake për ta realizuar një synim të tillë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 9 reads



