NATO po përgatit një “kështjellë baltike” përballë Rusisë: elita suedeze në panik
Ishulli suedez Gotland po përgatitet për mundësinë e një sulmi rus, ndërsa lidhjet tradicionale të sigurisë me SHBA-në po shfaqin lëkundje
Politico
31/05/2026 - 17:19
NATO po përshpejton fortifikimin e ishullit Gotland në Detin Baltik, të cilin planifikuesit ushtarakë e quajnë një nga vijat më të zbuluara dhe më të rëndësishme strategjikisht të aleancës përballë Rusisë.
I vendosur në mes të Detit Baltik, vetëm 300 kilometra nga enklava e militarizuar ruse e Kaliningradit, Gotlandi po kthehet me shpejtësi në një fortesë ushtarake, ndërsa rriten frikërat për agresion rus, sulme hibride dhe lëkundje të përfshirjes amerikane ndaj sigurisë evropiane.
Javën e kaluar, Suedia përfundoi stërvitjen e parë të bashkërenduar nga NATO në ishull që prej anëtarësimit në aleancë në vitin 2024. Rreth 18 mijë ushtarë nga 13 vende u stërvitën në skenarë të një sulmi të mundshëm rus.
Një sulm rus “mund të ndodhë në çdo moment”, tha shefi i mbrojtjes suedeze, Michael Claesson, ndërsa ushtarët manovronin mes mjeteve të blinduara në pjesën perëndimore të ishullit.
Stërvitja nxori në pah edhe vështirësitë me të cilat përballet NATO-ja: SHBA-ja zvogëloi pjesëmarrjen e saj ushtarake, pjesë e një prirjeje më të gjerë të Donald Trampit për të tërhequr përfshirjen amerikane nga aleanca, ndërsa trupat ukrainase shfaqën epërsi në luftën me dronë duke shkatërruar me shpejtësi një njësi të blinduar suedeze gjatë ushtrimeve.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për shtimin e sulmeve hibride ruse, përfshirë prerje kabllosh nënujore, fluturime dronësh dhe raste spiunazhi.
Gotlandi, i quajtur shpesh “aeroplanmbajtësja që nuk fundoset”, shihet si nyje kyçe për mbikëqyrjen e Baltikut. Sipas analistëve suedezë të mbrojtjes, kush mbikëqyr Gotlandin mund të mbikëqyrë një pjesë të madhe të lëvizjeve ushtarake në Detin Baltik.
Nëse Rusia do ta merrte ishullin dhe do të vendoste sisteme të mbrojtjes ajrore, ajo mund të bllokonte furnizimet ushtarake për shtetet baltike dhe Finlandën. Nëse NATO e mban nën kontroll, aleanca mund të kufizojë hyrjen ruse në Baltik dhe të godasë objektiva të thellë brenda territorit rus.
Përballë kërcënimit rus, Stokholmi ka nisur riushtarakizimin e ishullit, duke investuar mbi 200 milionë euro në rrjetin mbrojtës, rikthimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe vendosjen e tankeve Leopard 2 dhe mjeteve të blinduara CV90.
Komandanti i regjimentit të Gotlandit, Andreas Gustafsson, tha se të paktën një mijë trupa shtesë do t’i bashkohen ishullit brenda një viti. Ishulli pritet gjithashtu të marrë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore IRIS-T nga viti 2028.
Një nga skenarët e frikësuar nga NATO është zbarkimi i fshehtë i forcave ruse përmes anijeve tregtare, ndërsa paralizohen ndërlidhjet dhe mbrojtja ajrore me dronë dhe ndërhyrje elektronike.
Në 18 muajt e fundit, Gotlandi ka përjetuar sabotim të rrjetit të ujit, prerje kabllosh nënujore me fibër optike dhe ndërhyrje të shpeshta radiofonike që kanë prekur avionë, ambulanca dhe rrjetin civil.
Pavarësisht shqetësimeve, autoritetet suedeze thonë se siguria e ishullit është përmirësuar ndjeshëm pas hyrjes së Suedisë në NATO.
Stërvitja e fundit përfshiu ushtarë kanadezë, danezë, marinsa amerikanë dhe norvegjezë, avionë finlandezë F-18, snajperë britanikë dhe helikopterë holandezë Apache.
Në të njëjtën kohë, ushtria suedeze po studion nga afër përvojën ukrainase me dronët. Një operator ukrainas tha se vetëm 17 ushtarë me dronë arritën të asgjësonin disa herë një forcë të mekanizuar suedeze gjatë stërvitjes.
Autoritetet suedeze paralajmërojnë se Evropa nuk duhet të presë rikthimin e plotë të fuqisë ushtarake ruse për të reaguar, por të mbetet “gjithmonë gati”.
“Ne nuk duhet të rrimë duarkryq”, tha shefi i mbrojtjes suedeze Michael Claesson. “Duhet të jemi vazhdimisht në gatishmëri.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 11 reads



