...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Thirrja “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe të metat e saj

Thirrja e Mitatit nënkupton luftë anëtarët e të cilës janë vetëm shqiptarë (në rastin tonë kundër shqiptarëve në pushtet) dhe tremb pakicat e tjera kombëtare për t`iu bashkuar asaj dhe mund të shfrytëzohet nga armiqtë tanë

Ylli Përmeti

20/06/2026 - 12:09

Në kryengritjen e maj-qershorit të vitit 2026, populli i Shqipërisë ka përdorur shumë thirrje por njëra spikat më shumë se të tjerat: thirrja dhe/ose parrulla “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, e cila lidhet me Ballin Kombëtar dhe përdoret për herë të parë në historinë tonë gjatë viteve 1942–1943, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, si pjesë e thirrjeve dhe shpalljeve të rrymës kombëtariste të udhëhequr nga Mid`hat Frashëri. Ajo është përbuzur nga elita komuniste gjatë socializmit, kryesisht sepse komunistët e kohës përdorën thirrjen “vdekje fashizmit, liri popullit”.

Kjo parrullë paraqitësh me e drejtë se e Ballit, sepse ajo përfshinte dy fjalë të rëndësishme: “fashizmin” italian, i cili kishte pushtuar Shqipërinë, dhe ishte qartësisht armik i kombit tonë, dhe “popullin”, një fjalë latine që nënkupton tërësinë e njerëzve që banojnë në një vend apo shtet dhe nuk bënte përjashtime. Në veprimtarinë e hershme të tij politike Mitati shfaqet me një parrullë tjetër: “më mirë vdekjen se robërinë”. Ishte koha kur luftonte për zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare për të luftuar kundër perandorisë otomane dhe fituar autonominë si hap i parë për pavarësi.

Mitati përdorte në shkrimet e tij, që kur ishte 19 vjeç, shpesh fjalën “nacionalizëm”, për të zëvendësuar fjalën “kombtarizëm”. Ato vite ai lëvroi gjuhën shqipe dhe ndihmoi në ndërgjegjësimin e kombit tonë. Ai besonte tek “raca e pastër” por dhe “autoktone” shqiptare. Megjithatë, kuptimi i tij lidhur me “nacionalizmën shqiptare” përshkruhet më qartë në Nacionalizmën Shqiptare të Ballit Kombëtar ku ai paraqet tetë pika dhe qartëson si kuptimin e tij ashtu dhe detyrën e Ballit: kryefjala atje është pavarësia e vendit dhe marrëdhëniet miqësore me fqinjët dhe se ajo s`mbështetej në ndonjë ideologji dhe qëllimet e saj ishin partriotike. Por tek “dekalogu” i Ballit Kombëtar, ku ai e ngarkon Ballin me shumë detyra, ai e bën të qartë se Balli do të përbëhej nga “shqiptarë” për të themeluar një “shtet shqiptar”. Është pikërisht atje ku ai shkruan në fund togfjalshin “Shqipëria e shqiptarëvet” ndërsa pjesa e dytë iu shtua gjatë luftës.

Në thelb parrulla përfshin dy qëllime:

• “Shqipëria e shqiptarëve” → e cila përputhej me prirjet kombëtariste apo nacionaliste të shekullit të kaluar; dhe

• “Vdekje tradhtarëve” → jo thjesht dënim politik, por si ndarje e prerë me tradhtarët e kombit.

Ishte pikërisht ajo luftë dhe ajo bindje që e detyroi vetë Mitatin të dorëhiqej si ambasador në vitin 1925 pikërisht sepse —siç e pranon vetë— qeveria që ai përfaqësonte në Athinë, e Zogut, kishte kryer tradhti kombëtare me dhënien e Manastirit të Shën Naumit ndërsa për bashkëpunimin e nazistët kundër komunistëve ai s`ka thënë, në dijeninë time, se ishte tradhti por se ishte “domosdoshmëri”.

Megjithatë, qasja e Mitatit lidhur me thirrjen s`ishte tërësisht e drejtë, sepse në Shqipërinë e kohës banonin pakica të tjera kombëtare dhe për ato Shqipëria ishte atdhe, gjithashtu, dhe duhet të luftonin për çlirimin e saj. Parë nga këndvështrimi i atyre pakicave, Balli përbënte rrezik dhe si pasojë nuk do t`i bashkoheshin luftës, siç nuk iu bashkuan, ndërsa partia komuniste u mbështet nga pakicat e tjera kombëtare me kryesoren greken ose batalionin e Thanas Zikos por dhe vllehët etj.

Kushtet shoqërore s`kanë ndryshuar që nga ajo kohë: në vendin tonë banojnë pakica të tjera kombëtare dhe ato vuajnë njësoj si ne nga politikat e padrejta të qeverive tona. Me thirrjen e Ballit ne i mbajmë larg ato dhe nuk i bëjmë pjesë të luftës sonë të përbashkët. Kështuqë, thirrja bart dhe një përmasë taktike: se ajo është përjashtuese e kombeve të tjerë në luftë dhe si e tillë nuk përputhet as me realitetin dhe as me nevojën tonë për t`i bërë pakicat e tjera pjesë të luftës me qëllim që edhe ato të japin ndihmësën e tyre.

Pjesa e dytë e parrullës —“vdekje tradhtarëve”— nuk përputhet me karakterin e shtetit, se ai përdor drejtësinë për të përcaktuar se kush është dhe kush s`është tradhtar. Një njeri me parime drejtësie, nuk do ta përdore atë parrullë, pikërisht sepse do ta pengonte parimi përkatës. Kështuqë, edhe ata qendrojnë larg në vend të jenë pjesë e luftës. Në fund, vlen të përmendet e vërteta e madhe se krerët e qeverive tona e kanë hequr tradhtinë kombëtare nga kodi penal… 

Përmblethtas, thirrja e Mitatit nënkupton luftë anëtarët e të cilës janë vetëm shqiptarë (në rastin tonë kundër shqiptarëve në pushtet) dhe tremb pakicat e tjera kombëtare për t`iu bashkuar asaj dhe mund të shfrytëzohet nga armiqtë tanë, siç po shfrytëzohet nga Rama, por mund të shfrytëzohet dhe nga të huajt, për të na treguar si lëvizje me prirje fashiste apo shoviniste. Ajo mund të zvendësohet me “Shqipëria e atdhetarëve jo e tradhtarëve” apo me ndonjë thirrje të ngjashme. Kjo thirrje është gjithëpërfshirëse dhe vendos atdheun të parin, siç e kemi vendosur që nga 30 maji.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA